Ishallah nuk të rrehin – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
13 °C

Ishallah nuk të rrehin

Shkruar nga: Fatlum Berisha

20:39 | 15 Janar 2018

E titullova këtë opinion timin kështu sepse kjo është përgjigja që më së shpeshti marr kur i them dikujt se jam në fakultetin e gazetarisë. Ky urim i tyre ka dy anë të medaljes: qëllimin e mirë dhe qëllimin e keq.

Disa nga ata që të thonë “Ishallah nuk të rrehin” hyjnë në atë grupin e njerëzve që e thonë pa ndonjë qëllim të keq në prapavijë. E thonë këtë gjë vetëm se brengosen për jeten tende. Pse të brengosen? Sepse shohin me dhjetëra raste kur gazetarët kërcënohen, linçohen e qe besa edhe grushtohen. Thashë jeten: Po, po dhe nuk e hiperbolizova. Kjo sepse ata që dje morren guximin për të të grushtuar, nesër kanë guximin për të të bërë diçka më të keqe.

Në anën tjetër të medaljes janë ata njerëz të cilet kur thonë “Ishallah nuk të rrehnin” e mendojnë të kundërtën e asaj që e shprehin. Kjo klasë njerëzish e shtojnë edhe një fjali më tepër: “Veç edhe p’e lypni”. Mendojnë se profesioni që ti bën meriton diçka të tillë. Mendimin e tyre ata e argumentojnë me faktin se kinse gazetarëy janë gënjeshtarë, manipulues e propagandues. Mund të ketë të këtillë në këtë profesion, por shumica e gazetarëve të rrahur e kanë pësuar kështu për shkak të raportimit të tyre të bazuar mbi fakte. Për shkak të së vertetës. E verteta për shumëkë është e dhimbshme dhe e hidhur.
Por le ta dijnë këta që mendojnë se gazetarët e meritojnë të rrahen se Liria e Shtypit nuk është ndaluar asnjëherë pavarësisht sfidave me të cilat është përballur.

Për më tepë, kjo liri garantohet edhe me nenin 19-të, si të Organizatës Universale të Drejtave të Njeriut, ashtu edhe në po të njëjtin nen të Konventës Ndërkombëtare mbi të Drejtat civile dhe politike.

“Çdokush ka të drejtën e mendimit pa ndërhyrje. Gjithëkush ka të drejtën e lirisë së shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë për të kërkuar, marrë-dhënë informacione dhe ide të çdo lloji, pavarësisht nga kufijtë, qoftë gojarisht, me shkrim ose në shtyp, në formë të artit, ose me çdo mjet tjetër të zgjedhur prej tij”.

Brenda deklarates thuhet “marrë-dhënë informacione”. Pra, ky është edhe qëllimi i gazetarëve, të marrin e të japin informacione. Nëse i konsideroni ato informacione si shpifje, drejtohuni në gjykatë e jo të vërsuleni me një mori sulmesh fizike e verbale. Dhuna nuk ka qenë dhe nuk do të jetë mjet i cili mund të heshtë gazetarët.

Nga vjen i gjithë ky guxim? Pikërisht si rrjedhojë e një sistemi të kalbur të drejtësisë që nuk shqipton ndonjë dënim për kryerësit e veprës. Këtu sulmuesit marrin hovin për të sulmuar e njerëzit për të lutur që të mos rrahen apo të rrahen gazetaret.

Gazetarët nuk janë frikësuar dhe kurrë nuk do të frikësohen. Kërcënimet, linçimet e grushtet vetëm sa i bëjnë më të fortë. Lutem që shprehja “Ishallah nuk të rrehin”, një ditë të ndryshojë në “Kush guxon të prek një gazetar, Ishallah nuk na denojnë”.

Kjo do të ndryshojë kur do të ndryshojë e gjithë hallka e sistemit të drejtësisë e bashkë me të edhe mentaliteti i njerëzve. Po u godit një gazetar, u godit i gjithë publiku, po u hesht një gazetar, u hesht i tërë publiku !

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!