Drejtori i komunës rreh policin – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
12 °C

Drejtori i komunës rreh policin

17:55 | 10 Gusht 2018

Naser Morina e ka sulmuar fizikisht policin Rrahman Gashi, e Komuna e Policia nuk e bënë të madhe. Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Klinës, Naser Morina ka rrahur një zyrtar policor., shkruan Gazeta Express. Ngjarja e cila ka ndodhur para objektit të Policisë në Klinë të hënën e kësaj jave, nuk është bërë e madhe nga udhëheqja e komunës dhe Policia. Drejtori Morina, ish pjesëtar i UCK-së, përmes një mesazhi nga pushimi, e ka mohuar rastin. Për këtë është i informuar mirë edhe Kryetari i komunës, Zenun Elezaj, ndërsa në Polici thonë rastin se e kanë proceduar në Prokurori.

Të hënën, Drejtori i Bujqësisë në Klinë, Naser Morina e ka sulmuar fizikisht policin Rrahman Gashi në orar të punës dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja sipas burimeve të Frontal ka ndodhur para objektit të Policisë ku Morina ishte duke u fjalosur me një person tjetër, dhe gjatë përleshjes ku kishte ndërhyrë polici Gashi për ti ndarë ai e ka goditur edhe atë.

Pa përmendur emra këtë e ka konfirmuar për Frontal, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj.

“Policia e Kosovës, përkatësisht stacioni policor në Klinë me datën 5 ka evidentu një rast sulmit ndaj personit zyrtar në krye të detyrës zyrtare. Aty janë ndaluar dy automjete dhe shoferët kanë filluar të grinden mes veti dhe ka identifiku të dyshuarin dhe e ka parandalu përleshjen dhe pas kësaj ndërhyrje dhe personi dyshuar ka ik nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Ibraj.

Por një ditë pas Morina është lajmëruar vullnetarisht në Polici.

“Me datën gjashtë i dyshuari është paraqit në polici dhe është intervistuar edhe është liruar në procedurë të rregullt”, ka treguar Ibraj.

I kontaktuar nga Frontal, Morina, ish luftëtar i UCK-së, përmes një përgjigje elektronike e ka mohuar se e ka sulmuar policin, Rrahman Gashi, ndërsa me plotë gabime drejtshkrimore ka këshilluar televizionin të mos merret me rastin e tij.

“I nderuar sa i perket qeshtjes se ati problemit apsolut asgjê ska ndodh sepse me at policin njicemi qe 20 vite familjarisht te gjitha kan qen keq interpretime!,prandaj dhe juve mediave ju lutem qe mos te mirri me keto raste perdedisa kemi te gjithê si popull mëse te mirremi.Me respekt Naser Morina”

e rastin është i njoftuar edhe kryetari i kësaj komune Zenun Elezaj, por thotë se nuk ka pasur rast të bisedoj me drejtorin në fjalë pasi ky i fundit gjendet në pushim vjetor.

“Paraprakisht drejtori Naser Morina, është në pushim vjetor edhe nuk kam pas mundësi me bisedu me të. Mirëpo në vija zyrtare jam i informuar prej Policisë për rastin. Realisht jemi në pritje të një raporteve ose procedurave gjygjesore pasi të vjen drejtori do ta diskutojmë dhe të shohim se cka do të vendosim”, është shprehur Elezaj

Kryetari nuk ka treguar nëse e ka ndërmend ta largoj nga detyra apo suspendoj drejtorin në fjalë, por ka thënë se vendimet e tij do të jenë konform vendimit të Gjykatës për këtë rast.

Megjithatë, i pari i Klinës kërkon nga drejtoret e tij, të jenë më të disiplinuar.

“Realisht drejtoret duhet të jenë më të disiplinuar dhe të përgjegjshëm para qytetarëve. Këtu ka sjellje korrekte me kolegë, deri tash skam pas ndonjë vërejtje për rastin skam informata të detajuara por askush se ka lluksin që të sillet jashtë normave qytetare. Vendimet që i bijnë organet e drejtësisë janë ligje dhe do i zbatoj”.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!