E keni dhjerë punën! – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

E keni dhjerë punën!

Shkruar nga: Bardhyl Mahmuti

08:43 | 09 Dhjetor 2016

Ju jeni tepër efikas dhe reagoni ndaj çdo gjëje që lidhet me qëndrimet deklarative të shqiptarëve ndërsa heshtni për veprimet konkrete të serbëve.

Nuk po përmend të gjitha heshtjet e juaja lidhur me veprimet konkrete të serbëve që paraqesin rrezik permanent për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Po kufizohem vetëm në heshtjen tuaj për vendosjen e bllokadës mbi urën e Ibrit përmes të ashtuquajturit « Parku i paqes ». Edhe pse për pesë vite rresht « Parku i paqes » u shndërrua në fushëbeteje kërcënimesh për luftë e ju heshtët! Në vend të reagimit kundër kësaj logjike ndarjeje ju e imponuat si temë shantazhuese në bisedimet në Bruksel.

Zonja dhe Zotëri të përfaqësive diplomatike në Kosovë,

Ju kujtohet deklarata e vitit 2014 e Ambasadores së atëhershme amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson? Nëse shtireni se e keni harruar po jua rikujtoj se kjo ambasadore përmes një interviste televizive iu drejtua liderëve të të partive politike në Kosovë me shprehjen më banale që ndonjë personalitet publik kishte përdorur: « mos e dhini punën »!

Pas pesë viteve të koncesioneve që iu bënë Serbisë « filloi të hiqet » i ashtuquajturi « Parku i paqes ». Dhe për heqjen e tij duhet pritur deri në muajin qershor të vitit të ardhshëm! Në këtë rast ju nuk nguruat ta përshëndetni « vullnetin e mirë të serbëve »!

Ende pa zbatuar premtimin për heqjen e bllokadës në urën e Ibrit serbët filluan ndërtimin e murit që do të ndajë pjesën veriore të Kosovës. Ju heshtni përsëri!

Heshtja jua, Zonja dhe Zotëri të përfaqësive diplomatike në Kosovë, është inkurajim i forcave që synojnë destabilizimin e paqes së brishtë në këtë pjesë të Ballkanit. Duke parë sjelljen tuaj me dy kute thënia e Ambasadores Tracey Ann Jacobson merr kuptimin e plotë: E keni dhjerë punën!

Ky komplot kundër Kosovës duhet t’i alarmojë të gjithë përfaqësuesit politikë shqiptarë që të lënë inatet e tyre personale dhe të gjejnë një konsensus minimal për mbrojtje të interesave kombëtare. Në të kundërtën dëmi mund të jetë i pariparueshëm për kombin pa marrë parasysh se mbi cilët politikan do të bie përgjegjësia.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!