Kosova rrezikon t’i humbet 2.6 milionë euro – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
13 °C

Kosova rrezikon t’i humbet 2.6 milionë euro

20:50 | 05 Maj 2018

Tre vjet më parë Agjencia Qendrore e Prokurimit kishte nisur për herë të parë zhvillimin e prokurimit të centralizuar, i cili kishte për objektiv kursimin e buxhetit të shtetit.

Por, një raport i auditimit i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm konstaton se kjo iniciativë rrezikon t’i kushtojë buxhetit të Qeverisë së Kosovës, me humbje prej 2.6 milionë eurosh, raporton KTV.

Krejt kjo si pasojë e realizimit të ulët, përkatësisht mosarritjes së pragut prej 70 % të vlerës së kontraktuar.

Analiza e pamjaftueshme e kontratave paraprake (individuale) të autoriteteve kontraktuese dhe mungesa e çfarëdo forme të hulumtimit të tregut, kishte për pasojë kontraktimin e çmimeve më të shtrenjta se sa ato të arritshme në treg, janë disa gjetjet në raportin e auditimit të zyrës së Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës.

Vetëm gjatë vitit 2016, Agjencia Qendrore e Prokurimit kishte nënshkruar kontrata në vlerë prej 44 milionë eurosh.

Kjo agjenci, në periudhën 2015 -2016 kishte iniciuar tetë procedura të centralizuara të prokurimit, të cilat kanë rezultuar me 13 kontrata për artikuj të përdorimit të përbashkët.

Në kontratat e analizuara të Agjencisë Qendrore të Prokurimit auditori konstaton se për 16 muaj të zbatimit të kontratës për furnizim me letër, janë shpenzuar rreth 400 mijë euro, duke u realizuar kështu më pak se 10 % e vlerës së kontratës.

Edhe në kontratën për furnizimi me material zyrtar për rreth 16 muaj kontrata ishte realizuar vetëm 16% .

Nga të gjitha këto gjetje, auditori ka konstatuar se AQP-ja ka mangësi substanciale në menaxhimin e procesit të prokurimeve të centralizuara, në veçanti me hulumtimin e tregut dhe monitorimin e implementimit të kontratave.

Auditori në këtë raport kërkon nga qeveria që ta rishikojë udhëzimin administrativ për prokurimet e centralizuara, dhe të punojë me autoritetet kontraktuese për të përmirësuar çështjet operative (komunikimin) në raport me Agjencinë Qendrore të Prokurimit, duke i obliguar ato që t’u përgjigjen të gjitha kërkesave të saj në lidhje me kontratat e centralizuara.

Prokurimi publik është një nga fushat që merr pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit.

Shpenzimet përmes prokurimit publik, janë vazhdimisht në rritje.

Në katër vjetët e fundit, përmes prokurimit janë shpenzuar mesatarisht 497 milionë euro.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!