Disa intelektualëve serbë u ndalohet hyrja në Mal të Zi, kjo është arsyeja – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

Disa intelektualëve serbë u ndalohet hyrja në Mal të Zi, kjo është arsyeja

23:20 | 01 Nëntor 2018

Republika e Malit të Zi ua ka ndaluar hyrjen disa intelektualëve serbë me arsyen se rrezikonin sigurinë shtetërore

Drejtoria e policisë e Malit të Zi, të enjten ka marrë një vendim sipas të cilit, disa intelektualëve serbë, mes tyre edhe Matija Beçkoviq, u ndalohet hyrja në këtë shtet, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi.

“Kalimi i kufirit, përveç poetit nacionalist serb, Matija Beçkoviç, u është ndaluar edhe historianëve Çedomir Antiq e Aleksandar Rakoviq, si dhe politikanit serb Dejan Miroviq”, thuhet në komunikatë, përcjell VoA.

Eprorëve policorë në kufijtë shtetërorë u është dhënë lista e personave, të cilët nuk duhet të hyjnë në vend, sepse sipas autoriteteve, rrezikojnë sigurinë e Malit të Zi.

Intelektualët serbë, të cilëve u është ndaluar hyrja, kanë qenë paralajmëruar të marrin pjesë në manifestimin proserb me rastin e Kuvendit të Podgoricës, që konsiderohet si datë e hegjemonizmit serb ndaj shtetësisë së Malit të Zi, pas Luftës së Parë Botërore

Shërbimet malazeze të sigurisë vlerësojnë se “personat në fjalë paraqesin rrezik për sigurinë e shtetit, për shkak të qëndrimit armiqësor të tyre ndaj pavarësisë së Malit të Zi”. Sipas këtyre mediave, është spekuluar se në listë mund të jetë edhe Arqipeshvi i Kishës Serbe Irinej, por zyrtarët kanë mohuar që ai të jetë në këtë listë.

Ndërkohë, Kuvendi i Malit të Zi i ka ndërprerë të enjten punimet, pas konfliktit verbal të Kryetarit të Partisë Liberale Andrija Popoviq dhe njërit nga liderët pro serb, Milan Knezheviq.

Më parë deputetët e Kuvendit të Malit të Zi kanë propozuar që të organizohet kolegjiumi, në të cilin do të ftohet përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të kërkohet përgjigja pse 4 intelektualëve serbë u është ndaluar hyrja në Malin e Zi .

Edhe deputeti i Fronti Demokratik, Andria Mandiq, ka kërkuar përgjigje pse Ministria e Punëve të Brendshme ka sjellë një vendim të tillë, sikur fjala të ishte për kriminel e jo për elitën intelektuale, me të cilët krenohet popullsia serbe nga Mali i Zi.

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Branimir Gvozdenoviq,ka theksuar se kjo pikë nuk mund të hapet për debat, sepse nuk është e paraparë në rendin e ditës, ashtu siç kanë kërkuar disa deputetë. “Kemi propozuar organizimin e kolegjiumit, ku do të bisedojmë mbi këtë temë dhe do të ftohen përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të bërë shkëmbimin e informatave”, ka theksuar Gvozdenoviq.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!