Kadri Veseli kërkon nga BE-ja t’i trajtojë barabartë Kosovën dhe Serbinë

11:55 | 19 Dhjetor 2018

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka folur në konferencë për media për zhvillimet e fundit politike, për vendimet e Kuvendit për Ushtrinë, bisedimet me Serbinë dhe letrën e Presidentit Amerikan, Donald Trump.

Veseli tha se Kosova nuk do ta heqë taksën ndaj Serbisë derisa BE ta trajtojë barabartë, ndërsa bëri të ditur se reciprociteti do të jetë baza e vendimeve për ecjen përpara.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Bashkimi Evropian nuk mundet që Kosovën ta shikojë nga perspektiva integruese e Serbisë.

Rruga e Kosovës për në Bruksel nuk kalon, as nuk ka për të kaluar përmes Beogradit. Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe është e detyruar të jetojë me këtë fakt në shekujt që do të vijnë.

Nëse s’e kupton, ne do ta bëjmë që ta ndjejë shtetin e Kosovës çdo ditë e më shumë”, tha Veseli ndër të tjera në konferencën me gazetarë.

Komento: