Apetitet e Serbisë shkojnë përtej ndarjes së Kosovës (II) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
20 °C

Apetitet e Serbisë shkojnë përtej ndarjes së Kosovës (II)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

20:31 | 28 Janar 2018

Bisedimet aktuale Kosovë-Serbi, s’janë as më pak, as më shumë, – sesa bisedime për këmbimin e një pjese të sovranitetit të shtetit të Serbisë, në Veri të Kosovës, me një pjesë të sovranitetit të shtetit të Kosovës, në pjesën tjetër të saj dhe anasjelltas. Sa dhe çka, krejt, deri tash, në këto bisedime, i kanë dhënë, përkatësisht, i kanë marrë, nga sovraniteti i tyre, njëra-tjetrës, Kosova dhe Serbia, tashmë dihet. Sa dhe çka, krejt, do t’i japin dhe do t’i marrin ato, njëra-tjetrës, deri në përfundimin e bisedimeve, – mbetet të shihet.
*****
Nga Veriu i Kosovës, Serbia nuk ishte tërhequr as gjatë luftës. Madje, e kamuflluar me të ashtuquajturat “Rojat e Urës“ dhe me bandat e tjera serbe, që shpesh bëhej sikur nuk i kontrollonte, dhe me përkrahjen e një pjese të ndërkombëtarëve, disa prej të cilëve, siç dihet, në mënyrë të hapur, e disa të tjerë në heshtje, – Serbia e ka ushtruar plotësisht sovranitetin e saj edhe pas luftës, deri sot e gjithë ditën, në Veri të Kosovës, por apetitet e saj nuk kanë përfunduar këtu. Ato shtrihen në gjithë territorin e Kosovës.

Të gjitha zhvillimet e pasluftës, në raportet e Serbisë kundrejt Kosovës, dëshmojnë qartë se tërheqja e detyrueshme e Serbisë nga Kosova, nuk ishte, as është, tërheqje përfundimtare e saj, prej tokave të okupuara shqiptare.
Që nga qershori i vitit 1999, ajo është në fushatë, në shumë fronte dhe në shumë drejtime, për ta kthyer plotësisht prapa, rrotën e historisë më të re të Kosovës.

Kjo do të thotë, pas vendosjes së sovranitetit të saj në Veri të Kosovës, Serbia është në fushatë të pareshtur për kthimin e sovranitetit të saj, edhe në gjithë territorin e Kosovës, pra, jo vetëm në katër komunat me shumicë serbe, në veri të saj, siç po mendohet nga shumëkush, prej shqiptarëve dhe prej ndërkombëtarëve.

Vendosjen e sovranitetit të saj në Veri të Kosovës dhe imponimin e saj si faktorë me ndikim, krahas shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, në rregullimin e brendshëm shoqëror-politik e administrativ në Kosovë, Serbia, e përkrahur nga një pjesë e ndërkombëtarëve, e arriti nën hijen e akuzave të rreme e me propagandë aktive agresive, kundër shqiptarëve, dhe në emër të mbrojtjes së serbëve në Kosovë, kinse të rrezikuar nga shqiptarët.

– Për shumë vjet me radhë, politika serbe dhe, nën ndikimin e saj, edhe një pjesë e ndërkombëtarëve, ikjen masive të serbëve nga Kosova, bashkë me ushtrinë, me policinë dhe me paramilitarët serbë, “nuk e kanë parë“ ashtu siç ishte në realitet, pra, – si pasojë e frikës së tyre për krimet serbe në Kosobë, por, për ikjen e tyre nga Kosova, i kanë fajësuaj, pa të drejtë, shqiptarët, përkundër faktit se, gjatë ikjes së serbëve, shqiptarët ende nuk ishin kthyer në Kosovë(!).

