Këto janë planet e Thaçit për ngritjen e KEK-ut – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

Këto janë planet e Thaçit për ngritjen e KEK-ut

20:29 | 07 Qershor 2018

Nijazi Thaçi, u.d. drejtor menaxhues në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë disa vendime prej kohës që ka ardhur në këtë pozitë. Ai thotë se ka qenë i detyruar të ndalojë shfrytëzimin e veturave jashtë orarit të punës për punëtorët e KEK-ut dhe të rregulloi orarin e punës së punëtorëve sepse kohët e fundit kishte një papërgjegjshmëri në këtë drejtim.

“Sa i përket vendimeve të fundit, pra ndalimin e shfrytëzimit të veturave jashtë orarit të punës dhe vonesave të punëtorëve në orarin e punës, me qenë i sinqertë kemi pasur ankesa vetëm në muajt e fundit. Prandaj, edhe kemi qenë të detyruar të marrim këto vendime për të rritur nivelin e përgjegjësisë në punë dhe për të ulur shpenzimet e panevojshme në Korporatë”, ka thënë Thaçi për Indeksonline.

Sipas tij, Korporata Energjetike e Kosovës ka mbi dhjetë vite që ka një stabilitet të qëndrueshëm edhe në aspektin menaxherial edhe në atë financiar.

“KEK-u ka vite që renditet në vendin e parë si kompania publike me performancën më të mirë në vend nga organet mbikëqyrëse, në këtë rast institucionet përkatëse të Qeverisë së Kosovës. Unë qe 12 vite jam në KEK dhe me përgjegjësin më të madhe e them se përkundër problemeve të mëdha qe kemi pasur me procesin e shpronësimeve, është menaxhuar në mënyrën me të mirë të mundshme”, ka thënë kreu i KEK-ut.

Sa i përket planeve për ta menaxhuar KEK-un, ai thotë se ka vite qe është në menaxhment dhe në vija të trasha thotë se ka punuar në vazhdimësi në strategji të zhvillimit, pra në pjesën e planeve për rritjen e të hyrave dhe shumë hallka tjera që kanë të bëjnë me investime strategjike, mjedis me të pastër, hapje të mihjeve të reja, eksplorim të thëngjillit për të krijuar rezerva sa më të mëdha etje.

“Te pjesa tjetër, do të fokusohem në menaxhimin sa me të mirë të të gjitha resurseve të KEK-ut, për të ulur në maksimum shpenzimet dhe për të rritur të hyra”, ka deklaruar ai.

Thaçi ndër të tjera ka treguar edhe planet e tij rreth realizimit e të hyrave tjera në këtë Korporatë.

“KEK-u është një gjigant i madh dhe mendoj se ka shumë punë për tu bërë. Në bashkëpunim me gjithë menaxhmentin dhe Bordin, përveç dy shtyllave kryesore të biznesit qe kemi aktualisht, pra prodhimin e energjisë elektrike dhe eksplorimin e thëngjillit, tani do të hartojmë edhe disa strategji për të realizuar të hyra tjera dhe njëkohësisht për të ofruar shërbime profesionale në përgatitjen e kuadrove të reja për punë, siç është Qendra e Trajnimeve e po shfrytëzimi i fabrikës në Palaj”, ka thënë në fund Thaçi

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!