Familjet e “komprometuara” shqiptare, dje dhe sot – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Familjet e “komprometuara” shqiptare, dje dhe sot

Shkruar nga: Shemsi Reçica

14:45 | 14 Nëntor 2017

Në kohën e robërisë së egër komuniste serbe në Kosovë (1945-1998), ajo që nga regjimi serb vlerësohej e mirë dhe e ndershme, nga shqiptarët vlerësohej e keqe dhe e pandershme. Dhe anasjelltas.

Në këtë sens, në regjimin serb, në njërën anë, dhe ndër shqiptarët, në anën tjetër, kanë qenë të njohura dy grupe, relativisht të mëdha, familjesh shqiptare, të “komprometuara“ dhe të “pandershme”.

Për regjimin serb, të “komprometuara“ dhe të “pandershme“, ishin ato familje shqiptare, anëtarët e të cilave kishin zhvilluar aktivitete “armiqësore“ ose ishin implikuar në aktivitete “armiqësore“, kundër robërisë serbe në Kosovë.

Këto familje , – të përndjekura, të varfëruara, të izoluara, pa të drejta për shkollimin e fëmijëve, pa të drejta për punë të “zgjedhura“, – më shumë se asnjë kategori tjetër e shoqërisë sonë, – e kanë ndjerë mbi shpatullat e tyre gjithë peshën e robërisë së rëndë serbe në Kosovë;

Për shqiptarët, ndërkaq, të “komprometuara“ dhe të “pandershme“ ishin ato familje, gjithashtu shqiptare, anëtarët e të cilave kishin bërë emër, si argatë dhe si shërbëtorë të robërisë serbe në Kosovë.

Këto familje , – të privilegjuara, të pasuruara, të integruara në shoqërinë serbe, me fëmijë të shkolluar, me punë të përzgjedhura e në pozita të larta në partinë, në pushtetin dhe në mediat e asaj kohe, – i kanë gëzuar të gjitha të mirat e robërisë serbe në Kosovë.

Pas përmbysjes së robërisë së egër komuniste serbe në Kosovë (1999-2017), në kujtesën e shqiptarëve janë ende të gjalla dhe të forta kujtimet për dy grupet e familjeve të “komprometuara“ shqiptare, por, megjithëkëtë, pozita e tyre në shoqërinë tonë, ka ndryshuar pak ose aspak.

Familjet dhe anëtarët e tyre, që e kanë bartur mbi shpatullat e tyre gjithë peshën e robërisë së rëndë serbe në Kosovë, dikur të “komprometuara“ dhe të “pandershme“ në sy të regjimit serb, – sot janë të papërfillshme, diku në periferi të shoqërisë sonë;

Ndërsa, familjet dhe anëtarët e tyre, që i kanë gëzuar të gjitha privilegjet dhe të mirat e robërisë serbe në Kosovë, dikur të “komprometuara“ dhe të “pandershme“ në sy të shqiptarëve, – sot prapë janë në punë të përzgjedhura, në pozita të larta partiake, shtetërore dhe mediale të shoqërisë sonë.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!