Eugjenika negative e Nanos – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
13 °C

Eugjenika negative e Nanos

Shkruar nga: Xhemal Ahmeti

12:35 | 19 Korrik 2018

Mustafa Nano nuk duhet të qortohet se pse dha një mendim të bazuar në dukuri të ndodhura, porse pse thirret në elemente jopërcaktuese për patriotizmin apo identitetin e njerëzve, ngase të dyja këto janë kulturore e jo sanguine. Për më tepër atij duhet argumentuar se pse ka rënë në kurthin e një perspektive raciste kur interpreton botën përreth

Mustafa Nano ndezi gjakrat. Duke folur mbi cilësinë e gjakut të tjerëve.
Ç’tha ai? Ai shpaloi habinë e tij se “pse aq shumë kosovarë bëjnë patriotin kur paskan gjak serbi”. “Ashtu siç të fundit paskan gjak shqiptarësh”. Pastaj paska thënë se edhe kultura orale është komplet ballkanike pa tipicitete folklorike kulturash të veçanta brenda amalgamit ose nëse e kuptuam drejt thoshte se konglomerati i këngëve popullore tradicionale është i njëjti e pa dallime tek të gjithë popujt e Ballkanit.
Deklarata këto që vërtet janë “provokacija” dhe atë shqiptuar serbisht se shqip fjala provokim (në të dyja gjuhët fjala ka origjinë latine provocare = sfidon) duket më e butë.

Reagimi doli ashtu siç e priste Nano; kryesisht i egër dhe spontan. Motivi më i shpeshtë i reagimit nuk kualifikohet dot si batare argumentesh për të përgënjeshtruar me fakte tezat e publicistit nga Tirana, por me epitete si “prostitutë vëmendjeje publike”, “tradhtar” që shkeli mbi gjakun e viktimave të Kosovës e gjetiu dhe të llojit. Dhe natyrisht kjo mënyrë reagimi nuk lejon që në mënyrë racionale të debatohet me Mustafa Nanon, i cili nuk është as tradhtar, as proserb, as progrek, por vetëm një njeri që mendon ndryshe dhe zëshëm, një nga ata të privilegjuarit e publisferës shqiptare që botohen edhe atëherë kur do bënin mirë të censuronin veten. Si kësaj radhe. Poqë-se Nano do t’i mendonte mirë këto që tha në Beograd e gjetiu nuk do rrëshqiste kaq keq në këtë gropë lëmishtesh të kalbura. Për çka e kemi fjalën? Le të shikojmë njëherë sa sa të drejtë ka Nano me tezat e tij.

*
Le ta parafytyrojmë Mustafën, të veshur me një mantel të kuq (që mos dallohen pikat e gjakut nga spërkatjet) në mes të mijëra epruvetave me gjak, të mbledhura që nga Subotica e deri në Leskovac dhe që nga Shëngjini e deri në Ohër. Ka vite që ai hulumton plazmat, çdonjërën nga qelizat e veçanta, proteinat dhe mbetjet eventuale spermike – të cilat poashtu duhet t’i ndajë e dallojë ato me një majë të bardhë nga ato me një bisht si të opingës. Haima, sanguis, gjaku është një lëng jashtëzakonisht i komplikuar saqë edhe hematologut e gjenetikut më të njohur të botës shpesh ia tërbon trutë e lere më ndonjë autodidakti nga Tirana. Nëse nuk e kemi ditur: Hematologjia është gati shkencë në vete.
Pasi Mustafa siguron informacionet e duhura pas zbrazjes se gjithë epruvetave, e merr një radio dhe fut kasetat e vjetra të prodhimit jugosllav (se aty ishin bashkë shumica e ballkanasve që shënjon Nano) e i dëgjon këngët si “Muji e Alija”, “Kasno stizhe Kraljeviç Marko na Kosovo Polje”, “Shqipëria oj nana ime” dhe “Milan i Dragutin Beg”, “Mic Sokoli…”, “Kaçanikut i…” e të llojit dhe bindet se edhe këtu serb e shqiptarë janë njëjtë dhe del në Beograd me të vërtetat e fundit.

*
T’i lëmë parafytyrimet: Mustafa Nano nuk është antropolog, as hematolog, as ekspert folkloresh, as politikolog as historian luftërash as historian artesh. Ai është një intelektual autodidakt që lexon shumë dhe pa ndonjë metodë të vyeshme apo të njohur shkencore interpreton me zë, publikisht, i shpalon perceptimet e tij, kapur gjatë leximit. Ngaqë lexon shqip, jeton aty patjetër se botën do ta reflektojë nisur nga temat e dilemat, plagët e problemet e sferës ku siguron ekzistencën e jo nga perspektiva e ndonjë intelektuali në New York apo Londër. Dorën në zemër të rrallë janë ata publicistë që nuk veprojnë si Nano, pavarësisht se kanë lloj-lloj titujsh akademik para emrit apo jo. Nuk mendojnë, nuk krahasojnë, ia fusin ashtu dhe veç pas reagimeve konsultojnë fjalët një për një për të parë se kanë gabuar, por që as atëherë nuk e pranojnë.
Konkretisht: Pse themi se Nano ka gabuar dhe atë jo vetëm pse ka provokuar, porse deklarimet e tij janë gabime katastrofale për imazhin e tij prej publicisti – se del megjithatë i padijshëm, tepër i palexueshëm.
Dy indikatorët që e dëshmojnë padijen e tij:

1.
Patriotizmi është dashuri ndaj vendit, popullit, kulturës, kombit ku jeton dhe nuk përcaktohet nga numri i qelizave cytoksike (T-Qelizat) apo se cili grup nga eritro-, leuko- apo trombocytet ka primatin mbi trupin e Hashimit apo Stoles së Pozharanit. Poqë-se amerikanët do ta përcaktonin veten nga “linja e gjakut” nuk do kishin nevojë për Rusinë a Korenë Veriore, vetë do zhbënin SHBA-të. Patriotizmi është më shumë konstrukt kulturor e jo biogjenetik. Këtë së paku e dinë çdo gjimnazist i kujdesshëm.

2.
Secili popull ballkanik – në sajë të gjuhës dhe këndvështrimit të historisë ndryshe – ka edhe folklorin, traditat, historinë e vetë. Veçanërisht kjo vlen tek popujt e armiqësuar, të cilët dallueshmërinë e sforcojnë në mbarë opusin e tyre kulturor për të ruajtur ekzistencën, qenien dhe autenticitetin e vetë karshi atij që donë t’i zhbëjë. Krahasimet ndërmjet identiteteve kulturore nuk bëhen nga sagat, përrallat e këngët që përbashkojnë gjitha kulturat e botës që nga Epi i Gilgameshit, Iliada e Odiesa e deri tek epi malazez “Muji dhe Alija” e të llojit, por bëhen nga shumë e shumë veçori tjera që përbëjnë shumicën absolute të kritereve përcaktuese. Po të ishin më shumë elemente të njëjta nuk besojmë se do kishim sot kombe. Po ja që i kemi. Edhe këtë e dinë çdo nxënës i kujdesshëm i klasave nga e pesta e përpjetë.

Nano me siguri ka pasur ndërmend martesat e shqiptarëve me serb e anasjelltas, dhunimet gjatë luftërave të shumta shqiptare serbe (se kurrë nga dashuria nuk kanë jetuar në një shtet apo bashkësi, por përherë si armiq, së paku që nga fillimet e perandorisë osmane e deri sot) dhe martesat masive të shqiptareve rurale të Shqipërisë së sotme me serb, kur ka menduar në këtë dukuri. E këto kanë ndodhur. Janë reale dhe patjetër të tematizohen. Jo patjetër në trajtën negative apo pozitive por objektivisht. Ndodhin këto aq sa kanë ndodhur dikur edhe ndarjet masive gjatë shpërthimit të luftës – nuk i mbajti megjithatë gjaku i përzier nëpërmjet akteve aq të shumta seksuale bashkë? Jo se siç thamë botën sot shumë pak njerëz e reflektojnë nga eugjenika, në kurthin e së cilës ka rënë Mustafa Nano pa dashje.

*
“Bastardi” është figurë e popullarizuar sidomos nga eugjenikët e tipit të Arthur de Gobineau (1852 – 1854), Francis Galton (1883) e kompani, nga ai tip “filozofësh” që edhe në Gjermaninë naziste kujdeseshin për “pastërtinë e racës” dhe çdo fekondim e konsideronin si “gjenetikisht të sëmurë”. Elementet që këta përdornin për të përcaktuar papastërtinë racore të një kombi, kulture, populli grupi ishin linja e gjakut (fëmija i gjermanes me një hebrenj ishte bastard që duhet likuiduar), fizionomia dhe ajo që dukej përkatësia e deklaruar.
Mustafa Nano niset nga të njëjtat premisa. Veçse në drejtim të kundërt. “Bastardin” e sheh si konstrukt negativ (pra jo të sëmurë, pozitiv si eugjenikët e krahut tjetër). Bën eugjenikë negative pra me synimin për të pajtuar dy popujt e hasmëruar duke u thënë se “ç’po bëni zhurmë e mbytni veten kur keni një gjak e të njëjtat këngë” (flet me “shumë”). Eugjenika do të kishte mbetur edhe sot po të ishte shkencë e argumentit, racionalizmit dhe saktësisë. Kjo doktrinë pseudoshkencore u difamua dhe komprometua pikërisht se nuk ishte asgjë tjetër përpos një teori për justifikim të racizmit dhe pa fije bazë racionale për të përshkruar realisht njeriun, shoqëritë, kulturat e popujt, pavarësisht në ishte motivi i eugjenikut negativ si ky i Nanos që donë ti bashkojë popujt në emër të gjakut. Sot bien në ujërat e kësaj mënyrë të interpretimit të botës vetëm të pakujdesshmit, të padijshmit ose të dijshmit që për performancë bëhen edhe klounë të nacioneve e lere më më pak.

*
Këtu ka gabuar rëndë Mustafa Nano dhe rrezikon humbjen e çdo serioziteti si publicist. Mustafa Nano nuk duhet të kërkoj falje për mendimet e tij të shprehura edhe pse ashtu sallop. Ai duhet vetëm të premtoj se do të lexoj edhe pak më shumë se s’donë të jetë eugjenik, ngase nuk është ashtu siç nuk është as antishqiptar, proturk e as hematolog: është njëri nga publicistët më aktivë, i vyeshëm dhe deri më tani nxitës i plotë temave, të cilat që falë tij nuk janë më tabu!

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!