Dy duar për një shqiponjë

13:15 | 06 Dhjetor 2018

Një plak shekullor nga Mirdita, pak vite më parë shfrytëzoi një ceremoni familjare dhe mori flamurin kombëtar, e vuri te porta e gurtë e kullës së tij dhe e puthi në sy të pasardhësve, bij e bija, nipa e mbesa, stërnipa e stërmbesa, pa thënë asnjë fjalë. Ai iku pas një viti, por mbeti ajo fotografi e tij si një amanet.

Sa e sa gjeste të tilla të veçanta ka patur e ka përgjatë gjithë historisë sonë. Secili dëshiron të bëjë diçka të veten për shqiponjën. Marrëdhënia e njeriut më flamurin e kombit të vet është sa intime, aq dhe komunitare e publike. Performimi me flamurin kombëtar është kthyer në një ritual mbarëpopullor vitet e fundit, në krejt hapësirën shqiptare dhe në diasporë. I vetmi që nuk urdhërohet nga politika, e cila sheh interesat e saj partiakë, edhe pse përbetohet gjithë ditën për të mirën e popullit.

Ka vite që vendosja e flamurëve nëpër ballkone është kthyer në një traditë të bukur, pavarësisht nëse e kërkon apo jo këtë gjë kryebashkiaku i Tiranës apo zyrtarët të tjerë të shtetit. I keni parë këto ditë fëmijët e kopshteve gjithandej? Janë veshur me bluza kuqezi, pa folur pastaj për më të mëdhenj se ata, nxënësit e shkollave, sportdashësit nëpër arenat e futbollit, artistët në koncertet jashtë vendit etj. Ndoshta ti i harron fotografitë e udhëheqësve të sotëm duke puthur flamurin në ceremonitë e betimit, por jo ato të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Abdyl Frashërit, Luigj Gurakuqit, Dom Nikollë Kaçorrit, Faik Konicës, Dedë Gjo Lulit, Shotë Galicës, Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Prengë Calit me flamurin dhe për flamurin kombëtar.

Marrëdhënia me flamurin kuqezi është përcaktuese për një shqiptar. Dhe nëse ka pasur shembuj të lartë qëndrese e vetëmohimi nën hijen e flamurit, herët e vonë, për fat të keq ka patur dhe të atillë që nuk kanë mundur të qëndrojnë gjithherë në lartësinë e flamurit, thënë ndryshe kanë gabuar me atdheun, pa folur për tradhtinë. Por, nëse kjo është një analizë e historisë, puna është që cilido sot duhet ta mbajë vëth në vesh të mos “gabojë” me flamurin, për të folur hapur, të mos ia ketë me hile vendit duke u pasuruar për vete me paratë publike përmes tenderave etj.

Në këtë kuptim shqiponja nuk është vetëm simbolikë, por përgjegjësi qytetare. Ama jo gjithnjë me shqiponjën sillemi me “delikatesën” e duhur që i shkon përshtat një zonjë të rëndë, më të madhes zonjë të simbolikës sonë kombëtare. Rasti është i freskët dhe disi flagrant. “Shqiponja” te rrethrrotullimi i Laprakës u hoq me shamatë politike e mediatike, siç është bërë zakon për çdo gjë që ngrihet e hiqet në këtë vend, a thua se kishte qenë një shpend i gjallë që kishte lënë shkrepat e maleve dhe kishte ardhur e ishte ulur me forcë, pa leje në atë piedestal të Tiranës.

Çfarë nuk u tha për të, pro dhe kundra saj. Foli dhe vetë Kryeministri, duke e quajtur si një vepër jo artistike etj. Sigurisht që nuk ishte një vepër e mirëfilltë artistike, ama mund të hiqej më me dinjitet, meqë ajo ishte simboli i flamurit tonë kombëtar dhe ishte vënë aty në një mot të shënuar, në 100-vjetorin e Pavarësisë. Tekefundit, “Shqiponja” e bëri emrin e saj dhe në aq pak vite sa rroi aty në kryqëzim, përderisa njerëzit filluan të mos thoshin më “te Dogana”, “tek Unaza e Re”, por “te Shqiponja”. “Shqiponja” hyri në ligjërimin urban të kryeqytetit dhe ka gjasë që ky “stacion” të vazhdojë të thirret kështu dhe tani që “Shqiponja” nuk është më aty. Ajo që mund të thuhet me këtë rast është se nuk kanë vlerë debatet nëse duhej hequr apo duhej lënë “Shqiponja” aty ku ishte, por kur do të mësohemi që veprat që kanë të bëjnë me trashëgiminë dhe simbolikën kombëtare t’i vendosim në marrëveshje me njëri-tjetrin, pasi kështu nuk do të kemi nevojë t’i heqim më ato. Zakonisht këto janë punë elitash të një vendi, të cilat për vetë natyrën e tyre janë me themel dhe jo të njerëzve të politikës që këndej nga ne të gjitha gjerat mendojnë se i kanë në tapinë e tyre dhe po nuk u shprehën ata, piedestalet nuk vlejnë, mbetën bosh.

Është Viti i Skënderbeut dhe doemos që shqiponja jonë ka pasur shkëlqim më shumë se kurrë. Vetëm pak ditë më parë Papa Françesku do t’iu drejtohej shqiptarëve që kishin shkuar ta vizitonin në Selinë e Shenjtë në Romë: “Rëndësia e veçantë e figurës dhe e veprës së Kastriotit përfaqësohet mirë në flamurin tuaj, me shqiponjën e zezë dykrenore në sfondin e kuq, bërë sipas stemës së heroit. Pak herë në histori, një individ i vetëm ka arritur t’i mishërojë kaq qartë e kaq gjerësisht virtytet e një populli, deri në atë pikë sa është e vështirë t’i kuptohet shpirti, pa u ndalur e pa marrë parasysh parimet dhe vlerat, që e frymëzuan atë personazh të veçantë”.

Se ç’vlerë ka fituar shqiponja e tregon fakti që atë tashmë e bëjnë të gjithë, i madh e i vogël, pa pasur asgjë më shumë se dy duart e tyre të ndërthurura në atë mënyrë që të krijojnë imazhin e saj. Dy duar për një shqiponjë janë të mjaftueshme për të krijuar simbolin unik shqiptar, që i ka tejkaluar dhe vetë shqiptarët. Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka pozuar më se njëherë me shqiponjën, duke bërë shenjën e saj, edhe së fundi kur u rizgjodh në Kongresin Amerikan. Po ashtu personalitete të tjera të larta të politikës europiane, të artit, kulturës, sportit, botës akademike etj. Shqiponja askund nuk është më shqiptare se sa ndër shqiptarë, edhe pse ajo është simbol i shumë popujve të botës qysh herët.

E bukura është se nuk dihet se kush qe i pari që i kryqëzoi ashtu duart mbi gjoks, duke krijuar shenjën e shqiponjës që “fluturoi” pastaj kudo si me magji. Gjërat e çmuara të një kombi me gjasë kështu lindin, me një autorësi kolektive, si epet e lashta, nga njëra gojë në tjetrën, nga njëra dorë në tjetrën…

Shqiponja dyduarshe merr më shumë kuptim sot në ditën e 28 Nëntorit si një homazh ndaj dëshmorëve të Atdheut dhe himn i përjetshëm ndaj lirisë.

Komento: