Erdogan s’e përmend Kosovën para Vuçiqit – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Erdogan s’e përmend Kosovën para Vuçiqit

18:14 | 11 Tetor 2017

Vizita e liderit turk në Serbi erdhi disa ditë pasi ai e kishte kontestuar shtetësinë e Kosovës gjatë një fjalimi për referendumin e kurdëve të Irakut. Shefi i shtetit turk ka zgjedhur të heshtë për Kosovën në Beograd, për dallim prej zyrtarëve të lartë europianë dhe amerikanë të cilët ia kujtojnë Serbisë obligimet në raport me Kosovën sa herë që takohet me zyrtarët e shtetit serbë.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan është pritur me nderim të larta në Serbi. Krerët më të lartë të shtetit serb, Presidenti, Kryeministrja dhe Ministrja e Jashtme kishin dalë në Aeroportin e Beogradit për ta pritur Erdoganin dhe Eminën, Zonjën e Parë turke. Erdogan atje kishte marrë me vete rreth 200 afaristë. Dy palët, gjatë qëndrimit në Serbi të Erdogan, kanë folur fjalë të mëdha për miqësine mes dy vendeve, ndërkohë për t’ia bërë më të këndshëm qëndrimin Sulltanit turk, është kujdesur Daçiq i cili ka kënduar këngë orientale.

Në një nga fjalimet e tij, shefi i shtetit turk, para auditorit, kishte thënë se dikush mund të xhelozojë për këtë vizitë dhe takimin serbo-turk të këtij niveli. Nuk dihet saktësisht se kënd e ka pasur në mendje kur ka thënë këtë Erdogan, por ai ka vazhduar duke thënë se Serbia është shteti kyç në rajon.

Për t’ia bërë qejfin nikoqirit Vuçiq, Erdogan ka zgjedhur të mos e thotë asnjë fjalë për Kosovën, të cilën Turqia e ka njohur menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Sic dihet secili burrështetas që qëndron në Beograd, nisur nga Merkel, zyrtarë të lartë europian e amerikanë nuk harrojnë pa e përmendur normalizimin e raporteve me Kosovën si një kusht që BE ia ka vendosur Serbisë. Por, Erdogan ka zgjedhur të mos e përmend fare këtë temë. Erdogan ka zgjedhur të flasë për raportet e tensionuara më Ambasadën, për Sanxhakun, ndërkohë që ka theksuar se Turqia nuk e përkrah asnjë nacionalizëm. Ai madje ka fajësuar “fuqitë e mëdha” duke thënë se ato janë shkaktare për gjithçka të keqe që ka ndodhur në Ballkan.

Herën e fundit kur Erdogan e ka përmendur Kosovën është me rastin kur ka komentuar referendumin e kurdëve të cilët i ka porositur se nuk mund të bëjnë shtet vetëm me mbështetjen e Izraelit. Me këtë rast ai ua ka kujtuar Kosovën atyre, duke u thënë se Kosova nuk po bëhet shtet as me 114 njohje.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!