A ka lidhje me presidentin Thaçi, flet drejtori i ri i KEK-ut, Njazi Thaçi – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

A ka lidhje me presidentin Thaçi, flet drejtori i ri i KEK-ut, Njazi Thaçi

12:59 | 03 Nëntor 2018

Drejtori i ri i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Njazi Thaçi, i cili erdhi në krye të kësaj kompanie një javë më parë, është i bindur që institucioni që udhëheqë do të sjellë përfitime për buxhetin e vendit. Thaçi është pjesë e kësaj kompanie që nga viti 2007.

Thaçi, kushëri i presidentit Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë në lidhje me raportimet për ndikimin e kreut të shtetit në emërimin e tij.

Drejtori i KEK-ut thotë se përzgjedhja e tij në këtë pozitë është bërë në bazë të meritave e jo ndikimeve “nga jashtë”.

Prejardhjen thotë se e ka nga fisi “Thaç”, fis të njëjtë sipas tij, ka edhe shefi aktual i Qeverisë, Ramush Haradinaj.

“Përzgjidhja ime në këtë pozitë është në bazë të meritës time dhe jo në bazë të fjalëve apo ndikimeve nga jashtë. Pa dashtë me i ik kësaj pyetjeje, unë jam qytetar i Republikës së Kosovës dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës i trajton gjithë qytetarët barabartë. Nuk është e vërtetë krejt ashtu siç thonë mediat, fis Thaç ka shumë në Kosovë tashmë me thënë të drejtën dhe Ramushi mos gabofsha është e fisit Thaç”, në një intervistë për Ekonomia Online.

Thaçi thotë se pozitën e mori për shkak të shkollimit dhe punës së bërë në kompani që nga viti 2007, madje për çdo dyshim thotë se mund të pyetet edhe Ambasada Britanike, e cila ka marrë pjesë në përzgjedhjen e tij, por edhe anëtarë të shoqërisë civile.

“Kosova është një vend i vogël, ku të gjithë njihen ose munden me u njoftu me njëri-tjetrin. Dhe unë si qytetar i Republikës së Kosovës dhe si çdo qytetar tjetër edhe Kushtetuta më trajton barabartë si çdo qytetar. Për informimin tuaj, unë jam inxhinier i diplomuar i Elektros, kam mbaruar fakultetin në Universitetin e Tiranës para lufte dhe jam pjesë e KEK-ut që nga viti 2007”.

“Jam drejtor operativ, apo teknik, që nga viti 2011. A ka qenë transparente apo jo intervista apo konkursi ju sugjeroj që nuk është pyetje për mua, mund t’i pyesni vëzhguesit që kanë qenë të atij procesi, Ambasada Britanike dhe shoqëria civile”.

“Unë e kam bërë një prezantim para bordit në konkursin që ka qenë. Kam prezantuar disa objektiva të mia për 5 vitet e ardhshme; krahas saj kam paraparë rritjen e të hyrave. Siç e dini, Kosova është vendi i tretë në Evropë për rezervat e thëngjillit, ndërsa vendi i pestë në botë… Unë do të bëj maksimumin e mundshëm që t’i shfrytëzojmë ato rezerva. Pra të hyrat e KEK-ut mendoj me i rrit, krahas prodhimit të energjisë elektrike që e kemi punë primare”, tha ai.

Thaçi thotë se KEK-u është ndërmarrja publike më fitimprurëse në Kosovë dhe aktualisht ka mbi 20 milionë euro fitim dhe 4,800 punëtorë.

Thaçi erdhi në këtë pozitë erdhi pas dorëheqjes së Arben Gjukajt. Fillimisht, KEK-u kishte shpallur konkurs për drejtor menaxhues më 5 prill. Konkursi ishte rishpallur më 1 qershor dhe për herë të tretë konkursi është hapur më 9 gusht. Pas procedurave të zakonshme, Njazi Thaçi mori pozitën e drejtorit në fund të muajit tetor.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!