Imazhi, i dëmtuar rëndë, i Lëvizjes Vetëvendosje – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
15 °C

Imazhi, i dëmtuar rëndë, i Lëvizjes Vetëvendosje

Shkruar nga: Shemsi Reçica

12:18 | 10 Janar 2018

Në aktivitetet e bujshme të saj, njerëzit e LVV-së kanë investuar aq kohë dhe aq punë, dhe kanë bërë aq sakrifica e kanë pësuar aq shumë. Janë keqtrajtuar në vazhdimësi, janë dënuar me arrest shtëpiak, janë mbajtur në paraburgim, janë dënuar edhe me burg dhe ende, edhe sot e gjithë ditën, ata po përballen me gjykatat e Kosovës. Dhe jo vetëm kaq. Aktivitetet e LVV-së i kanë dënuar publikisht edhe rivalët politikë të saj, pastaj pjesa më e madhe e mediave dhe e shoqërisë civile në Kosovë, madje edhe zyrat e ambasadave në Prishtinë, – por ata nuk janë thyer.

*****
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), që nga themelimi e deri në ditët e sotme, u identifikua dhe u bë e njohur, brenda dhe jashtë Kosovës, – me “luftën“ e saj të vendosur, të ashpër e pa asnjë kompromis kundër, pothuaj, të gjithëve:
– Kundër UNMIK-ut;
– Kundër negociatave pa kushte, me Serbinë;
– Kundër grupit negociator të Kosovës, për bisedimet me

Serbinë, në Vjenë;
– Kundër Pakos së Ahtisarit;
– Kundër decentralizimit në baza etnike;
– Kundër EULEX-it;
– Kundër hyrjes së mallrave të Serbisë në Kosovë;
– Kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike;
– Kundër dhënies me koncesion të Aeroportit të Prishtinës;
– Kundër grupit tjetër negociator për bisedime me Serbinë, tash
në Bruksel;
– Kundër Gjykatës Speciale;
– Kundër Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve
Kosovë-Serbi;
– Kundër Marrëveshjes Kosovë – Mali i Zi, për demarkacionin;
– Kunër Asociacionit të komunave serbe;
– Kundër çdo koalicioni me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në; Etj.

Pa e përmendur këtu “luftën“ e saj, gjithashtu, të vendosur, të ashpër e pa asnjë komprois kundër të gjitha qeverive të pasluftës në Kosovë, sidomos kundër Qeverisë Thaçi, kundër Qeverisë Mustafa dhe, tani në fund, edhe kundër Qeverisë Haradinaj.

Aktivitetet e saj, LVV-ja nuk i ka kufizuar vetëm në deklarata e në angazhime verbale, por i ka shtrirë dhe i ka zhvilluar dhe në terren. Në demonstratat dhe në protestat e saj, në rritje, LVV-ja i ka përmbysur veturat e UNMIK-u dhe të EULEX-it, i ka sulmuar me domate dhe me vezë të prishura negociatorët shqiptarë, ka hedhur ngjyrë të kuqe dhe mjete të forta në ndërtesën e qeverisë, ka hedhur gaz lotësjellës në sallën e kuvendit, ka protestuar edhe jashtë Prishtinës, deri në Merdar dhe te Dheu i Bardhë, në kulmin e acarit, kundër hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, etj.

Në gjithë këto aktivitetet të bujshme, njerëzit e LVV-së kanë investuar aq kohë dhe aq punë, dhe kanë bërë aq sakrifica e kanë pësuar aq shumë. Janë keqtrajtuar në vazhdimësi, janë dënuar me arrest shtëpiak, janë mbajtur në paraburgim, janë dënuar edhe me burg dhe ende, edhe sot e gjithë ditën, po përballen me gjykatat e Kosovës. Dhe jo vetëm kaq.

Aktivitetet e LVV-së i kanë dënuar publikisht edhe rivalët politikë të saj, pastaj pjesa më e madhe e mediave dhe e shoqërisë civile në Kosovë, madje edhe zyrat e ambasadave në Prishtinë, – por ata nuk janë thyer.

Përkundër këtij fronti, të gjerë, kundër LVV-së, në krahë të saj kanë qëndruar “vetëm“ zgjedhësit, në rritje, të LVV-së. Në zgjedhjet e parafundit parlamentare, votat e zgjedhësve e bënë LVV-në forcën kryesore opozitare, ndërsa në zgjedhjet e fundit, e avansuan në forcën më të madhe politike në vend, duke i lënë prapa partitë e mëdha, deri në këto zgjedhje, PDK-në dhe LDK-në.

Suksesi i LVV-së, u vlerësua nga shumëkush si befasia më e madhe e zgjedhjeve parlamentare të 2017-shit, por ende pa përfunduar analizat dhe komentet rreth tyre, ndodhi si në një qiell pa re, befasia tjetër, edhe më e madhe – përçarja e thellë brenda lidershipit të LVV-së, që e la nën hije befasinë e parë. Përçarjet u pasuan me dorëheqjen e Kryetarit të saj, Visar Ymeri, dhe me dorëheqje të tjera, serike, të drejtuesve të njohur të saj, nga të gjitha funksionet në parti.

Zhvillimet dramatike, brenda LVV-së, po vazhdojnë ende dhe ende nuk dihet as kahu që do marrin ato, por, tashmë, dihen dy gjëra: e para, imazhin e LVV-sëj, të krijuar me sakrifica të mëdha dhe për shumë vjet, nga të gjithë anëtarët e saj, e ka dëmtuar rëndë vetë lidershipi i saj, dhe, e dyta, LVV-ja, tashmë e ka marrë tatëpjetën.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!