KMDLNJ dyshon se heqja eventuale e taksës ka lidhje me rrëzimin e qeverisë Haradinaj

14:59 | 16 Janar 2019

Kohëve të fundit janë shtuar zërat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Këshilli për Mbrojtjen të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dyshon se heqja eventuale e taksës 100 përqind ndaj mallrave serbe, mund të ketë lidhje me rrëzimin e qeverisë Haradinaj

“Realisht, ata që po zhvillojnë bisedime me Serbinë në një terr absolut janë më të interesuarit që kjo masë të hiqet, në mënyrë që të arrihet “një marrëveshje historike me Serbinë, detyruese ….” , pavarësisht se mund të ketë edhe lëvizje të kufijve në dëm të Kosovës. Tash kemi zëra edhe brenda koalicionit se heqja e taksës mund edhe të rishikohet e që nënkupton se angazhohen për heqjen e kokës së Ramush Haradinajt e cila do të shkonte bashkë me taksën 100% , përmes riformatimit të qeverisë ku do të mbizotëronin ata që e përkrahin heqjen e taksës, si kusht për vazhdim të bisedimeve dhe për këtë, pandershëm e përdorin si argument “ kërkesën e miqve amerikanë“, thotë KMDLNj.

Sipas këtij këshilli, këtë kërkesë fuqishëm po e përkrahin ata që sipas KMDLNJ-së, tërë jetën kanë punuar kundër interesave të qytetarëve të Kosovës.

“Pra, në 100% presion për heqjen e taksës për këto mallra nga këto dy shtete armiqësisht të disponuara ndaj Kosovës, qytetarët e Kosovës duhet 100% t’i bojkotojnë këto mallra , deri në një situatë tjetër “, thekson KMDLNJ.

Ky këshill ka kërkuar që të përkrahet edhe qeveria e Kosovës si dhe kryeministri Haradinaj, deri në një situatë tjetër sikur edhe çdo kryeministër tjetër eventual që e mbron sovranitetin e Kosovës dhe interesin qytetar dhe shtetëror.

Komento: