Alarmi nga gripi, shënohet viktima e parë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
9 °C

Alarmi nga gripi, shënohet viktima e parë

15:36 | 12 Shkurt 2018

Një 44-vjeçar nga Korça me sindromin “down” dhe i prekur nga disa sëmundje kronike ka humbur jetën dy javë më parë nga gripi në reanimacionin e Spitalit të Korçës, por ngjarja u konfirmua vetëm të hënën.

Vdekja është relatuar në buletinet javore të Institutit të Shëndetit Publik, por dikasteri i shëndetësisë nuk e ka njoftuar.

“Vuante prej shumë vitesh nga diabeti dhe sëmundje të tjera të brendshme. Pra është tek kontigjenti i grupit të personave me risk, të cilët theksohen me forcë që duhet të vaksinohen patjetër. Gripi nuk duhet nënvlerësuar dhe vaksina parandalon vdekjen dhe parandalon format e rënda”, thotë Artan Simaku, nga Departamenti i Sëmundjeve Infektive në ISHP.

Shqipëria klasifikohet ndër vendet me intensitetin më të lartë të të prekurve nga visuri i gripit në këtë periudhë. Sipas specialistëve të ISHP, tanimë jemi në pikun e epidemisë, ku javën e fundit janë raportuar 23 mijë të prekur me infeksione respiratore.

“Kemi arritur pikun dhe parashikojmë që në javën në vazhdim të fillojë një trend në rënie. Gripi është një nga sëmundjet më të paparashikueshme. Deri më tani nuk janë vërejtur raste të rënda. Ka raste sporadike që janë normale për stinën, por jo me të njëjtën ashpërsi si e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, shton Simaku.

Por, paralelisht me epideminë e gripit në Shqipëri po qarkullon edhe virusi i fruthit. Numri i fëmijëve ka shkuar në 67, por zyrtarisht kjo nuk konsiderohet epidemi.

“Risku ekziston, por që masat janë marrë. Po kryhet monitorimi në bazë ditore i çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Theksoj që me shfaqjen e temperaturës, fëmija nuk duhet të çohet në çerdhe, kopësht ose shkollë, por duhet çuar tek mjeku i familjes, i cili vlerëson gjendjen dhe jep rekomandimet e duhura”, deklaron Artan Simaku.

Një javë më parë një foshnje 8-muajshe me pneumoni humbi jetën për shkak të komplikacioneve, ndërkohë që shumë fëmijë, të cilët nuk e kanë mbushur moshën për vaksinë frekuentojnë çerdhet.

Specialistët i ISHP theksojnë se situata e fruthit tanimë është nën kontroll dhe foshnjet e vogla nën 1 vjeç nuk vaksinohen pasi gëzojnë imunitet nga nëna./Top Channel

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!