HIB Petroli e mashtroi Komunën e Prishtinës, thotë Prokurori – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
20 °C

HIB Petroli e mashtroi Komunën e Prishtinës, thotë Prokurori

22:18 | 07 Maj 2018

Në gjykimin e Kujtim Bucaliut dhe kompanisë HIB Petrol Sh.P.K, për mashtrim të Komunës së Prishtinës për furnizimin e kësaj të fundit me naftë jocilësore, përfaqësuesi i HIB-it, Shkelzen Kika, është mbrojtur në heshtje ndërsa prokurori ka kërkuar dënim për të akuzuarit.

Prokurori i çështjes Atdhe Dema në fjalën përfundimtare kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i ndëshkojë sipas ligjit pasi që, sipas tij, të akuzuarit janë fajtorë për kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohen.

“Nga provat e nxjerra në shqyrtim u vërtetua në mënyrë të plotë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale si në aktakuzë, duke e vërtetuar në tërësi vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale. Po ashtu, u vërtetua në tërësi se veprën penale të akuzuarit e kanë kryer me dashje duke i marrë për bazë të gjitha provat, analizat dhe ekspertizat të cilat veçse janë analizuar gjatë këtij shqyrtimi”, tha prokurori Dema, raporton Kallxo.com.

Ai i kërkoi Gjykatës që të mos i falë besimin deklaratave të mbrojtjes ngase sipas prokurorit deklaratat e tyre nuk gjejnë mbështetje në asnjë provë të administruar gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.

“Nisur nga këto që u thanë më lartë dhe nga e tërë rrjedha e procedurës që nga fillimi e gjer në fund i propozoj Gjykatës që mbrojtjes së të akuzuarve të mos i kushtojë besim. E njëjta nuk gjen besim në asnjë provë relevante, respektivisht nuk gjen mbështetje në asnjë provë të nxjerrë në shqyrtim kryesor”, deklaroi prokurori.

Seanca e radhës do të mbahet më 15 maj, ku pritet që fjalën përfundimtare ta paraqesin Komuna e Prishtinës si dhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Sipas aktakuzës, Kujtim Bucaliu si personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, në intervalin kohor prej 8 shkurt të vitit 2012 e deri më 30 janar të vitit 2014, pas nënshkrimit të kontratës Kornizë Publike e lidhur në mes HIB Petrol Sh.P.K dhe të dëmtuarës Komunës së Prishtinës për furnizimin e 44 institucioneve edukative-arsimore brenda territorit të Komunës së Prishtinës me naftë për ngrohje dhe gjeneratorë, tani i pandehuri, personi përgjegjës i personit juridik HIB Petrol Sh.P.K me vetëdije ka mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës, në vazhdimësi me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të fondeve publike.

Në aktakuzë thuhet se personi juridik HIB Petrol Sh.P.K, gjatë ekzaminimit të kontratës së lartcekur, pasi paraprakisht ka siguruar vajra gazore për ngrohje nga burime të paidentifikuara, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve përmes fletëpagesave lidhur me përmbajtjen dhe cilësinë e naftës sipas specifikacioneve të kontratës së lartcekur e mashtron dhe e nxit Komunën e Prishtinës që të veprojë në dëm të pasurisë së saj, duke i ofruar produktin e naftës që nuk përkon me kriteret dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës të parapara për vlerën e konformitetit të lëndës djegëse, në këtë mënyrë duke kaluar deri në 80 herë më shumë prezencën e sulfurit në naftë duke i shkaktuar kështu dëm në shkallë të madhe të dëmtuarës – Komunës së Prishtinës.

Me anë të këtyre veprimeve, Kujtim Bucaliu akuzohet për veprën penale të mashtrimit si dhe personi juridik HIB Petrol Sh.P.K për mashtrim të blerësve.

Ky gjykim është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!