Alarmon Policia e Kosovës, ja sa njerëz u trafikuan për një vit – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

Alarmon Policia e Kosovës, ja sa njerëz u trafikuan për një vit

17:14 | 18 Tetor 2018

Trafikimi me qenie njerëzore në Kosovë ka marrë përmasa alarmante.

Për 9 muaj, janë arrestuar 225 persona të dyshuar për trafikim me njerëz dhe marrjen e shërbimeve seksuale nga këto viktima të trafikimit.

Sipas Policisë së Kosovës për këtë dukuri, me anë të të cilave është bërë e ditur se ka pasur gjithsej 14 viktima të trafikimit, 12 prej tyre nën moshën 18-vjeçare. Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, të publikuar në qershor të këtij viti, është lëshuar alarmi për Kosovën se korrupsioni po krijon mjedis për trafikimin me njerëz. Në këtë raport, u pat kritikuar edhe Qeveria e Kosovës, duke thënë se nuk i plotëson standardet minimale për eliminimin e trafikimit.
Që nga janari i këtij viti e deri në shtator, rastet e trafikimit me njerëz në Kosovë janë mjaftë të shumta.

Policia e Kosovës për Gazetën Express ka treguar të dhënat për rastet dhe numrin e viktimave të trafikimit në periudhën kohore janar-shtator 2018.

Sipas policisë, janë iniciuar 107 raste nën dyshimin për trafikim me njerëz dhe veprave që ndërlidhen me trafikimin.

“Është bërë arrestimi i 225 personave të dyshuar për trafikim me njerëz, marrjen e shërbimeve seksuale nga viktimat e trafikimit dhe veprave tjera penale”, tregon policia për Express.

Për 9 muaj në vend janë identifikuar 14 viktima të trafikimit me njerëz, ku 12 prej tyre dolën të jenë nën moshën 18-vjeçare, 13 prej tyre të gjinisë femërore dhe një i gjinisë mashkullore.

“Janë identifikuar 14 viktima të trafikimit me njerëz, prej tyre 12 kanë qenë nën moshën 18 vjeçare, ndërsa gjinia e viktimave ka qenë 13 femra dhe një (1) mashkull”, thotë Policia e Kosovës.

Në qershor të këtij viti, departamenti amerikan i shtetit, pati lëshuar një alarm për rritjen e numrit të rasteve të trafikimit me njerëz në Kosovë, ku pati thënë se korrupsioni krijon mjedis për të ndodhur trafikimi me njerëz në vend.

Kosova, vazhdon të jenë në grupin e dytë, në një vlerësim që raporti i DASH u bën shteteve duke i ndarë në tri kategori: shtetet, qeveritë e të cilave përmbushin standardet minimale, në të dytën vendet që nuk i përmbushin plotësisht standardet, por që bëjnë përpjekje të mëdha për t’i përmbushur dhe në të tretin janë vendet që nuk i plotësojnë standardet dhe që nuk bëjnë përpjekje.

Raporti pati theksuar se sikurse edhe gjatë viteve të fundit, Kosova vlerësohet si vend burimi dhe destinacioni për viktimat e trafikut, të cilat përdoren në industrinë e seksit, si dhe në punë të detyruar. Pjesa më e madhe e viktimave janë pjesë e trafikimit të brendshëm për shfrytëzim seksual.

“Pjesa më e madhe e viktimave të trafikimit për industrinë e seksit në Kosovë janë vajza, ndonëse grupet kriminale detyrojnë të prostituojnë gra nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia dhe vende tjera evropiane”.

Raporti i DASH ka nxjerr në pah se gratë dhe vajzat janë viktima të trafikimit nëpër shtëpi private, apartamente, klube të natës dhe sallone masazhi.

“Fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet tjera fqinje detyrohen në lypësi. Trafikantët detyrojnë qytetarë të Kosovë në prostitucion dhe punë të detyruar gjithandej nëpër Evropë. Pjesëtarët e grupeve pakicë, romë, ashkali dhe egjiptas, janë viktima të trafikut për shërbime seksuale dhe lypësi të detyruar”, ka alarmuar DASH në raportin për Kosovën.

Raporti ka theksuar se korrupsioni qeveritar krijon mjedis që mundëson disa krime trafikimi. Disa oficerë policie, punonjës të ministrisë së punës dhe zyrtarë të tjerë qeveritar janë akuzuar dhe dënuar për krime të tilla.

Aty u tha gjithashtu se Qeveria e Kosovës nuk i plotëson standardet minimale për eliminimin e trafikut; por po bën përpjekje të dukshme për ta bërë këtë.

“Ajo ka shtuar përpjekjet por vazhdon të mbetet në kategorinë e dytë. Gjykatësit kanë shqiptuar dënime të lehta për trafikantët dhe prokurorët po i trajtojnë rastet e trafikimit si krime më të vogla. Qeveria shkurtoi fondet për strehimoret e Organizatave Joqeveritare duke bërë që njëra syresh të mbyllet përkohësisht”.

Raporti i publikuar në qershor të 2018’ës, ka potencuar se Drejtoria kundër trafikimit në Policinë e Kosovës bashkë me prokurorët, punonjësit social dhe inspektoratin e punës kanë kryer 143 operacione nëpër bare, klube nate dhe sallone masazhi. Po ashtu janë kryer hetime edhe rreth punonjësve qeveritar që mund të ishin përfshirë në vepra trafikimi, por nuk janë raportuar akuza apo dënime.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!