Drejtorët e IPK-së denoncojnë tek ministri UD Kryeshefen e IPK-së Miradie Kelmendi, thonë se janë kanosur për të suspenduar hetuesin e rastit të Nazim Sahitit – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Drejtorët e IPK-së denoncojnë tek ministri UD Kryeshefen e IPK-së Miradie Kelmendi, thonë se janë kanosur për të suspenduar hetuesin e rastit të Nazim Sahitit

13:24 | 14 Shkurt 2018

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka vazhduar të pranojë letra nga inspektorët e IPK-së, të cilët ankohen për presione, kërcënime dhe ndërhyrje në pavarësinë e punës së tyre për të zhvilluar hetime të pavarura dhe të paanshme ndaj zyrtarëve policor.“Betimi për Drejtësi” ka siguruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, njoftimin të cilin e ka bërë Udhëheqësi i Departamentit të Hetimeve, Burim Raçi, i cili pretendon se ka qenë nën presion të vazhdueshëm dhe është kanosur nga ushtruesja e detyrës së Kryeshefes Miradie Kelmendi.Kjo e fundit, sipas njoftimit të Raçit, rezulton se e ka kërcënuar atë dhe kolegun e tij që ta suspendojnë hetuesin B. Hoxha.

Për më tepër, Raçi në letrën e tij njofton ministrin “në lidhje me disa veprime shumë shqetësuese që janë duke ndodhur në IPK, nga ana e UD Kryeshefes Miradie Kelmendi”.“Me datën 7 shkurt 2018 në emisionin “Betimi për Drejtësi” është shfaqur një emision lidhur me IPK-në gjë i cili nuk më ka pëlqyer aspak, në këtë emision është shfaqur një raport/ankesë e hetuesit B. Hoxha kundër ud. Kryeshefes Miradie Kelmendi… I kam kërkuar shefit të hetuesit B. Hoxha që konsultohu me Udhëzimin Administrativ dhe vepro konform tij pasi që në atë emision bëhej fjalë për ankesën e hetuesit tënd B.

Hoxha” thuhet në letër.Udhëheqësi Burim Raçi njofton ministrin se për të gjitha këto e kishte informuar UD. Kryeshefen Miradie Kelmendi më 9 shkurt 2018, mirëpo sipas tij, ajo më 12 shkurt 2018 në takimin e rregullt me stafin menaxhues iu kishte kanosur, duke i thënë “ose e suspendon ti dhe Dardani, hetuesin B. Hoxha ose unë do të ju suspendoj të dyve”.Sipas Raçit, Miradie Kelmendi me këtë sjellje ka kryer shkeljen e rëndë diskredituese që parashihet me rregullativën e IPK-së. Ai e ka njoftuar ministrin se situata IPK është shumë alarmante, duke kërkuar ndërhyrje në bazë të ligjit në raport me Kryeshefen për të ndalur kundërligjshmërinë në IPK.

Tutje, Burim Raçi ka paraqitur një shqetësim tjetër dhe kanosje, të cilën pretendon se ushtruesja e detyrës së kryeshefes Miradie Kelmendi ja kishte bërë atij dhe për të cilën shkruan se e kishte informuar Kryeshefin Hilmi Mehmeti.“I nderuari ministër po e paraqesë shqetësimin tjetër që është edhe kanosje që do të thotë, ku zonja Kelmendi se, nëse nuk e suspendoni B. Hoxha unë do të ju suspendoj juve dyve Burimin dhe Dardanin pa treguar bazën ligjore se për cilën arsye duhet të suspendohet B. Hoxha por vetëm jep urdhër për suspendim.

I nderuar ministër, IPK është e pavarur nga Policia, mirëpo është në varësi të plotë nga ju, andaj veproni dhe ndaloni këtë keqmenaxhim tendencioz, hakmarrës dhe joprofesional ndaj punonjësve të IPK-së”.Sipas Raçit, Miradie Kelmendi nga roli i saj Ekzekutiv që e ka, ka kaluar në rolin operacional, duke anashkaluar Udhëheqësin e Departamentit të Hetimeve dhe Udhëheqësit e Divizioneve dhe ka kontaktuar direkt me hetuesin lidhur me një rast ku për shkak të natyrës së hetimeve, ai nuk ka dhënë më shumë informacione për rastin tek ministrin, por sipas tij, kjo ka ndodhur më 10 shkurt 2018 ku ai pretendon se ishte anashkaluar nga UD Kryeshefja.

