Çka është Gjykata Speciale dhe cilat krime do t’i gjykoj! – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Çka është Gjykata Speciale dhe cilat krime do t’i gjykoj!

23:34 | 20 Janar 2018

Si u themelua dhe si funksionon Gjykata Speciale për krimet e luftës në Kosovë?

Në Kosovë quhet Gjykatë Speciale dhe në përgjithësi kështu e quan gjithë shtypi shqiptar. Në tekstet në gjuhën gjermane përdoret termi Gjykata e posaçme e OKB-së. Në tekstet në gjuhën angleze përdoret Gjykata e krimeve të luftës. Faqja e internetit e vetë gjykatës përdor në shqip “Dhomat e Specializuara” dhe “Zyra e Prokurorit të Specializuar”. Në fakt nuk ekziston asnjë precedent i qartë ligjor.

Çfarë është Gjykata speciale?

Gjithçka filloi në dhjetor 2010 me raportin e përgatitur për Këshillin e Evropës, për “trajtimet çnjerëzore dhe trafikimin me organe” në Kosovë, të quajtur raporti i Dick Marty-t. Mbas miratimit të raportit, EULEX krijoi një Forcë Speciale për hetimet (SIFT). Kosova nënshkroi më pas me BE-në një marrëveshje ku zotohej për zbatimin e shtetit ligjor. Marrëveshja u kthye në ligj pas miratimit nga Parlamenti i Kosovës në gusht 2015. Kështu u hap rruga për të krijuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Taskforca u bë pjesë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në shtator 2016, kur u bë emërimi i Prokurorit.

Në fakt u krijuan dy institucione të ndara dhe të pavarura: Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara. Të dy këto institucione kanë mandat për pesë vjet dhe janë me seli në Hagë.

Dhomat e Specializuara përbëhen nga administrata dhe Gjykatat e Specializuara. Dhomat i bashkangjiten sistemit gjyqësor në Kosovë në të gjitha nivelet. Çka do të thotë se Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme në Kosovë do të kenë nga një Dhomë të Specializuar që do merret me krimet.

Cilat krime?

Ndërkohë që është e vështirë të kuptosh strukturën e Gjykatës, është shumë e qartë për çfarë krimesh bëhet fjalë. “Zyra e Prokurorit të Specializuar që drejtohet nga Prokurori, ndjek penalisht krime që përfshihen në juridiksionin e Gjykatës dhe përcaktohen me ligj. Ato janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në vitet 1998, 1999 dhe 2000, në atë territor ku sot shtrihet Republika e Kosovës, të kryera nga njerëz që i kap ligji, krime për të cilat është raportuar në raportin e Dick Marty-t”, thotë Christopher Bennett, zëdhënës i SIFT.

Ndjekja e krimit quhet politizim?

Lidhur me akuzat për politizim, Christopher Bennett, i tha Deutsche Welle-s: “Prokurori i Specializuar dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar bazohen tek ligji dhe tek faktet. Puna e tyre nuk influencohet nga etniteti, orientimi politik ose nga çështje që lidhen me pavarësinë e Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar drejtohet krejtësisht nga përgjegjësia, që të nxjerrë para ligjit me një proces të drejtë të gjithë ata që kanë kryer krime, që përfshihen në juridiksionin e saj. Këto procese gjyqësore do të zhvillohen jashtë Kosovës, siç e parashikon ligji, në mënyrë që të sigurohet mosndikimi nga politika. Duke aprovuar ligjin, Kosova pranoi bashkëpunimin për zbatimin e shtetit juridik dhe trajtimin jopolitik të raportit të Marty-t. Kjo është diçka që Prokurori dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e marrin shumë seriozisht”, ve në dukje zëdhënësi Christopher Bennett.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!