Integrimi ekonomik Kosovë-Shqipëri, si patriotizëm prej vërteti

13:13 | 06 Dhjetor 2018

Në Pejë, duart e dy kryeministrave shqiptarë u bashkuan mbi flamurin kombëtar, por që nga pavarësia e Kosovës në shkurt 2008, po bëhen më shumë se 10 vite e gjysmë pritshmëri dhe ndjeshmëri e lartë e shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit, sidomos e sipërmarrjeve, për unifikimin e procedurave doganore mes të dyja vendeve tona. Kësaj shprese nuk i është përgjigjur askush seriozisht si nga Tirana, ashtu edhe nga Prishtina. Nuk është as tabu, as sakrilegj të flasësh për bashkim doganor. Unifikimi doganor është vetëm një nga elementët e Procesit të Berlinit. E rrugëtimit të integrimit ekonomik ndërmjet shteteve të Ballkanit Jugperëndimor.

Ai përbën një prelud, një parapërgatitje të një bashkimi doganor me BE-në. Samiti i Triestes, i mbajtur në 12 korrik 2017, vuri theksin tek angazhimi i përbashkët për të afruar më tej vendet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, nëpërmjet nismave si “Zona Ekonomike Rajonale” dhe Traktati i Komunitetit të Transportit, si etapa e radhës e Procesit të Berlinit, në vazhdën e samiteve të organizuara në Berlin (2014), Vjenë (2015) dhe Paris (2016). Në këtë samit, gjashtë vendet e Ballkanit Jugperëndimor, përfshirë edhe Kosovën dhe Shqipërinë, miratuan Planin e Veprimit Shumëvjeçar për një Zonë Ekonomike Rajonale në Ballkanin Perëndimor. Krijimi i Zonës Ekonomike Rajonale nuk është një karshillëk apo alternativë ndaj Bashkimit Evropian, por një angazhim i përbashkët për të plotësuar Kriterin Ekonomik të Kopenhagenit, që të integrohemi më mirë dhe më shpejt me BE-në. Bashkimi Evropian është financues i pikës së përbashkët doganore në Morinë-Vërmicë.

Edhe ai ka pritshmëri të lartë për të parë tek Shqipëria një ekonomi të fortë, me protagonizëm rajonal dhe institucionalisht të pjekur për t’u bashkuar me tregun e përbashkët evropian. Lind pyetja: si iu përgjigjëm ne si qeveri kësaj klime pozitive bashkimi ekonomik? Duke bërë praktikisht asgjë konkrete. KLSH, në një auditim të performancës, të zhvilluar këtë vit është përpjekur t’i japë përgjigje pyetjes: “A ka qenë efektive veprimtaria e autoriteteve tona shtetërore (të Shqipërisë) në drejtim të unifikimit të pikave doganore me Kosovën”? Dhe ka gjetur se marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive dhe ministrive përkatëse janë vetëm dhe thjesht një formë e shprehjes së vullnetit të mirë. Ato nuk janë shndërruar në politika të mirëfillta qeveritare, në strategji, plan veprimi e masa që të realizonin me përgjegjshmëri dhe me sukses bashkimin doganor me Kosovën.

Nuk ka një strategji të posaçme për unifikimin doganor me Kosovën. Dhe mungesa e këtij interesi konkret dhe vijimësie në veprime, përtej fjalëve të bukura, ka dëmtuar dukshëm besimin e bizneseve në dy anët kufirit. Deri më sot, veprimtaria e Ministrisë sonë të Financave e Ekonomisë dhe e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në unifikimin e pikave doganore është e mangët si proces teknik. Ajo nuk ka krijuar kushtet për një bashkim doganor të shpejtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Nuk është hedhur hapi vendimtar, unifikimi i politikave fiskale, si parakusht për sigurimin e bashkimit doganor. Ende mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ekziston një kuadër rregullator i posaçëm, që të rregullojë marrëdhëniet mes dy vendeve, por vihet re një kuadër i shpërndarë në dispozitat e morive të marrëveshjeve të nënshkruara. Këto marrëveshje e cekin në mënyrë tangente unifikimin e pikave doganore me Kosovën. Ato nuk përfaqësojnë në thelb, formë e përmbajtje, një bazë ligjore të posaçme për zbatim.

Nga mbledhjet e shumta mes të dyja qeverive është përmendur hapja e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit që në fund të vitit 2016. Është për t’u përshëndetur vendimi i orëve të fundit i qeverisë sonë për t’i mundësuar Zyrës Doganore të Republikës së Kosovës që të kryejë procedura doganore në Portin e Durrësit dhe në Porto-Romano, veçse sa mirë që u kujtua, se u deshën gati dy vjet, që nga ngritja e grupit të posaçëm të punës në janar 2017 për pikën doganore kosovare në Durrës, që më në fund të miratonte këtë vendim të thjeshtë. Është një dallëndyshe e mirë, edhe pse e vonuar, për bashkimin doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe ky bashkim nuk është thjesht retorikë patriotike. Dobitë ekonomike të tij janë të qarta dhe të mëdha.

Unifikimi i pikave doganore do të rrisë fluksin e shkëmbimit të mallrave midis dy vendeve, do të nxisë sipërmarrjen e lirë, do të ulë kostot për bizneset si dhe do të rrisë potencialet për thithjen e investimeve të huaja, etj. Në lëmin administrativ, do të ulë kostot administrative e do të rrisë efiçiencën dhe efektivitetin e administratës, përmes kontrolleve të përbashkëta doganore, shkëmbimit të informacionit në kohë reale, analizës së përbashkët të riskut, duke sjellë një menaxhim më të mirë të mbledhjes së të ardhurave doganore dhe forcimin e luftës ndaj kontrabandës dhe korrupsionit. Ja përse na duhet bashkimi doganor si patriotizëm prej vërteti, për të përfituar nga hapja e tregjeve tona. Më mirë vonë, se kurrë, thotë populli.

Komento: