Favori tre milionësh i BQK-së për kompanitë e sigurimeve – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
25 °C

Favori tre milionësh i BQK-së për kompanitë e sigurimeve

11:20 | 14 Maj 2018

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka favorizuar kompanitë e sigurimeve në dëm të policëmbajtësve, me rastin ndryshimit të Rregullores për Kompensimin e Dëmeve për Palët e Treta. ORAinfo ka siguruar dëshmi sesi kompanitë “shpëtuan” nga kriteri për rezervën 3 milionëshe në këtë fond

Shkruan: Agon Sinanaj

Për shkak të gjendje jo të mirë financiare, në gusht të vitit të kaluar kompanitë e sigurimeve iu drejtuan me një kërkesë Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Ato kërkonin disa ndryshime në Rregulloren për Kompensimin e Dëmeve për Palët e Treta. Krejt kjo me qëllim që të liroheshin nga përgjegjësia për të lënë rezervë në këtë fond miliona euro. Kjo kërkesë nuk u mor parasysh në kohën sa guvernator ishte Bedri Hamza.

Megjtihtaë në dhjetor të vitit të kaluar, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës, e shtyu përpara të njejtën, duke bërë ndryshime në Rregulloren për Fondin e Kompensimit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Me këtë rast, ndryshimet ndodhen në dëm të policëmbajtësve, në këtë rast qytetarëve, përderisa u favorizuan kompanitë e sigurimeve.

ORAinfo ka siguruar dëshmi sesi kompanitë, përmes ndryshimeve që u bën në këtë rregullore, i shpëtuan kriterit për lënien rezervë të shumës prej 3 milionë eurove për financimin e këtij fondi.

Ndërkaq, deri në ndryshimin e rregullores ato ishin të obliguara që të ndajnë paraprakisht mjete, në mënyrë që kompensimi i palëve të bëhej brenda afateve ligjore.

Me ndryshimet e reja kompanitë e sigurimeve nuk janë të obliguara të lënë rezervë në fond, për dëmet e ndodhura por të cilat nuk janë raportuar në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Rezerva është paraparë me rregullore për shkak se ekzistojnë afate ligjore deri kur duhet të kompensohen palët e dëmtuara në aksidente. Me heqjen e kësaj rezerve, e cila parashihej të jetë minimumi 3 milionë euro, hapet mundësia që të ketë vonesa në realizmin e të drejtave nga palët e dëmtuara.

Fondi i Kompensimit, i cili është pjesë e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, financohet nga kompanitë e sigurimeve për ato aksidente në të cilat të përfshirë janë palët e treta. Palë të treta konsiderohen të gjithë ata persona të cilëve u është shkaktuar dëmi apo lëndimi nga aksidenti.

Burime të sigurta në industrinë e sigurimeve i kanë thënë gazetës se këto ndryshime kanë ndodhur pas gjendjes jo të mirë financiare nëpër të cilën po kalojnë kompanitë e sigurimeve. Vitin e kaluar e mbyllen vitin me humbje, ndërsa vetëm sivjet kanë filluar të këndellën.

Heqja e kriterit 3 milionësh nga rregullorja

Nëpër kompanitë e sigurimeve, deri para miratimit të rregullores së re, ka qarkulluar një draft i kësaj rregulloreje, në të cilin parashihej që kompanitë e sigurimeve për financimin e këtij fondi duhet të ndajnë rezervë minimumi 3 milionë euro.

ORAinfo e ka siguruar draftin e rregullores se re, e cila tani titullohet “Rregullore për Financimin dhe Llogaritjen e Fondit të Kompensimit”.

Në nenin 4 të draft rregullores ekziston dispozita ku kompanitë obligohen që ta lënë rezervën prej 3 milionë euro në këtë fond.

“Shuma minimale e Fondit të Kompensimit nuk mund të jetë më e vogël se 3,000,000 (tre milion) euro për tremujorin ushtrimor/përkatës ose ¼ e shumës së përgjithshme të llogaritur sipas nenit 5 paragrafët 1 dhe 2 të kësaj rregullore, cilado që është më e lartë”, thuhet në draftin e kësaj rregulloreje.
Megjithatë ky nen nuk është integruar në versionin final të rregullores, e cila u miratua në dhjetor të vitit të kaluar, në mbledhjen e fundit për 2017 të Bordit të BQK-së. Aty vetëm thuhet se “siguruesit (kompanitë) anëtarë të Byrosë janë të obliguar të financojnë Fondin e Kompensimit në baza tremujore, brenda 15 ditëve nga dita e pranimit të njoftimit nga Byroja”, thuhet në versionin final të rregullores, në të cilën nuk figuron neni i draftit të kësaj rregullore i cili parashihte që në fond gjithmonë të jenë rezerva çdo herë minimumi tre milionë euro.

Dhjetëra ankesa nga qytetarët ndaj kompanive të sigurimeve

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë pranuar se fillimisht në sektor kishte qarkulluar drafti i rregullores me kriterin prej 3 milionë eurosh, por nuk kanë sqaruar se pse i njëjti nuk është përfshirë në versionin final.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) vetëm gjatë vitit 2017 ky institucion ka pranuar gjithsej 10 ankesa nga përdoruesit e shërbimeve financiare kundrejt Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
“Rregullorja e amandamentuar nuk pengon Byronë Kosovare të Sigurimit të paguaj me kohë palët e dëmtuara, përkundrazi stimulon dhe inkurajon Byronë Kosovare të Sigurimit që të paguaj dëmet e paraqitura. Për informimin tuaj, BQK-ja gjatë vitit 2017 ka pranuar gjithsej 10 ankesa nga përdoruesit e shërbimeve financiare kundrejt Byrosë Kosovare të Sigurimit, prej të cilave 3 ankesa ishin për mos kompensim të dëmit”, ka thënë zyrtari për informim në BQK, Besnik Kada.

Kërkesa për ndryshimin e kësaj rregulloreje nga ana e kompanive të sigurimeve është bërë në muajin korrik të vitit 2017, përkatësisht me 19 korrik 2017.

Sipas Kadajt, pas pranimit të kërkesës, BQK-ja ka analizuar kërkesën dhe pas konsultimeve me kërkesat e legjislacionit në fuqi, krahasimit me vendet e regjionit, arsyetimit të përgatitur nga kompania ndërkombëtare e auditimit lidhur me këtë çështje, dhe pas konsultimeve me industrinë e sigurimeve, BQK-ja ka amandamentuar Rregulloren për Financimin dhe Llogaritjen e Fondit të Kompensimit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

“Sipas kornizës ligjore në fuqi, përkatësisht Ligjit për Sigurimet, një nga përgjegjësitë kryesore të BQK-së është të sigurojë mbrojtjen e interesave të policëmbajtësve dhe të dëmtuarve. Bazuar në këtë, rregulloret e nxjerra dhe të aprovuara nga ana e BQK-së kanë për qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e interesit të policëmbajtësve. BQK-ja në asnjë mënyrë nuk nxjerr dhe përcakton standarde të cilat do të dëmtonin në çfarëdo forme interesin dhe mbrojtjen e policëmbajtësve, e me këtë edhe me rastin e ndryshimit të kësaj rregulloreje”, ka thënë ai. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!