Janë investuar miliona, por ja çfarë po ndodh me energjinë në Kosovë – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Janë investuar miliona, por ja çfarë po ndodh me energjinë në Kosovë

17:39 | 02 Mars 2018

Që nga mbarimi i luftës, qytetarët e Kosovës janë përballur me reduktime të energjisë elektrike. Ka pasur ndonjë vit a një periudhë kohore kur furnizimi ka qenë më i mirë, por në anën tjetër ka pasur edhe reduktime të shumta, ku më të theksuarat janë në zonat rurale sesa në ato urbane.

Duhet veçuar se që nga vitit 1999 janë bërë investime të shumta në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), por përkundër këtyre investimeve të mëdha, gjendja nuk është përmirësuar aq sa është pritur.

Në vazhdimësi ka pasur raportime dhe dyshime se ka pasur keqpërdorime të miliona eurove në KEK nga menaxhmenti, por edhe nga ndërkombëtarët.

Edhe pse përmenden qindra miliona euro të investuare në KEK, çuditërisht nuk dihet saktësisht se sa para janë dhënë aty. Këtë e ka deklaruar ditë më parë në media edhe zv.kryeministri Fatmir Limaj. Ai ka thënë se nuk dihet sa para janë investuar në KEK që nga mbarimi i luftës.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se që nga përfundimi i luftës janë investuar mbi 1.2 miliardë euro në sektorin e energjisë. Por as këto para që supozohet se janë investuar apo dedikuar për KEK-un, nuk e kanë zgjidhur problemin energjetik në Kosovë. Edhe në ditët e fundit Kosova është përballur me reduktime të shumta të energjisë elektrike.

Gjithashtu, qindra miliona euro llogariten investimet që janë realizuar në termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, që nga viti 2013 kur edhe është privatizuar rrjeti kosovar i shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike nga konsorciumi turko-amerikan, “Çalik -Limak”.

Pas privatizimit të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike (KEDS) nga konsorciumi në fjalë për vetëm 26 milionë euro, është pritur që furnizimi do të përmirësohet dukshëm, por kjo nuk ka ndodhur. E vetmja që ka ndryshuar është fakti se KEDS si shpërndarës e akuzon KEK-un si prodhues që nuk është duke prodhuar energji elektrike mjaftueshëm, ndërsa në anën tjetër KEK është kundërpërgjigjur se është duke prodhuar mjaftueshëm aq sa për të pasur furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Vjetërsia e termocentraleve vazhdimisht është përmendur si arsye kryesore e mungesës së këtij produkti që prodhohet në këtë korporatë.

Vetëm nga buxheti vetanak i KEK-ut, pas privatizimit, thuhet se janë investuar 76 milionë euro në dy termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Ndërkaq ka pasur deklarata nga zyrtarë të KEK-ut, ku është thënë se që nga viti 2003 e deri në vitin 2016, më shumë se 400 milionë euro janë investuar në dy termocentralet e KEK-ut, kurse nuk dihet se sa është vlera e donacioneve.

Sipas zyrtarëve të KEK-ut, investimet janë bërë kryesisht në gjenerator, pompat furnizuese me avull dhe zvogëlimin e ndotjes së ambientit.

Pavarësisht investimeve, Termocentrali “Kosova A” që përbëhet nga pesë blloqe, do të mbyllet së funksionuari në vitin 2023, kur pritet të përfundojë dhe vihet në funksion Termocentrali “Kosova e Re”.

Ndryshe, pas më shumë se një dekadë përgatitjesh në fund të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës ka arritur të nënshkruajë marrëveshjen komerciale më kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Ndërtimi i këtij termocentrali, kap vlerën prej rreth 1.3 miliardë euro, do të jetë një katalizator i fuqishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës. Gjatë fazës së ndërtimit pritet të punësohen rreth 10 mijë persona, kurse pas përfundimit të fazës së ndërtimit, në punë do të mbesin 500 punëtorë.

Pas ndërtimit të këtij termocentrali, pritet që përfundimisht Kosova të zgjidh problemin e furnizimit me energji elektrike.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!