– Për shumë vjet me radhë, politika serbe dhe, nën ndikimin e saj, edhe një pjesë e ndërkombëtarëve, – e kanë “vajtuar“, si në kor, ikjen e serbëve nga Kosova; ndërkohë që shqiptarët e Veriut të Kosovës, para syve të pushtetarëve shqiptarë dhe të ndërkombëtarëve, – janë dëbuar, si në kohë lufte, nga shtëpitë dhe nga pronat e tyre, në Veri të Kosovës.

– Për aq vjet me radhë, ankesat dhe „vaji“ i Serbisë dhe i një pjese të ndërkombëtarëve, për jetën e “pasigurt“ të serbëve, që ishin të mbrojtur nga PK-ja, UNMIK-u, KFOR-i dhe nga organizata të tjera vendore e ndërkombëtare, në brendësi të Kosovës, – janë dëgjuar deri në KS të OKB-së; ndërkohë që për jetën e pasigurt të shqiptarëve, në Veri të Kosovës, krejtësisht të pambrojtur, të lënë në mëshirën e bandave serbe, – nuk është folur as në institucionet tona, në Prishtinë.

– Për aq vjet me radhë, institucionet vendore, organizatat ndërkombëtare (dhe Serbia me “investime“ speciale kundër kthimit), – janë përpjekur dhe kanë investuar aq masivisht, për kthimin e serbëve të shpërngulur, në vendet nga kishin ikur; ndërkohë që për kthimin e shqiptarëve, në shtëpitë dhe në pronat e tyre, në Veri të Kosovës, – nuk ishte bërë asnjë përpjekje, asnjë investim, madje as nuk flitej për kthimin e tyre.

– Për aq vjet me radhë, për moskthimin e serbëve të shpërngulur, në vendet nga kishin ikur, raportet e Serbisë dhe të UNMIK-ut, që arrinin deri në KS të OKB-së, – i akuzonin shqiptarët; ndërkohë që për moskthimin e shqiptarëve, në shtëpitë dhe në pronat e tyre, në Veri të Kosovës, – jo vetëm që nuk akuzoheshin bandat serbe, por as nuk flitej, as në Prishtinë, përkundër faktit që jeta e tyre, në Veri të Kosovës, ishte pakrahasimisht më e pasigurt, se jeta e serbëve, në brendi të Kosovës.

– Për aq vjet me radhë, edhe incidentet e rastit ndër serbët në Kosovë, pa filluar mirë as hetimet për to, – Serbia dhe një pjesë e ndërkombëtarëve i kanë fryrë, ato ua kanë mveshur shqiptarëve dhe, si të tilla, kanë arritur t’i bëjnë objekt debatesh edhe në KS të OKB-së(!); ndërkohë që për incidentet ndër shqiptarët, në Veri të Kosovës, – nuk debatohej as në instucionet e Prishtinës.

Me këto akuza të rreme e me propagandë aktive agresive kundër shqiptarëve, e përkrahur, pra, edhe nga një pjesë e ndërkombëtarëve, disa prej të cilëve, siç dihet, në mënyrë të hapur, e disa të tjerë në heshtje, Serbia arriti t’i kthejë reflektorët e KFOR-it, të UNMIK-ut, të EULEX-it, të BE-së dhe të SHBA-së, – pa i përmendur këtu Rusinë e vendet e tjera, – kah “rrezikimin“ i jetës së serbëve në Kosovë; ndërkohë që ajo vetë, pa zhurmë e pa bujë, larg syve e vëmendjes së ndërkombëtarëve, i ktheu kontrollin dhe sovranitetin e plotë të saj, në Veri të Kosovës.

Kosova, kështu, u bë realisht me dy sovranitete: sovraniteti i plotë, i pakufizuar i Serbisë, në Veri të Kosovës, dhe sovraniteti i shqiptarëve, i kufizuar e i kontrolluar nga ndërkombëtarët, në pjesët e tjera të territorit të Kosovës.

