E gjeti veten në listen e veteranëve mashtrues, ja çka thotë deputetja e AAK-së – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
13 °C

E gjeti veten në listen e veteranëve mashtrues, ja çka thotë deputetja e AAK-së

16:03 | 26 Shtator 2018

Në listën e më shumë se 20 mijë emrave që Prokuroria Speciale e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë me veteranët të cilët cilësohen si veteranë mashtrues, e kishte gjetur veten edhe deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj.

E sot, Kadrijaj i është bashkangjitur protestës të organizuar nga veteranët e UÇK-së nga rajoni i Dukagjinit të cilët kanë protestuar para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë ku kërkuan nga Prokuroria e Shtetit që ta hedh poshtë rastin për veteranët mashtrues.

Deputetja, në një përgjigje për lajmi.net thotë se kjo listë është përpiluar në metodën ad-hoc e pa klasifikuar dhe e pa verifikuar, pasi që vetë publikimi i listës me të dhëna personale të veteranëve sipas saj është shkelje e Ligjit për Mbrojtjen e të dhënave personale.

‘’Vetë publikimi i atyre të dhënave personale dhe përfshirja e disa luftëtarëve që kanë qenë aty, lënë të kuptojmë se në ato lista nuk është punuar në atë drejtim detyra që ua ka besu Prokurorisë për verifikimin gjoja të veteranëve të rrejshëm. Është bërë një listë ad-hoc e pa klasifikuar e pa verifikuar dhe ju e dini që në Kosovë është ligji për Mbrojtjen e të dhënave personale dhe ka qenë shumë e pakuptimtë që ato lista janë publikuar me të gjitha të dhënat të secilit individ veç e veç’’, ka thënë Kadrijaj.

Tutje, Kadrijaj thekson se protesta e sotme kishe për qëllim që të kërkojnë drejtësi nga Prokuroria për veteranët.

Ajo thekson se detyra e Prokurorisë Speciale ka qenë që t’i verifikojë mirë këta emra e të mos bëjë propagandë kundër luftës së UÇK-së.

‘’Për ne veteranët është e pakuptueshme që gjithë kjo luftë, gjithë kjo propagandë anti UÇK-së. Ne jemi për mbrojtjen e vlerave të luftës andaj edhe kërkesa e veteranëve ishte që të mos luhet me veteranët. Prokurorisë iu ka besu një detyrë, detyra ka qenë që me verifiku e jo mos me i verifiku edhe me denigru shumë njerëz me publikimin e atyre listave. Krejt çfarë kemi kërku ka qenë drejtësi për veteranët dhe asgjë më tepër’’, përfundon Time Kadrijaj.

Lajmi.net në vazhdimësi ka publikuar pjesë të aktakuzës voluminoze, mbi 900 faqe, që prokuroria ka bërë ndaj 12 anëtarëve të komisionit për veteranë si dhe ka publikuar listat me emra të veteranëve në të gjitha zonat operative që prokuroria i cilëson se kundërligjshëm përfituan nga buxheti i shteti.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!