Ideja e Jevtiçit për komunën e Prelluzhës në funksion të fushatës – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Ideja e Jevtiçit për komunën e Prelluzhës në funksion të fushatës

Shkruar nga: Bahri Bivolaku

11:38 | 09 Tetor 2017

Fshati Prelluzhë është fshat i komunës së Vushtrrisë. Ky fshat është i banuar me popullatë shumicë të etnisë serbe, por në të cilën jetojnë në një lagje edhe romët, por ka edhe shqiptarë. Fshati është i shtrirë në mes dy lumenjëve Sitnicës dhe Llapit, të cilët më poshtë bashkëdyzohen. Toka në të cilën është e shtrirë fshati është pjellore dhe zotërohet nga shqiptarët e serbët. Ky fshat i tëri kufizohet me fshatra të banuara nga shqiptarët, që dikur e bënin një bashkësi lokale. Në Prelluzhë vepron Këshilli i Fshatit, Këshilli Lokal për Siguri në Bashkësi, këshill ky në të cilin prelluzhanët përfaqësohen me një përfaqësues sikur edhe gjashtë fshatrat tjera përreth të banuara me shqiptarë. Në fshatin Prelluzhë veprojnë zyrat e shtetit të Kosovës, por edhe ato të Serbisë. Banorët e këtij fshati bëjnë jetën mes këtyre dy realiteteve dhe një gjysmë integrimi institucional. Kanë një përfaqësues, pra ansambleist në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë. Liria e lëvizjes së tyre në tërë territorin e Vushtrrisë, por edhe të Kosovës është term që me vite është i harruar dhe banorët nuk jetojnë të getoizuar. Supozohet se fshati t’i ketë rreth 2500 banorë, sipas tyre. Por, është e vështirë të vërtetohet, pasiqë në regjistrimin e fundit të popullësisë dolën të jenë pak mbi 350 qytetarë të këtij nacionaliteti. Të ndihmuar nga shteti i Serbisë, mbajnë sistemin arsimor në dy nivelet, gjersa për superiorin udhëtojnë drejtë në jugun e Mitrovicës, në Prishtinë dhe Serbi. Pozicion i ngjajshëm është edhe në sistemin shëndetësor dhe këto realitete gjithsesi duhet të zhbëhen me veprime politike. Në fshat ekziston dhe vepron shoqëria kulturore Abrasheviç, klubi i futbollit Radnik, por që ende mbetet për t’u dëshiruar që plotësisht të kyçen në jetën institucionale të komunës. Në zyrën për komunitete të Vushtrrisë janë të punësuar mbi 15 qytetarë të nacionalitetit serb, romë etj.

Ideja për krijim të komunës së Prelluzhës, ide e regresit dhe getoizimit e jo hapjes e zhvillimit

Në aneksin e planit të Ahtisarit është e vërtetë se në një nga nenet e tij, sa më kujtohet neni 12 lihet mundësia ligjore e krijimit të komunave të reja nëse plotësohen ca kushte apo kritere dhe ky fshat me ca të komunës së Obiliqit mendojnë që mund të krijojnë komunë, por realiteti nuk është i tillë, as ai gjeografik, demografik e më së paku ai ekonomik. Ideja e tillë për krijim të komunës së Prelluzhës është ide e regresit dhe e getoizimit dhe si e tillë nuk u shërben vet banorëve të varfër të kësaj ane për hapje, integrim të plotë dhe zhvillim ekonomik. Që në kohën e hartimit të planit të Ahtisarit dhe ekzistencës së kësaj klauzole, publikisht pata reaguar se ky lloj decentralizimi që mëton të zbatohet në Kosovën e vogël nuk është perspektiva e saj dhe se do të duhej të dështojë nga arsyeja e mosqëndrueshmërisë, para së gjithash ekonomike. Kjo edhe po ndodhë në komunat e vogla, të cilat nuk po arrijnë ta bartin koston e ekzistencës së tyre. Pushtetet lokale, Qeveria e Kosovës, por edhe delegacionet e Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel duhet të punojnë që realitetet e pushtetit serb në këto fshatra të zhbëhen dhe Kosova, përkatësisht pushtetet lokale të marrin obligimet e tyre institucionale. Prelluzha nuk mund të ndalet së krijuari komunë me grafite të shkruara mureve të hapësirave publike të Vushtrrisë e as me deklarime populliste të kohës së viteve të 90-ta. Pushteti lokal bashkë me atë qendror duhet të sillen karshi problemeve të tilla me ofertë të qartë të zhvillimit ekonomik e mirëqenies së fshatarëve e konkretisht të fshatit Prelluzhë, fshat ky që lidhë dhjetëra fshatra tjera shqiptare, drejt kryeqendrës së Kosovës. Hapja dhe qëndrimet politike të përgjegjshme institucionale janë rruga për të penguar idetë e tilla, të tjerat janë rrugë politike të barrikadimeve, të cilat nuk përkojnë me politikën e Kosovës së vitit 2017.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!