Djali i Ekrem Llukës nën hetime për shpëlarje parash – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
28 °C

Djali i Ekrem Llukës nën hetime për shpëlarje parash

11:33 | 09 Gusht 2018

Në mesin e pesë ish-zyrtarëve të kompanisë se sigurimeve “Eurosig”, që po hetohen nga Prokuroria dhe ATK, është edhe Korab Lluka, djali i biznesmenit Ekrem Lluka. Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, Lluka po hetohet nën dyshimet për shpëlarje parash në tregun e sigurimeve. Lluka, aktualisht është drejtor ekzekutiv në kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”

Shkruan: Agon Sinanaj

Korab Lluka, djali i biznesmenit nga Peja, Ekrem Llukës, aktualisht është drejtor ekzekutiv në kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”. Mirëpo Prokuroria Themelore në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, ka nisur hetime të zgjeruara ndaj tij për kohën sa ishte pjesë e një kompanie tjetër të sigurimeve. Fjala është për kompaninë “Eurosig”, pesë zyrtarë të së cilës, përfshirë edhe Llukën, po hetohen nën dyshimet për shpëlarje parash në tregun e sigurimeve.

Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, hetimet janë duke u kryer nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore dhe janë pjesë e një aksioni hetimor të zgjeruar në tregun e sigurimeve.

Lluka, së bashku me pesë zyrtarët tjerë të “Eurosig”, Muhamet Boja, Shkelzen Fetiu, Art Gashi dhe Adrian Batusha, dyshohen për manipulime me rastin e shitjes së sigurimit për vetura. Ata dyshohen për hapjen e bizneseve fiktive, në llogarit e të cilave janë deponuar shuma të majme parash, të cilat më vonë janë përdorur për aktivitete të dyshimta në treg.

Dyshohet se me këto para, agjentët e kompanisë e kanë shitur sigurimin për vetura tek klientët me çmim më të lirë sesa është e përcaktuar me tarifat e BQK-së, të cilat për këtë lloj sigurimi janë fikse.

Krejt kjo duke e shkel konkurrencën lojale në treg.

ORAinfo ka kontaktuar me vartës të Llukës për të marrë versionin e tij lidhur me këto hetime. Mirëpo, nuk kanë kthyer përgjigje përkundër insistimit të gazetës.

“Pyetjet i ka marrë drejtori (Korab Lluka), por nuk e di a do të kthej përgjigje”, ka thënë një zyrtare e kësaj kompanie, pas insistimit të gazetës.

Lluka është djali i biznesmenit pejan Ekrem Llukës. Ai është drejtor në kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”, por vite më parë, përkatësisht në periudhën 2013-2015, për të cilën po hetohet, ka qenë pjesë e “Eurosig”.

ORAinfo ka shkruar ditë më parë se në mesin e atyre që po hetohen është edhe Art Gashi, djali i Zëvendësministrit të Financave nga radhët e AAK-së, Fatmir Gashit.

Edhe ky i fundit aktualisht është drejtor në një kompani të sigurimeve, përkatësisht në “Insig”.
Emrat e bizneseve të dyshimta

ORAinfo ka siguruar një shkresë të lëshuar nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i ATK-së, të datës 30.03.2017, në të cilin konfirmohen këto hetime.

Në dokumentin e ATK- së figurojnë emrat e pesë bizneseve, përmes të cilave dyshohet se “Eurosig” kreu aktivitete të dyshimta. Ato janë: “Qëndrimi Sh.p.k”, Vali 2 Sh.p.k”, “Alesia Sh.p.k”, “Blendi Sh.p.k”, “Dedi-Instal”. Të gjitha këto biznese janë aktive.

“Për bizneset e cekura më lartë, kërkojmë dokumentacionin si në vijim: Faturat e blerjes nga Eurosig SH.A nga bizneset e lartëcekura   ëbashku me fletëpagesat e tyre. Kontratat (marrëveshjet) e bashkëpunimit afarist me këto biznese. Kartelat e blerjes për këto biznese veç e veç”, thuhet në shkresën e ATK-së drejtuar kompanisë “Eurosig”.

Në të njëjtin dokument, ATK i kërkon kompanisë edhe kontratat e punës për pesë të dyshuarit.

“Muhamet Boja, Shkelzen Fetiu, Korab Lluka, Art Gashi, Adrian Batusha. Për personat e poshtëshenuar, kërkojmë kontratat e punës në mes punëtorëve dhe biznesit prej vitit 2013 e deri tani”, thuhet në dokument.

Gazeta ka dërguar pyetje edhe në Bankën Qendrore të Kosovës, për të sqaruar në aspektin ligjor këtë situatë. Kanë thënë se BQK, në bazë të ligjit, vetëm merr masa vetëm kur ka vendim gjykate, por jo edhe në fazën e hetimeve. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!