Gjendja ekzistuese e konfliktit të ngrirë u cimentua sot – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
1 °C

Gjendja ekzistuese e konfliktit të ngrirë u cimentua sot

Shkruar nga: Milazim KRASNIQI

22:46 | 09 Shtator 2018

Fjalimi i sotëm i Vuçiqit në Mitrovicë, faktikisht shënoi një hap prapa në planet e tij aneksioniste. Ai në fakt shpalli statu quonë, mbajtjen e konfliktit të ngrirë, e jo ndonjë propozim të ri. Pse mund të thuhet kështu?

1. Vuçiqi e shpalli Millosheviqin “lider të madh serb”, pra, nuk u shkëput nga trashëgimia e politikës serbe të gjenocidit. Bile, shprehu keqardhje që ai plan nuk u realizua.

2. Vuçiqi deklaroi se pranim të shtetit të Kosovës nuk do të ketë, që d.m.th. se vazhdon statu quoja edhe në këtë aspekt. Bile tha se kurrfarë marrëveshjeje nuk mund të arrihet para 10 ose 20 vjetëve, me çka i nxori në rrenë politikanët tanë që deklarojnë shpesh se si gjoja Serbia do të na njohë shpejt e ashtu Kosova do të anëtarësohet në OKB.

3. Falënderim të posaçëm shprehu për Rusinë, me çka e cimentoi edhe vazhdimin e partneritetit strategjik serbo-rus.

4. Tha se Serbia nuk do të hyjë në NATO, që poashtu është element i një statu quoje. 6. Vazhdoi kursin që ka kohë që e ndjek deklarativisht se angazhohet për paqe, për kompromis e marrëveshje me shqiptarët. Nuk përmendi as bashkësinë e komunave serbe! Për ata që thonë se Vuçiqi angazohet për shkëmbimin e territoreve, thjesht tha: “gënjejnë!”.Pra, edhe në këtë pikë, ai mbeti brenda gjendjes ekzistuese, të konfliktit të ngrirë, ashtu si ka kërkuar Kisha Ortodokse Serbe dhe një pjesë e opozitës.

Çka ishte e re në fjalimin e Vuçiqit? E re ishte pranimi i disfatave ushtarake të Serbisë në tre luftëra dhe kritika ndaj mentalitetit megalloman të popullit serb. Bile ky ishte mesazhi kryesor i tij, pra, dekonstruktimi i mitomanisë serbomadhe.

Për mendimin tim, si fillim është deklarim shumë i guximshëm. Në këtë frymë, ndonëse shumë më i rezervuar, pati filluar të fliste Ivan Stambolliqi në mesin e viteve tetëdhjetë, gjë që u bë shkas që nacionalistët, me Millosheviqin në krye, ta rrëzonin nga pusheti. (Disa vite më vonë, ai përfundoi i vrarë dhe i hedhur në një gropë me gëlqere.) Por, për t’u shndërruar deklarimi i Vuçiqit në veprim, don kohë e guxim shtesë. Ama, e vërteta mbetet, na pëlqeu a nuk na pëlqeu, Vuçiqi është lider i guximshëm dhe ndoshta është lideri më i madh serb pas Nikolla Pashiqit.

Politikanët tanë duhet ta marrin para sysh këtë fakt. E vetmja zgjidhje për ta përballuar fuqinë e tij në të ardhmen është formimi i një qeverie me bazë të gjerë, e cila nuk varet nga lista e Vuçiqit dhe e cila e harton dhe ka kapacitete ta zbatojë një program të mirëfilltë të ndërtimit të shtetit. Ndryshe, me Vuçiqin në krye të Serbisë, Kosova nuk mund të dalë nga konflikti i ngrirë. Ai u cimentua sot. (9 shtator 2018).

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!