“Kjo kërkesë e UD Kryeshefes për suspendimin e hetuesit B. Hoxha ose nëse nuk e suspendoni ju, unë do të marr veprime kundër juve dyve – Burimit dhe Dardanit është në vazhdimësi të presionit të saj pasi që e njëjta edhe më herët në cilësinë e UD Kryeshefes ka përdorur presione ndaj meje ku e kam informuar Kryeshefin Hilmi Mehmeti me datën 15 janar 2018 në ora 12:15 përmes adresës elektronike zyrtare për këtë presion të saj.”Ndërkaq, në ankesën kundër Miradie Kelmendit drejtuar Kryeshefit Hilmi Mehmeti, Burim Raçi shkruan se në takim me stafin menaxhues të IPK-së, ishte diskutuar lidhur me emailin e hetuesit B. Hoxha, i cili ju kishte drejtuar ministrit Flamur Sefaj lidhur me shqetësimet e tij në Miradie Kelmendin dhe raportimet e fundit, ku disa media i kanë bërë për rastin e rrahjes së Agron Mustafës.“Miradie Kelmendi ishte më e shqetësuar rreth raportimeve të hetuesit B. Hoxha tek ministri se sa me rastin që ka ndodhur më 30 dhjetor 2017, ku i ka interesuar vetëm një çështje, se këto informacione kanë dal nga IPK dhe asgjë më shumë, për këtë i kam kërkuar që të ngritët një komision që të hetoj të gjithë”, shkruan Raçi.

Ai tutje thekson se sa i përket shqetësimeve profesionale lidhur me rastin e Agron Mustafës as që i ka interesuar Miradie Kelmendit, e cila më 5 janar 2018 ia merr rastin hetuesit B. Hoxha për arsye jo të arsyeshme.“Ndërsa mjetet e informimit e plasojnë një informacion rreth hetuesit B. Haxhimustafa, ku në një postim të deputetit Milaim Zeka në rrjetin social facebook ku e denigron dhe e nënçmon Agron Mustafën, në këtë postim hetuesi tjetër B. Haxhimustafa e pëlqen këtë postim. Ku fakt Miradie Kelmendin nuk e shqetëson aspak dhe as që merret me këtë çështje”, shkruan Raçi.Në njoftimin e tij dërguar tek Kryeshefi Hilmi Mehmeti, Burim Raçi shkruan se “diskutimi vazhdon edhe më tutje lidhur me një rekomandim të z. Q. Bytyqi i pasuar nga aprovimi im dhe rekomandimi im, nga unë përmes kryeshefit tek drejtori i përgjithshëm i policisë dhe e njëjta në cilësi të UD Kryeshefes nuk e nënshkruan këtë rekomandim për ndërprerjen e transferim të përkohshëm po i dërgon email prokurores së rastit lidhur me këtë çështje, ku më drejtohet me fjalët se i kam dërguar prokurores kërkesë për shkak se nuk të “besoj ty” ku nuk tregon arsyen pse nuk më beson (ndërsa zonja Kelmendi lidhur me ndërprerjen e transferimit të z. Beqiri më thotë se këtë rekomandim e analizon kryeshefi kur të kthehet nga pushimi gjë që edhe unë pajtohem) por në takim doli se zonja Kelmendi i ka shkruar letër prokurores së çështjes lidhur me këtë ndërprerje të transferimit krijon model të ri.

I tërë ky takim nuk shkon në vazhdën e analizimit të ngjarjeve të fundit por përfundon takimi pa ndonjë qëndrim rreth këtij rasti”.Raçi tutje shkruan se Miradie Kelmendi ka kërkuar të dijë se a kishte pasur njohuri rreth shkresës së hetuesit B. Hoxha drejtuar ministrit Flamur Sefaj. Sipas tij, hetuesi B. Hoxha më 10 janar 2018 e kishte njoftuar me email lidhur me këtë shkresë që ia kishte drejtuar ministrit.

