A do ta lejojë AKI? Ligjërues në burgje, imami që dyshohet se bashkëpunoi me organizata terroriste – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

A do ta lejojë AKI? Ligjërues në burgje, imami që dyshohet se bashkëpunoi me organizata terroriste

16:59 | 17 Maj 2018

Do të ligjërojnë dhe falin xhumanë 22 imamë kosovarë, çdo të premte në 11 qendrat korrektuese të Kosovës. Një prej hoxhëve që do të ligjërojë në burgje, në kuadër të një projekti të Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues bashkë me Bashkësinë Islame të Kosovës për deradikalizimin e të burgosurve, është edhe Musli Arifi, imami nga Peja që për disa vite i shërbeu një organizate e lidhur ngushtë me terrorizmin, e regjistruar edhe në Kosovë.

Ish-kryetari i BIK’ut në Pejë, Musli Arifi do tu ligjërojë çdo të premte, pasi të falin xhumanë, të burgosurve myslimanw në burgun e Dubravës. Ligjëratat që këta të fundit do të dëgjojnë që kanë për qëllimin parandalimin e radikalizmit islamik të tyre, do të ligjërohen nga imami Arifi që ishte hetuar vetë për lidhje të forta me organizata nga Lindja që kanë mbështetur terrorizmin në botë.

Lidhjet e dyshimta të imamit Arifi me këtë organizata janë hetuar vite më parë, kur ai drejtonte organizatën “Komisioni i përbashkët Saudit i ndihmave për Kosovë dhe Çeçeni” (SJRC). Kjo OJQ që vepronte në të njëjtën kohë në Kosovë dhe Çeçeni, sipas raporteve ndërkombëtare cilësohej si terroriste, shkruan Gazeta Express.

Organizata e cila përveç në kryeqytetin kosovar, operonte edhe në Pejë, para katër vitesh dyshohej se rreth 74 milionë dollarë të fondit të ndarë për ndihma në Kosovë, i kishte transferuar për të financuar terrorizmin islamik në botë.

Fondet kjo organizatë i siguronte nga IIRO, Organizata Ndërkombëtare e Ndihmave Islamike, po ashtu e ndërlidhur ndërkombëtarisht me terrorizmin dhe Al-Kaidën. IIRO në Kosovë ka operuar qysh menjëherë pas luftës së fundit, e themeluar më 1 shkurt 2000, dhe për një kohë një degë e saj është drejtuar po ashtu nga imami Musli Arifi.

Për lidhjen me organizatën e Osama Bin Laden-it të IIRO’së dhe OJQ’së simotër SJRC, në vitin 2014 ishte shkruar edhe në kabllogramet e zbuluara nga “Wikileaks”.

Por, para se të nisë ligjërimin në Burgun e Dubravës, hoxha Musli Arifi, sikur 21 imamët tjerë të angazhuar për ligjërata në burgjet tjera në Kosovë, do të duhet të verifikohen nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë, raporton Gazeta Express.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se tashmë ka dërguar për verifikim në AKI listën me emrat e imamëve të autorizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës, për t’u angazhuar në procesin e deradikalizimit brenda shërbimeve korrektuese të Kosovës.

Përveç Arifit, BIK’u në listën e imamëve, fillimisht kishte futur edhe hoxhën nga Istogu Tahir Bekaj. I afërt më liderin e LISBA’s Fuad Ramiqin, që akuzohet për “thirrje për rezistencë” nga Prokuroria e Shtetit, Bekaj njihet për qasjen e tij radikale dhe kundër Perëndimit. Madje, ai në një ligjëratë të tij fajësonte amerikanët për dhunimet në Irak dhe arsyetonte sulmet vetëvrasëse të xhiahdistëve.

Imamët tjerë që do të ligjërojnë në qendrat korrektuese në Kosovë janë Imri Llugaliu, Muhamet Fazliu, Remzi Haziri, Idriz Gjigoli, Sadik Hasani, Jetish Berisha, Muhamed Mavraj, Artan Zeka, Zaim Baftiu, Vehbi Gajtani, Refik Bahtiri, Lumnije Bahtiri, Skender Mehmeti, Burim Arifi, Iljaz Mustafa, Faruk Ukallo, Edib Abazi, Rexhep Lushta dhe Irfan Krasniqi.

Përmes ligjëratave të tyre të mundësuara nga një Memorandumi i bashkëpunimit, i arritur nga ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri dhe kryetari i BIK’ut, myftiu Naim Tërnava, parashihet rehabilitim dhe riintegrimin e personave të cilët janë në vuajtje të dënimeve.

Në burgjet në Kosovë tashmë gjenden një numër i kosovarëve që kanë luftuar përkrah ISIS’it në Siri e Irak, por edhe të tjerë që kanë provuar apo kanë promovuar terrorizmin në vend. Sikurse, dënimin e vuajnë edhe imamë të cilët kanë radikalizuar të rijnë kosovarë, ndër ta edhe Zekria Qazimi nga Gjilani.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!