Çmimi i lartë i dy njohjeve të Kosovës – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Çmimi i lartë i dy njohjeve të Kosovës

Shkruar nga: Shemsi Reçica

08:40 | 06 Prill 2018

Njohjet e Kosovës nga Mali i Zi dhe nga Turqia, u patën vlerësuar nga të gjithë shqiptarët, pa asnjë përjashtim, – si një fitore e madhe për Kosovën, por ato, tani vonë, po rezulton të kenë qenë dhe të jenë si fitorja e Pirros, ose “dardhë me bisht“, siç thuhet në popull. Kosovës do t’i mjaftonte qoftë edhe vetëm një njohje tjetër, si këto, p. sh. njohja e saj nga Serbia, për të mbetur përfundimisht – shtet i çalë, në paterica, pra shtet jo funksional.

Njohja e Kosovës nga Mali i Zi dhe të qenët e Malit të Zi në NATO, janë dy premisat kryesore, që u përdorën gjerësisht nga një kolonë e gjatë shqiptare (lidershipi ynë, dy qeveritë dhe dy legjislaturat e fundit të Kuvendit të Kosovës, pa LVV-në, ASHAK-ja, shoqëria civile, mediat, opinionistët, madje edhe një pjesë e madhe e qytetarëve dhe e studentëve(!) të Kosovës), – për të argumentuar se Mali i Zi është mik i respektuar i Kososvës dhe se malazeztë janë miq të respektuar të shqiptarëve.

Rrjedhimisht, Kosova-“mirënjohëse“ për njohjen e saj nga Mali i Zi dhe për “respekt“ të të qenët të tij në NATO, u detyrua të paguajë çmim të lartë. Ajo, me votën e lirë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, siç u tha, pa LVV-në, e ratifikoi Marrëveshjen e Demarkacionit dhe, kështu, – ia “dha“, ia “fali“ 8200 hektarë – tokë të saj, Malit të Zi(!).

Pothuaj njëjtë, pra me disa dallime, është vepruar edhe me Turqinë. Njohja e Kosovës nga Turqia, e dyta pas SHBA-ve (të QENËT E TURQISË NË NATO, S’ËSHTË PËRMENDUR fare, as për “respekt“, si në rastin e Malit të Zi), është premisa kryesore e erdoganistëve shqiptarë për të argumentuar se turqit janë miq të respektuar të shqiptarëve, se Turqia është mike e respektuar e Kosovës dhe se, prandaj, sipas tyre, dorëzimi në Turqi, i gjashtë “gylenistëve“ turq, që jetonin e punonin ligjshëm në Kosovë, është i drejtë dhe i arsyeshëm.

Pra, edhe për njohjen e saj nga Turqia, Kosova-mirënjohëse u detyrua të paguajë, si në rastin me Malin e Zi, një çmim të lartë, por të një lloji tjetër: shkeljen e konventave ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut e të qytetarit; shkeljen e ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës dhe shkeljen e traditës së lashtë shqiptare, për besën dhe për mikun.

Për dallim nga rasti “Demarkacioni“ me Malin e Zi, të cilit, siç dihet, i kishin paraprirë debate të ashpra e të zhurmshme, për gati tri vjet, rasti “Gylenistët“ filloi dhe përfundoi në heshtje të plotë, larg opinionit, për më pak se tri orë(!), duke lënë një tymtajë të dendur prapa tij, të përcjellë me debate të qeta hipotetike, kryesisht. Por, ky s’është dallimi kryesor ndërmjet rasteve “Demarkacioni“ dhe “Gylenistët“.

Derisa për rastin “Demarkacioni“ dihet, pothuaj, gjithçka, – për rastin “Gylenistët“, ndërkaq, përveç si diversion kundër Kosovën, që e ka dëmtuar rëndë sigurinë, jo vetëm të shtetasve të huaj, por edhe të qytetarëve të saj, deri tash – s’mund të thuhet, pothuaj, asgjë e sigurt.

Si rrjedhim logjik, në shkëmbim të një pjese të territorit të Kosovës, p. sh. veriu i saj, si në rastin “Demarkacioni“, ose në shkëmbim të shkeljes së Kushtetutës së Kosovës, p.sh. rasti “Asociacioni“-varianti serb, si në rastin “Gylenistët“, – në të ardhmen mund të pritet edhe njohja e Kosovës nga Serbia.

Këtë njohje, pastaj, lidershipi ynë do ta vlerësonte si sukses të madh të tij dhe fitore të shqiptarëve(!), pavarësusht faktit që, Kosova, kështu, përfundimisht do të mbetej shtet i qalë, në paterica, pra shtet jofunksional.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!