Dështon ministri Endrit Shala, pompat e derivateve të naftës fshehin çmimin – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Dështon ministri Endrit Shala, pompat e derivateve të naftës fshehin çmimin

14:02 | 11 Shkurt 2019

Javë me parë ministri i Tregtisë, Endrit Shala ka marrë vendim përmes të cilit urdhëronte operatoret ekonomik që shesin derivate që në çdo pikë shitëse të vendosin tabelat treguese të çmimit të këtyre produkteve.

Foto: Vendimi i nënshkruar nga ministri Endrit Shala

Por ky vendim i ministrit Shala nuk po respektohet nga disa pompa të derivateve të naftës. Disa pika të ‘Kastrati Grup’ dhe ‘Italian Petrol’ nuk po e respektojnë këtë vendim, duke mos shfaqur çmimin e derivateve, shkruan ORAinfo.

Në një hulumtim disa ditor nga gazetari i ORAinfo është vërejtur se pika e derivateve të naftës të ‘Kastrati Grup’ në magjistralen Prishtinë-Fushë Kosovë, për disa ditë e ka mbajtur të fikur tabelën ku shfaqen çmimet e derivateve të naftës dhe benzinës.

Foto: Pompa e derivateve ‘Kastrati Grup’ rruga: Prishtinë-Fushë Kosovë

Këtë e dëshmojnë edhe fotot e bëra nga vendi i ngjarjes. ORAinfo ka pritur disa javë përgjigje nga kjo Kompani, se pse nuk po i shfaq çmimorët e derivateve ashtu siç kërkohet me vendim të Ministrisë së Tregtisë, por kjo kompani ka zgjedhur rrugën e heshtjes.

Foto: Pompa e derivateve ‘Kastrati Grup’ rruga: Prishtinë-Fushë Kosovë

Neglizhencë ndaj vendimit të ministrit Endrit Shala ka shfaqur edhe kompania tjetër e derivateve të naftës ‘Italian Petrol’. Kjo kompani në pikën e saj të parku i qytetit në Prishtinë nuk ka vendosur fare tabelë përmes të cilës do t’i njoftonte qytetarët për çmimet e naftës dhe benzinës.

Foto: Pompa e derivateve ‘Italian Petrol’ të parku i qytetit në Prishtinë

Në këtë Kompani janë arsyetuar se mungesa e tabelës se çmimorës në këtë pikë, ka ndodhur për shkak të lëvizjes së pompës.

“Ne jemi të vetëdijshëm për obligimet tona, prandaj pas pranimit të vendimit të MTI, ne kemi filluar t’i ndërmarrim të gjitha masat për rivendosjen e çmimoreve edhe në ato pak pika ku jemi detyruar t’i largojmë si rrjedhojë e kryerjes së punëve publike, dhe jemi të bindur që këtë obligim do ta kryejmë gjatë ditëve në vijim”, thuhet në përgjigjen drejtuar ORAinfo-s nga ‘Italian Petrol’.

Foto: Pompa e derivateve ‘Italian Petrol’ të parku i qytetit në Prishtinë

ORAinfo ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, se cilat do të jenë dënimet ndaj kompanive të derivateve të naftës që nuk i shfaqin çmimet e derivateve në tabelë, por kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.

Kujtojmë se në Kosovë nafta dhe benzina po vazhdon të shitet me çmime shumë më të lartë se sa standardi i kosovarëve, përkundër se kudo në botë derivatet kanë pësuar rënien më të madhe në çmimin, në dy vitet e fundit.

Madje kompanitë e mëdha të naftës janë akuzuar për marrëveshje të fshehtë për caktimin e çmimit të naftës. Këto dyshime kishin nxitur edhe reagimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kishte paralajmëruar se nëse vërtetohen këto pretendime, do të ketë edhe ndëshkime. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!