Autostrada “Arbën Xhaferi”, përurohet segmenti i tretë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
13 °C

Autostrada “Arbën Xhaferi”, përurohet segmenti i tretë

13:42 | 14 Qershor 2018

Sot,në Doganaj të Kaçanikut, me praninë e aktorëve shtetëror dhe korit diplomatik të akredituar në vendin tonë dhe qytetarëve të kësaj ane, u përurua segmenti i tretë i Auto-udhës R6, “Arbën Xhaferi”, Prishtinë-Hani i Elezit, me gjatësi prej rreth njëmbëdhjetë kilometrash, segment ky që është i parafundit deri në përfundim të kësaj auto udhë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke iu adresuar të pranishmëve me një fjalë rasti, dhe duke promovuar kampanjën “JO SHPEJTËSISË, PO SIGURISË”, ka theksuar rëndësinë e kësaj autostrade, e cila siç pohoi ai, është jo vetëm një autoudhë që shkurton distancën ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit, por edhe një lidhje ndërmjet kulturës, artit, bukurive natyrore të vendit dhe zhvillimit ekonomik, të qyteteve dhe qytetarëve që gravitojnë në këtë pjesë të Kosovës.

“Nën moton, “JO SHPEJTËSISË, PO SIGURISË”, kampanjë e cila ka për qëllim vetëdijesimin për vozitje të sigurt të pjesëmarrësve në komunikacion , jemi takuar në ketë ditë të veçantë, që të bëjmë përurimin e këtij segmenti prej rreth 11 kilometrave të Autostradës “Arbën Xhaferi”, që i bie të jetë segmenti i parafundit, ku do të përmbyllet i tërë projekti në fund të këtij viti. Sot, ashtu si para shtatë muajve, kur u bë inaugurimi i segmentit nga fshati Babush deri në Bibaj të Ferizajt, jemi akoma më të lumtur që me buxhetin e vendit po përmbyllim gradualisht edhe një projekt gjigant dhe shumë domethënës për vendin, për ekonominë dhe lidhjet e tij me korridore.

Jemi duke shkuar drejtë kompletimit të kësaj autostrade, e cila Kosovën e bënë më të plotë, e mbushë me më shumë potencial e energji për ardhjen e investitorëve, e do të jetë lehtësim për qarkullim të njerëzve dhe ekonomisë së tyre.
Sot po mundësojmë një qasje direkte dhe të lehtë për bukuritë e Brezovicës tonë, Kaçanikut piktoresk, për Ferizajn si qytet i tregut, për Vitinë e bujqësisë e të bukurive natyrore, për Lipjanin e lashtë e me vlera kulturore. Sot po e afrojmë kryeqytetin tonë, Prishtinën, me ketë regjion dhe anasjelltas”, tha ministri Lekaj.

Lekaj ka thënë se rrugët që po ndërtohen në vendin tonë janë rrugë me standarde dhe siguri të lartë dhe se ato mundësojnë lidhjen e ekonomisë vendore me ekonomitë e vendeve fqinje dhe atë të Bashkimit Evropian, duke saktësuar se këto rrugë janë duke u ndërtuar sipas standardeve të TENT-it dhe se nënkuptojnë më shumë vende pune për qytetarët tanë.

“Këto rrugë, me standarde e siguri të lartë, e bëjnë të mundur që Kosova të zhvillohet ekonomikisht, e në të njëjtën kohë po mundësohet lidhja e ekonomisë së saj me vendet fqinje, por edhe me ato të BE-së. Ne po ndërtojmë rrugë sipas standardeve TENT-it. Këto rrugë që dikur ishin të gjata brenda për brenda Kosovës, sot po transformohen në rrugë që na dërgojnë më shpejtë në rajon dhe në Evropë. Këto investime, nënkuptojnë më shumë vende pune për qytetarët e vendit tonë, më shumë mundësi për zhvillim të biznesit, nënkuptojnë më shumë mishërim dhe arritje bazuar në vlerat evropiane që i ka si synim Kosova”, tha Lekaj para të pranishmëve.

Ministri Lekaj, në fjalën e tij ka shprehur falënderim dhe vlerësim për punën e palodhshme të të gjithë djemve dhe vajzave që çdo ditë punojnë në këtë projekt, duke premtuar se shumë shpejtë do të përurohet edhe ura e gjatë 5.7 kilometra, që është në ndërtim e sipër në këtë autostradë. Ministri Pal Lekaj, po ashtu u zotua se do të bëjë çdo gjë që është në dorën e tij dhe të ministrisë që ai drejton, që brenda mandatit katër vjeçar, ta përmbyllë tërë infrastrukturën rrugore të vendit.

“Ne sot po përurojmë një punë e angazhim të palodhshëm të shumë djemve e vajzave që punojnë çdo ditë këtu. Ne prapë së shpejti do të jemi bashkë, për të përuruar urën më të gjatë dhe me piktoreske në rajon, një arkitekturë e bukur dhe e qëndrueshme që i jep domethënie krejt këtij investimi.

Sot, çdo fjalë është e tepërt, sot kjo pamje që po promovojnë natyrën e bukur të Kosovës, flet vetë. Nga ky vend zotohemi, ashtu siç e kemi thënë që në fillim të mandatit tonë që do të bëjmë çdo gjë që është në dorën tonë si ministri, me mbështetjen edhe të Kryeministrit, të Qeverisë, e të partnerëve tanë strategjik, që brenda këtij mandati katër vjeçar, Kosova të përmbyllet sa i përket infrastrukturës rrugore, të rrugëve të mëdha dhe me krejt standardet e nevojshme.

Duke ju thënë urime të gjithëve kjo ditë, e meqë jemi në prag të festës së Fitër Bajramit, për të gjithë qytetarët e Kosovës, urime kjo festë dhe na priftë e mbara!”, tha në fund të fjalës së tij ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Të pranishmëve me fjalë rasti iu adresuan edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të cilët kanë folur për rëndësinë e kësaj autostrade dhe për rëndësinë e investimeve në infrastrukturë, si lidhje e Kosovës me rajonin, Evropën dhe botën.

Më pas ministri Lekaj i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, kanë vizituar segmentin prej një kilometri deri në pikën doganore, segment ky që është përfunduar në kohë rekorde prej dy javësh dhe që ka lehtësuar shumë qarkullimin e automjeteve dhe qytetarëve tanë drejt dhe nga Maqedonia.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!