Klinika e Mushkërive në gjendje shkatërruese, dyshemetë me gropa – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Klinika e Mushkërive në gjendje shkatërruese, dyshemetë me gropa

10:27 | 13 Tetor 2017

Gjendja fizike e disa prej klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nuk të ngjan në një institucion shëndetësor, ku pacientët mund të llogarisin në kurimin e sëmundjeve që kanë, por në një hapësirë të braktisur që nuk mirëmbahet.

Në Kilinikën Mushkërive të QKUK-së, përveç mungesës së kujdesit të duhur nga personeli mjekësor, edhe gjendja fizike në dhomat e kësaj klinike ka degraduar deri në atë masë sa që paraqet rrezik për pacientët.

Dhomat e kësaj klinike të stërmbushura me pacientë që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, ndodhen në një gjendje fizike jashtë çdo standardi që kërkojnë hapësirat shëndetësore, e veçanërisht ato të sëmundjeve të mushkërive.

Dyshemeja në disa prej dhomave është demoluar në masën sa krijon pluhur çimento, që nuk mundëson mbajtjen e higjienës në nivelin e duhur, si kusht elementar, ndërsa po paraqet edhe pengesë fizike për punë.

Njëri nga familjarët e një pacienti që kujdesej për të, i ka thënë KosovaOnline se gjatë kohës sa ishte në dhomë një infermiere ishte penguar në dyshemenë e prishur dhe gati ra mbi pacientët me pajisjet që kishte në dorë, por për fat arriti të mbahej në shtrat.

Asnjë nga stafi i kësaj klinike nuk i ishte përgjigjur interesimit të këtij familjari nëse në këto kushte duhet të hospitalizohen pacientët që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive.

Ndryshe, dy ditë më parë Drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) Curr Gjocaj ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Ai ishte në fokus të kritikave për menaxhim të keq të QKUK-së.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!