E keqja jonë më e madhe – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

E keqja jonë më e madhe

Shkruar nga: Shemsi Reçica

20:54 | 28 Maj 2018

Në Kosovë, tash njëzet vjet, janë ndërruar aq qeveri dhe kanë ardhë e kanë shkuar aq misione të mëdha ndërkombëtare, por ende nuk është krijuar Sistemi që do t‘i luftonte me sukses dhe do t’i mposhtte krimin e organizuar, korrupsionin e krimet e tjera, në vendin tonë.

Ky Sistem i munguar, është dhe mbetet e keqja jonë më e madhe, e keqja e të gjitha të këqijave, për shoqërinë tonë të pazhvilluar e të paorganizuar.

Qytetari i Kosovës e ka kuptuar se në vendin dhe në shoqërinë e tij, s‘ ka kush të luftojë kundër të këqijave dhe t’i mposhtë ato. Ai, prandaj, vuan dhe ka dhembje. Atë e mundon prania e të këqijave në vendin dhe në shoqërinë e tij. Atij, prandaj, edhe para një të keqeje të vogël fare, i sillet në mendje ikja nga vendi dhe nga shoqëria e tij. Ai mezi e pret rastin të ikën prej tyre.
*****
Në Kosovë dhe në shoqërinë kosovare, si në çdo vend dhe në çdo shoqëri të botës, kanë depërtuar e po gjallojnë me “sukses“, aq shumë të këqia, sa është vështirë të numërohen të gjithat, dhe ato janë aq të mëdha, sa është vështirë të thuhet se cila është më e dëmshme se tjetra, për vendin dhe për shoqërinë, në përgjithësi.

Të këqijat e mëdha, si krimi i organizuar, korrupsioni, radikalizmi dhe ekstremizmi fetar e krime të tjera të panumërta (pra, me një emër, të këqijat), janë shndërruar në dukuri dhe janë të pranishme, ku më shumë e ku më pak, në të gjitha shoqëritë bashkëkohëse: të zhvilluara dhe të organizuara, në ato në zhvillim, të pazhvilluara, të prapambetura, e të paorganizuara, në gjithë globin tonë, pra edhe në shoqërinë kosovare.

Të këqija të tjera, si: mossundimi i ligjit, pabarazia e qytetarëve para ligjit, nepotizmi, papunësia, varfëria, pasiguria shëndetësore dhe sociale, arsimimi i lodhur e i pareformuar, shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut e të qytetarit (pra, me një emër, të këqijat), – janë shndërruar në dukuri dhe janë të pranishme, ku më shumë e ku më pak, pothuaj, në të gjitha shoqëritë bashkëkohëse, të pazhvilluara dhe të paorganizuara, në gjithë globin tonë, pra edhe në shoqërinë kosovare.

Dallimi thelbësor ndërmet shoqërive të zhvilluara dhe të organizuara, prej shoqërive të pazhvilluara dhe të paorganizuara, s‘është se në të parat s’ka fare të këqia, ose ka fare pak të këqija dhe atë janë të vogla, ndërsa në të dytat, ka shumë të këqija dhe ato janë të mëdha.

Dallimi thelbësor ndërmjet tyre është se, në shoqëritë e zhvilluara dhe të organizuar ka kush i lufton të këqijat, ka Sistem të luftës së suksesshme kundër tyre, në përgjithësi, dhe të mposhtjes së tyre, qofshin ato edhe të këqija të mëdha, madje edhe tepër të mëdha; ndërsa në shoqëritë e pazhvilluara dhe të paorganizuara, s’ka kush i lufton të këqijat, s’ka Sistem të luftës së suksesshme kundër tyre, në përgjithësi, dhe të mposhtjes së tyre, qofshin ato edhe të vogla.

Në shoqëritë e zhvilluara dhe të organizuara, qytetari e di, saktësisht, se ka kush të luftojë kundër të këqijave, e di se ka Sistem të luftës së suksesshme kundër tyre dhe e di se ato mposhten. Ai, prandaj, nuk vuan dhe nuk ka dhembje. Atë nuk e mundon prania e të këqijave në vendin dhe në shoqërinë e tij. Atij, prandaj, as pas një të keqeje më të madhe, nuk i shkon ndërmend të ikën nga vendi dhe nga shoqëria e tij.

Në shoqëritë e pazhvilluara dhe të paorganizuara, qytetari e di, poashtu saktësisht, se s’ka kush të luftojë kundër të këqijave, e di se s’ka Sistem të luftës së suksesshme kundër tyre dhe e di se ato nuk mposhten. Ai, prandaj, vuan dhe ka dhembje. Atë e mundon prania e të këqijave në vendin dhe në shoqërinë e tij. Atij, prandaj, edhe para një të keqeje të vogël fare, i sillet ndërmend ikja nga vendi dhe nga shoqëria e tij. Ai mezi e pret rastin të ikën prej tyre.

Pra, mungesa e Sistemit që do t’i luftonte me sukses dhe do t’i mposhtte të këqijat në shoqëri, është e keqja më e madhe, është e keqja e të gjitha të këqijave, për atë shoqëri, sikurqë – krijimi i Sistemi të luftës së suksesshme kundër të këqijave dhe mposhtjes së tyre në shoqëri, është e mira më e madhe, është e mira e të gjitha të mirave , për atë shoqëri.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!