Hadi Shehu, i la kombit tonë një kujtim të shtrenjtë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Hadi Shehu, i la kombit tonë një kujtim të shtrenjtë

Shkruar nga: Milazim Krasniqi

21:35 | 12 Mars 2017

Megjithëse, vepra monumentale që na e la trashëgimi si vlerë të përhershme, e zbutë edhe dhimbjen më të thekshme. Me artin që krijoi, ai vërtet i dha kuptim jetës së vet, sikundër që edhe kombit tonë i la një kujtim të shtrenjtë.
Krahas faktit që ishte njeri i mirë, Hadi Shehu ishte aktor i përmasave botërore. Ai nuk i pati mundësitë që ta shpaloste talentin e tij në ato përmasa, për faktin se i përkiste një populli të robëruar e një kulture të shtypur barbarisht.

Por, edhe me mundësitë minimale që pati, ai thjesht shkëlqeu. Hadiu e ngriti lart dinjitetin e aktorit shqiptar. E ngriti lart vlerën e skenës. E ngriti lart vlerën e artit. E ngriti lart, sepse ishte një mbret i skenës. Mbaj mend se kur e formësonte në skenë mbretin Gent, të dramës sime ‘Monedha e Gentit”, temperatura në sallën kur mbaheshin provat ishte nën 10 gradë.

Puna në aso kushtesh, ishte një tmerr. Po edhe në atë tmerr, Hadiu në skenë shkëlqente dhe pothuajse fluturonte, edhe pse i ishin shfaqur problemet shëndetësore. Nuk arrija ta kuptoja atë gjallëri të tijën, e cila mbretin tim fatkeq po e përjetësonte shumë më thellësisht se sa i kisha imagjinuar vetë.

Ndërsa, në premierë, para kund 600 spektatorëve, Hadiu atë sallë të ftohtë e shndërroi në një amfiteatër gjigand, në mos në një kolloseum tronditës. Hadi Shehu bëhej vetvetiu epiqendra e skenës, pavarësisht rolit që luante. Vërtet besoj se Hadiu ishte i lindur që të ishte mbret i skenës.


Meqë edhe qëndrimi në fron, e ka një fund të hidhur, edhe ndarja e Hadiut nga skena e pati po atë idhtësi. Ndarja e tij nga jeta gjithsesi e ka shumë më të theksuar idhtësinë. Por, kjo është rruga në të cilën të gjithë jemi udhëtarë drejt një fundi në këtë botë. Janë me fat më të madh ata që e mbyllin ketë jetë me nder, duke lënë pas vetes edhe vepra të mira, që t’u shërbejnë brezave. Hadiu e pati këtë fat.

Lutem që tash Zoti i Botëve ta marrë në mëshirën e Tij të pafundme. (12 mars 2017)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!