“Poashtu rreth shqetësimeve të B. Hoxha e kam njoftuar me shënim zyrtar Miradie Kelmendi dhe ajo as nuk më ka kontaktuar lidhur me këtë shënim zyrtar por e ka injoruar sikur të mos kish qenë fare ky shqetësim i B. Hoxha”.Sa i përket rastit të rrahjes së Agron Mustafës, në letrën e tij, Burim Raçi shkruan se Miradie Kelmendi më 4 janar 2018 në zyrën e Kryeshefit së bashku me të dhe hetuesin B. Hoxha e kanë shikuar incizimin e rastit dhe pas kësaj ajo e kishte nënshkruar rekomandimin për vazhdimin e suspendimit të Avni Berishës, ndërsa kishte kërkuar nga hetuesi B. Hoxha që ta heq nga raporti i tij emrin e majorit Nazim Sahiti si i dyshuar dhe i rekomanduar për suspendim.“B. Hoxha nuk e ka ndryshuar raportin e tij, ka kërkuar nga unë që ti them që ta heq emrin e majorit, në të jam përgjigjur se ai është raport i hetuesit dhe përgjegjësia bie mbi të, unë nuk i them që të heq asgjë nga raporti dhe nuk është në natyrën time të menaxhimit që ti urdhëroj ose ti ndërhy në punë hetuesve në hetimin e rasteve, për mua ky është shqetësimi, ndërsa për zonjën Kelmendi nuk ju duket e arsyeshme dhe nuk dëshironte të diskutohet në takim për shkak që ajo i dinë më së miri, poashtu rekomandimin për suspendimin e majorit Nazim Sahiti nuk e ka aprovuar por mbetet ende pezull ai rekomandim e që është në autoritetin e saj vlerësues për aprovim apo mos aprovimin të këtij rekomandimi (edhepse tanimë kanë pushuar arsyet për ta aprovuar një rekomandim të tillë kur kihet parasysh se edhe hetuesi është ndryshuar).”Raçi shkruan se Miradie Kelmendi ka bërë ndërhyrje flagrante në autonomin e hetimeve, duke ndryshuar rastin prej hetuesit në hetues, për shkak të një ankesë të ankuesit të rastit, i cili prapë ankohet në hetuesin e rastit B. Haxhimustafa kinse për një pëlqim në facebook. “Nëse do të shkojmë në këtë mënyrë e ai zotëria ankohet në hetuesit tonë ne do të duhet ti ndërrojmë të gjithë hetuesit”.Për të marr përgjigje në lidhje me këto pretendime të Burim Raçit, “Betimi për Drejtësi” i ka shkruar kërkesë me shkrim ud. Kryeshefes Miradie Kelmendi dhe poashtu e ka kontaktuar përmes telefonit.

Ajo ka thënë se do ta shqyrtojë kërkesën përmes telefonit, por më nuk është përgjigjur fare përkundër insistimit për të marr përgjigje prej saj.Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, nuk është përgjigjur me arsyetimin se gjendet jashtë vendit në udhëtim zyrtar, por se do të shqyrtojë kërkesat pasi të kthehet. Zhvillimet në IPK ka kohë që përshkruhen me probleme ligjore.“Betimi për Drejtësi” ka transmetuar hulumtimin në lidhje me ndikimet e Kryeshefit Hilmi Mehmeti tanimë të suspenduar dhe ushtrueses së detyrës Miradie Kelmendi në konkursin e IPK-së për rekrutimin e 17 inspektorëve. Suspendimi i Kryeshefit ka ardhur pas transmetimit të hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, në të cilin janë evidentuar shkeljet ligjore të konkursit të IPK-së, si dhe është shfaqur një audio-incizim, i cili ka dëshmuar ushtrimin e ndikimit të kryeshefit Hilmi Mehmeti dhe Miradie Kelmendit tek anëtarët e Komisionit të Testit Fizik, për të futur në listën e kandidatëve të suksesshëm kandidatë që kishin dështuar në disiplinën 300 metra në testin fizik.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!