Cilësia e prodhimeve bujqësore po rritet me investimet e institucioneve – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
17 °C

Cilësia e prodhimeve bujqësore po rritet me investimet e institucioneve

15:10 | 05 Tetor 2018

Investimet e institucioneve në agrobizneset vendore do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese. Krahas kësaj, investimet po orientohen edhe në instalimin e teknologjisë moderne në prodhimin dhe përpunimin e produkteve bujqësore.

Kështu u tha sot në manifestimin tradicional “Dita e patates”, i cili u mbajt në fshatin Pestovë të komunës së Vushtrrisë, ku morën pjesën Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, Sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi, Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, si dhe fermer të këtij rajoni.

Me këtë rast, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka premtuar se do të rritet mbështetja për agrobizneset vendore, si përmes granteve dhe subvencioneve e po ashtu edhe do të krijohen lehtësira në politikat fiskale, me qëllim të rritjes së prodhimtarisë bujqësore.

“Qeveria e Kosovës i ka të qarta obligimet e saj, që të sigurojë mbështetje të plotë për bizneset vendore. T’i përkrah ato, jo vetëm me subvencione, por edhe me lehtësirat e kërkuara fiskale dhe me masa të tjera, që prodhimet kosovare të mund të depërtojnë në tregjet ndërkombëtare”, tha kryetari Veseli.

Ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo, ka thënë se patatja është një nga produktet që për disa vjet ka arritur që të prodhohet mjaftueshëm për tregun vendor dhe me këtë produkt ai tregoi se po arrijmë që t’i plotësojmë nevojat e konsumit vendor që është një qellim që synohet të arrihet edhe në produktet tjera, si pemët e perimet.

“Ministria e Bujqësisë, e ka mbështetur prodhimin e patates për vite me radhe, dhe kjo mbështetje do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme përmes skemës së subvencioneve dhe granteve. Kjo mbështetje e ministrisë po ndikon në zhvillimin e kompanive, të cilat përmes investimeve të ministrisë po arrijnë të sjellin në tregun vendor produkte cilësore të papate4s e të kulturave tjera bujqësore”, ka thënë ministri Rikalo.

Ndërkaq, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se kultivuesit e patates do ta kenë mbështetjen nga pushteti lokal për avancimin e mëtejmë të bujqësisë në këtë komunë, në veçanti të patates si prodhim unik në këtë zonë.

Po ashtu, me rastin e shënimit të kësaj dite, kompania për prodhimin dhe përpunimin e patates “Pestova”, ka inauguruar qendrën për grumbullimin dhe ruajtjen e patates, ndërtimi i së cilës është përkrahur nga grantet e MBPZHR-së.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural çdo vit subvencionon fermerët kultivues të patates me nga 300 euro për hektarë dhe mbështetet këtë sektor edhe përmes granteve investive. Ndërkaq, në gjithë territorin e Kosovës, sivjet kanë qenë të mbjella 6071.6 hektarë me kulturën e patates.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!