Ja sa milionë euro qytetarët kanë paguar rrymë të pashpenzuar – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Ja sa milionë euro qytetarët kanë paguar rrymë të pashpenzuar

08:57 | 07 Nëntor 2017

Nga vitit 2012 e deri më tani konsumatorët në pjesë të tjera të vendit kanë paguar nga mbi 8 milionë euro për humbjet komerciale në veri të vendit. Sipas statistikave, vetëm në veri, humbjet komerciale shkojnë deri në 4.5 për qind, ndërkaq shuma totale e kësaj pagese shkon në mbi 40 milionë euro, që nga viti 2012.

Por, përveç veriut, me humbjet komerciale konsumatorët janë edhe më keq. Në total sipas ZRRE-së, humbjet komerciale të energjisë elektrike shkojnë në 16.65 për qind.

Nëse bëhet një llogaritje e thjeshtë matematikore, del se humbjet në pjesën tjetër të vendit, pa veriun janë 12 për qind, e nga viti 2012 për këto humbje komerciale konsumatorët janë ngarkuar me 24 milionë euro në vit.

Pra në total, vetëm për humbje komerciale, konsumatorët janë ngarkuar me energji të pa shpenzuar për një periudhë rreth 10 vjeçare me 240 milionë euro.

Ndërkaq, nëse i llogarisim bashkë, si humbjet komerciale edhe ato të paguara për rrymën e shpenzuar në veri, i bie që konsumatorët e rregullt të kenë paguar 280 milionë euro fatura të energjisë, të pa shpenzuar nga ata.

Humbjet komerciale janë treguar problem shqetësues edhe për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Këto humbje, sipas një draft-raporti të këtij institucioni për vitin 2016, të cilin e ka siguruar Telegrafi, shkojnë në 16.65 për qind në tërë vendin.

“Shqetësuese mbeten humbjet komerciale, që janë mjaft të larta, të cilat përbëjnë 16.65% të konsumit total në shpërndarje. Nga kjo, energjia e pa faturuar në pjesën veriore të Kosovës (252 GWh) përbën rreth 5.24% të kërkesës së shpërndarjes, pjesë kjo ku dominon minoriteti serb, ndërsa krahasuar ndaj humbjeve komerciale në shpërndarje përbënë 31.5%”, thekson Draft raporti i ZRRE-së për vitin 2016.

E, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se është e padrejtë që qytetarët të ngarkohen me diçka që nuk e kanë shpenzuar.

Sipas tij, çdo ngarkesë që i është bërë qytetarëve me fatura të energjisë elektrike duhet kompensuar.

“Do të duhej që ky kompensim për pagesën e bërë tu kthehej qytetarëve. Kam tentuar që të kursej qytetarët dhe këtë e kam marr (si obligim) si avokat i popullit për të bërë padi, në kompensimin e dëmit që është shpenzuar. Kjo barrë që i është bërë qytetarit t’i kompensohet në faturat e ardhshme”, ka thënë Jashari.

Deri në shqyrtimin përfundimtar, sipas tij, vendimi gjyqësor për pezullim do të duhej të gjente zbatim të menjëhershëm nga ZRRE-ja.

“Vendimi i pezullimit nga Gjykata do duhej të merrte zbatim të menjëhershëm sepse ka marr formën e prerë, kuptohet në ankimim dhe procedurë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Se konsumatorët ngarkohen në mënyrë të paligjshme e pranojnë edhe zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në profilin tij në Facebook, ka thënë se nuk pajtohet që konsumatorët të ngarkohen paligjshëm me faturimin e energjisë eklektike nga mos pagesa në veri.

Por mos pagesa sipas tij, nuk duhet tu faturohet konsumatorëve të cilët paguajnë faturat. “Mos pagesa e energjisë i shkakton humbje operatorëve të energjisë, mirëpo kjo nuk e arsyeton assesi faturimin e kësaj humbje qytetarëve tjerë”, tha ai.

Sipas tij, shpenzimet dhe ngarkesat e tilla do të hiqen nga tarifimi për vitin 2018. “ZRRE nuk ka bord funksional që nga muaji maj dhe tashmë jemi në proces të përzgjedhjes së dy anëtarëve të rinj në këtë institucion, që edhe e mundëson marrjen e vendimeve të ndryshme. Rekrutimi i dy anëtarëve shtesë do të realizohet brenda muajit dhjetor të këtij viti”, ka premtuar ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka.

Sipas tij, çështja e veriut të vendit, është politike për të cilën duhet gjetur një zgjidhje e shpejtë dhe e ligjshme.

Ndërkaq, zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj – Bajrami nuk ka sqaruar për humbjet komerciale në veri por edhe në pjesë të tjera të vendit.

Sipas saj, vendimet e ZRRE-së janë të bllokuara nga mos plotësimi i bordit.

“Humbjet e energjisë elektrike janë një nga komponentët përbërës të të Hyrave të Lejuara Maksimale të ndërmarrjeve të cilat i nënshtrohen rregullimit të çmimeve. Nga të Hyrat e Lejuara Maksimale kalkulohet tarifa e energjisë. Çdo vlerësim i të Hyrave të Lejuara Maksimale i nënshtrohet proceseve të rregulluara me ligjet e energjisë dhe rregullat e tjera për përcaktimin e çmimeve. Vendimet, sipas këtyre ligjeve dhe rregullave, merren nga Bordi i ZRRE, i cili aktualisht ka vetëm dy anëtar dhe nuk mund të marr asnjë vendim për shkak të mungesës së kuorumit”, ka qenë përgjigja e Murtezaj – Bajramit.

Ajo thotë se sipas Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, seancat e Bordit mund të mbahen nëse ekziston kuorumi, pavarësisht nëse ka një apo dy pozita të lira në Bord.

“KEDS, kur mori përsipër operimet e distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike vazhdoi aplikimin e politikave të themeluara nga ZRRE-ja si trupë politikbërëse në sektorin e energjisë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë çdo politikë të vendosur nga ZRRE siç edhe e kemi në përgjegjësi”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!