‘Godet’ Aleksandër Lumezi, thotë se egziston një grup i financuar që dëshiron rrënimin e autoritetit të Kryeprokurorit të Shtetit – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

‘Godet’ Aleksandër Lumezi, thotë se egziston një grup i financuar që dëshiron rrënimin e autoritetit të Kryeprokurorit të Shtetit

14:12 | 20 Nëntor 2017

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi, në paraqitjen e tij të parë publike, ka folur për hetimin ndaj dosjes së tij të jurisprudencës, që përfundoi javën që shkoi, pasi dyshimet u ngritën nga një i dënuar për korrupsion. Lumezi, në një tryezë me gazetarë, ka ndërlidhur sulmet e fundit ndaj tij me akuzat e hedhura, po ashtu, në publik ndaj tij për vrasje dhe korrupsion dhe me vjedhjen e kryer para një viti në shtëpinë e tij private. Sipas Lumezit, krejt këto janë kërcënime ndaj tij, për punën e mirë të organit të akuzës, në krye të të cilit qëndron.

Aleksandër Lumezi ka përsëritur se qëndron i bindur se sulmet ndaj tij, qoftë ato të paraqitura në disa media, por edhe ato të ngritura nga Enver Hasani, një ditë pasi u dënua për korrupsion në UP, kanë të bëjnë me punën e tij dhe të Kryeprokurorisë.

Ai ka shkuar edhe më tej, dukë thënë se pretendimet e ngritura për dosjen e tij të provimit të jurisprudencës ndërlidhen me akuzat për vrasje e korrupsion të ngritura një ditë para se të dekretohet Kryeprokurori i Shtetit. Madje, ai thotë se siç ai e quan i njëjti grup ka kryer edhe vjedhjen në shtëpinë e tij, në nëntor të vitit të kaluar.

“I njëjti grup, duke përjashtuar mediet, i kanë shkruar presidentes së Kosovës në ditën kur është dashur të bëhet dekretimi im, se unë jam vrasës dhe njeri i korruptuar 200 milionë euro, i njëjti grup ka organizuar, nuk ka informacione të sakta, hyrjen në shtëpinë time në 3 të natës me maska dhe armë në dorë, për të më frikësuar dhe ndalur në punën time”, ka thënë Lumezi në tryezën e organizuar për gazetarët dhe përfaqësues të organeve të rendit, ku është diskutuar për lirinë dhe sigurinë e medieve në Kosovë.

“Dua të ju them se këtu kemi të bëjmë me një grup i cili është i strukturuar, i organizuar dhe i financuar me qëllim që të rrënohet dinjiteti dhe autoriteti i Kryeprokurorit të Shtetit, por jo vetëm i individit, por edhe i tërë sistemit prokurorial”, ka shtuar kryeprokurori kosovar, duke aluduar tutje se krejt ka të bëjë me, siç thotë ai, punën e mirë dhe efikase që është bërë prej kur ka ardhur në krye të organit të akuzës.

“Kjo çështje ka përfunduar, edhe pse pas një raporti zyrtar të institucioneve kompetente, prapë ka tendenca që të përsëriten sendet e njëjta që janë thënë më herët”, tha ai duke folur për raportimet rreth dosjes së tij, që pasuan me hetim, i cili u mbyll të martën e shkuar nga Prokuroria e Shtetit”, raporton Gazeta Express.

Hetimi i kryer nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ka pasur me publikimin e dëshmive të plota të cilat hedhin poshtë çdo pretendim të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, të bëra në ditën kur u dënua për korrupsion sa ishte rektor i UP-së, se Lumezi e ka dosjen të manipuluar. Gjetjet përfundimtare të hetimit zyrtar, të kryer nga Prokurori Kujtim Munishi, të monitoruara nga një prokuror i huaj i EULEX-it, janë se “dosja e z. Lumezi për provimin e jurisprudencës është konform dispozitave dhe procedurave të atëhershme për administrimin e këtij provimi” dhe se “Lumezi në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin e jurisprudencës”.

“Ju e dini shumë mirë që unë kam prezantuar certifikatën e dhënies së provimit të jurisprudencës dhe gjithë regjistrin origjinal të Ministrisë së Drejtësisë ku vërtetohet se unë e kam dhënë provimin e jurisprudencës. Ndërsa gazetarët kanë manipuluar me dokumentacionin, i cili ka qenë në arkivin e Kosovës i pasistematizuar, siç e ka deklaruar edhe një zyrtar i Arkivit të Kosovës. Për atë dokumentacion nuk ka kurrfarë të dhëna që është pranuar me ndonjë procesverbal zyrtar, dhe nuk dihet as emri i personit i cili e ka dorëzuar atë dokumentacion, por as emri i personit i cili e ka pranuar atë”, ka thënë Lumezi.

“Ju e keni parë që shumë persona që janë intervistuar në media, kanë dhënë deklarata në disfavorin tim, ndërsa në momentin kur janë intervistuar në mënyrë ligjore, kanë dhënë deklarata krejtësisht të kundërta. Kjo tregon se ata njerëz kanë qenë të manipuluar dhe nga pyetjet të cilën e keni parashtruar ju, me pyetje sugjestive që faktikisht e kanë dhënë edhe përgjigjen, e kanë krijuar një opinion kinse dosja ime është e falsifikuar”, ka vazhduar tutje Kryeprokurori, në pyetjen e gazetares së njërit prej mediumeve, i cili ka raportuar për dosjen e tij.

“Kurrë nga viti ’91 deri në 2017 nuk është kontestuar dhënia e provimit të jurisprudencës time. Kam kaluar të gjitha fazat e verifikimit”, ka thënë ndër të tjera Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!