“Dallaveret” me minierën e “Kosovës së Re”, ndryshon sërish lokacioni – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
18 °C

“Dallaveret” me minierën e “Kosovës së Re”, ndryshon sërish lokacioni

10:18 | 02 Tetor 2018

Me 10 gusht Qeveria e Kosovës ia ndërroi kahjen minierës së termocentralit “Kosova e Re”, duke e pozicionuar në fshatin “Lismir” të Fushë Kosovës. Por pa përfunduar dy muaj Qeveria ka marrë një vendim të dytë, duke vendosur sërish për minierën ekzistuese “Sibovci Jugperëndim”. ORAinfo merr vesh se ndërrimi sërish i lokacionit u bë ani pse është angazhuar një kompani për verifikim të qymyrit në “Lismir”.

Shkruan: Agon Sinanaj

Pa përfunduar analizat e qymyrit në lokacionin “Lismir” të Fushë Kosovës, Qeveria e  Kosovës ia ka ndërruar për herë të dytë brenda dy muajsh kahjen minierës së termocentralit  “Kosova e Re”, e cila do të jetë në dispozicion pasi të ndërtohet termocentrali i ri.

ORAinfo ka siguruar vendimin e Qeverisë të datës 18 shtator, përmes të cilit anulohet vendimi paraprak i marrë në me 10 gusht, e i cili thoshte se lokacioni për minierën e re do të jetë në Fushë Kosovë.

“Plani kryesor xehetarë për minierën e re për nevojat e kapaciteteve të reja gjeneruese elektrike të tashme dhe të ardhshme të jetë versioni N1, siç është definuar edhe nga operatori ekonomik Mibrag (konsulent i KEK)”, thuhet në vendimin e Qeverisë të nënshkruar nga kryeministri Haradinaj.

Ky opsion përfshin minierën ekzistuese “Sibovci Jugperendim”, por me front të kufizuar, pa përfshirë këtu hapësirën ku janë të ndërtuara shtëpitë në fshatin Hade, e që shpronësimi i tyre kushton shumë shtrenjtë.

ORAinfo në një hulumtim të sajin pati shkruar se vendimi për ndërrimin e lokacionit në fshatin “Lismir”, ishte bërë përkundër faktit se KEK-u kishte propozuar që varianti më i mirë është vazhdimi në minierën ekzistuese “Sibovci Jugperendim”.

Tender milionësh për variantin në “Lismir”

ORAinfo merr vesh se ndërrimi i lokacionit të minierës për një kohë kaq të shkurtër nuk do të jetë pa kosto për buxhetin e shtetit. Tashme është angazhuar një kompani për verifikim të rezervave të qymyrit në fshatin “Lismir”, por ende pa u kryer analizat Qeveria e kthej sërish lokacionin e mëparshëm, pra në minierën ekzistuese “Sibovci Jugperëndim”.

“Shpimet kanë filluar për lokacionin në Lismir. Kompania ka dal në terren po nuk janë kryer ende analizat për verifikim të qymyrit. Ndërrimi i kahjes së minierës sërish hap dyshime të forta rreth krejt procesit”, ka thënë për gazetën një burim i afërt me ketë proces.

Ai ka thënë se dyshimet janë që minierës i është ndërruar kahja në gusht me qëllim të shpalljes se një tenderi milionësh për variantin e “Lismirit”, me qëllim që më vonë të vendoset për minierën ekzistuese, siç edhe ka ndodhur.

ORAinfo, në hulumtimin e saj, pati shkruar se në fshatin Lismir, në zonën ku po synohet të hapet miniera e re, KEK-u ndër vite ka hedhur dheun e mbledhur nga minierat ekzistuese. Në bazë të dokumenteve të siguruara, Qeverisë për këtë variant do t’i duhet të shpall tender milionësh për heqjen e dheut si dhe do të shkojnë deri në 10 vite para se miniera të jetë e gatshme për nxjerrjen e qymyrit.

Edhe KEK-u kishte propozuar minierën ekzistuese

Kundër këtij variantit në “Lismir” kishte dal edhe vetë Korporata Energjetike e Kosovës.

Në një analizë të Komitetit të krijuar nga kryeministri, një kopje të të cilës e ka siguruara ORAinfo, të datës 6 prill, variant i vazhdimit të minierës ekzistuese përmendet si më i përshtatshëm.

“Komiteti unanimisht propozon që fusha më e favorshme në aspektin tekniko-teknologjik është Varianti – Veri N.3.2, ku përfshihet fshati Hade, me kusht që Qeveria të garantojë zhvendosjen e fshatit Hade në vitet 2018/19”, thuhet në këtë analizë.

Komiteti në letrën e tij, për kryeministrin përmend një mori arsyesh pse duhet të vendoset për këtë variant.

“Fronti i hapur për tërë gjatësinë e shkallës në djerrinë dhe qymyr në jug dhe perëndim. Nga aspekti teknologjik sipas gjendjes ekzistuese shumë shpejt arrijmë deri të krijimi i rezervave të mjaftueshme të qymyrit për furnizim në kontinuitet. Kualiteti i qymyrit i përmbush parametrat e kërkuara. Rrugë me të shkurtra transportuese. Mirëmbajtje më pak e kushtueshme etj.”

Në fund të analizës, Komiteti edhe njëherë saktëson se duke u bazuar në të gjitha këto, “përcaktohemi për variantin e Fushës Veriore dhe propozojmë që variant më i favorshëm për Minierën e Re është përfshirja e fushës Hade”.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!