Megjithë sovranitetitn e plotë (pra, pa praninë e KFOR-it, të UNMIK-ut e të EULEX-it), në Veri të Kosovës, dhe me përkrahjen e një pjese të ndërkombëtarëve, – për shkak të interesave të mëdha, aktuale, dhe për shkak të apetiteve të saj, në të ardhmen, në gjithë Kosovën, – Serbia nuk e ka ndarë, edhe formalisht, Veriun e Kosovës, nga pjesa tjetër e saj, të paktën, për dy arsye:

E para, sepse, pa kufinj formalë, lëvizja e njerëzve dhe e mallërave në drejtimin jug-veri, është e kufizuar dhe kontrollohet nga Serbia; ndërkohë që lëvizja e njerëzve dhe e mallërave në drejtimin tjetër, veri-jug, është e pakufizuar dhe s’mund të kontrollohet nga autoritetet e Kosovës.

E dyta, sepse, pa kufinj formalë, Veriu i Kosovës formalisht është pjesë e Kosovës, por, meqenëse ai faktikisht kontrollohet nga Serbia, praktikisht nuk mund të kontrollohet edhe nga institucionet e Kosovës. Ky fakt, pastaj, merret si dëshmi për paaftësinë e institucioneve tona për qeverisjen e Veriut të Kosovës.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për krimet në Veri të Kosovës. Ato, fare leht mund të jenë të organizuara, apo të kontrolluara nga Serbia, por për moszbardhjen e tyre akuzohen, për paaftësi, institucionet e Kosovës.
*****
Institucionet e Kosovës janë qenësisht të interesuara për shtrirjen e sovranitetit shtetëror, krahas pjesës tjetër të vendit, edhe në pjesën e territorit të vet, në Veri të Kosovës. Por, po aq e interesuar, për shtrirjen e sovranitetit të saj shtetëror, krahas Veriut të Kosovës, edhe në gjithë territorin e saj, që ende e konsideron pjesë të saj, – është edhe Serbia.

Në kushtet dhe në rrethanat aktuale, në radhë të parë ndërkombëtare, dhe për arsye që tashmë dihen, Kosova nuk ka arritur ta shtrijë sovranitetin e saj shtetëror, edhe në Veri të Kosovës, në përputhje me të drejtën e saj legale dhe legjitime, ashtu siç nuk ka arritur as Serbia, ta shtrijë sovranitetin e saj shtetëror, krahas Veriut të Kosovës, edhe në gjithë territorin e saj, në përputhje me apetitet dhe pretendimet serbe, për zgjerimin e kufinjve të shtetit serb, në dëm të tokave të shqiptarëve.

Për pajtimin e këtyre dy gjysmë sovraniteteve, brenda territorit të Kosovës, ndërkombëtarët i kanë detyruar Kosovën dhe Serbinë, të ulën rreth tavolinës së bisedimeve, në Bruksel, por bisedieve Kosovë-Serbi, siç po duket, ende nuk po iu shihet fundi.

Bisedimet aktuale Kosovë-Serbi, pra, s’janë gjë tjetër; s’janë as më pak, as më shumë, veçse bisedime për këmbimin e një pjese të sovranitetit të shtetit të Serbisë, në Veri të Kosovës, me një pjesë të sovranitetit të shtetit të Kosovës, në pjesën tjetër të saj dhe anasjelltas.

Sa, deri tash, në këto bisedime, kanë hequr dorë serbët nga sovraniteti i shtetit të tyre, në Veri të Kosovës (- në dobi dhe në ineres të shtetit të Kosovës), dhe sa kanë hequr dorë shqiptarët nga sovraniteti i shtetit të tyre, në pjesën tjetër të Kosovës, ( -në dobi dhe në interes të shtetit të Serbisë), ose, më thjeshtë, – sa dhe çka, krejt, deri tash, në këto bisedime, i kanë dhënë, përkatësisht, sa dhe çka i kanë marrë, nga sovraniteti i tyre, njëra-tjetrës, Kosova dhe Serbia, tashmë dihet. Sa dhe çka, krejt, do t’i japin dhe do t’i marrin ato, njëra-tjetrës, deri në përfundimin e bisedimeve, – mbetet të shihet.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!