E përndiqte policia, humb jetën në aksident shqiptari që hyri ilegal në Greqi – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
15 °C

E përndiqte policia, humb jetën në aksident shqiptari që hyri ilegal në Greqi

09:20 | 11 Janar 2018

Një shtetas shqiptar ka humbur jetën dhe tre persona janë plagosur në hyrje të Selanikut, ndërsa policia greke po përndiqte një furgon, që nuk kishte ndaluar për kontroll.

Përndjekja kishte filluar në Polikastro, në afërsi të kufirit me Maqedoninë.

Sipas mediave lokale, në furgonin që drejtohej nga një shtetas grek, ndodheshin tre emigrantë të paligjshëm shqiptarë dhe kjo ishte arsyeja që drejtuesi u përpoq t’i shmangej kontrollit të policisë.

Por policët iu vunë mbrapa duke i ndjekur për gati një orë.

Në hyrje të Selanikut, në vendin e quajtur mbikalimi i Sindos, furgoni u përmbys dhe si pasojë humbi jetën emigranti shqiptar, emri dhe mosha e të cilit nuk janë bërë të ditur.

Viktima kishte rënë brenda një kanali dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë, shkruan oranews. Drejtuesi i mjetit, shtetas grek dhe dy emigrantët e tjerë u dërguan në spital.

Kohët e fundit policia greke i ka shpeshtuar operacionet kundër emigrimit të paligjshëm nga Shqipëria.

Janë të përditshme rastet e arrestimit të shtetasve grekë apo shqiptarë që transportojnë me mjetet e tyre qytetarë nga vendi fqinj, që hyjnë në Greqi pa dokumente të rregullta.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!