Koha e mixhës sim dhe koha e nipave të tij – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Koha e mixhës sim dhe koha e nipave të tij

Shkruar nga: Shemsi Reçica

19:29 | 20 Gusht 2017

Mixha im, i shtyrë në moshë të thellë, afër të 100-ave, e bënte me kënaqësi, madje edhe me humor të lehtë dhe me pak fjalë, krahasimin ndërmjet kohës, kur ai ishte i ri, dhe kohës së sotme, siç thoshte vetë, të nipave të tij.

PËR POLITIKANËT DJE DHE SOT

“A ka dallime ndërmjet politikanëve të kohës, kur ti je konë i ri, dhe politikanëve të tashëm“, e ngacmonim, si me shaka, mixhën tim. Ai përgjigjej në të njëjtën mënyrë, me humor dhe shkurt:

“Kur jom konë i ri, kemi ditë pak për politikë. Pej pleqve kom ni qi politikanat rrejn kapak, po rrenat e tyne dalin n’fushë ma vonë ose nuk dalin n’fushë kurrë.

E sot, tu i kqyr n’televizor politikanat tonë, tu fol ata, na po e dina kur po na rrejne e per çka po na rrejnë“.

********
PËR RRENCAT

Prej të gjitha veseve të njerëzve, që s’mund t’i honepste, mixha im e veçonte rrenën.

“Athua a rren aj“? ishte pyetja e parë e mixhës, për njerëzit që duhej t’i njihte, qoftë për lidhjen e një miqësie të re, qoftë për diçka tjetër.

Kur i thoshin: “Nuk kemi ni qi rren“, mixha, i lehtësuar, pohonte: “Po bojka“dhe vazhdonte me pyetje të tjera.

Por, kur për dikë i thoshin, me butësi: “kena ni qi rren ka nihere, po rren kapak“, mixha, pa një pa dy, përgjigjej :

“S’po bojka. Ai që rren ni here, rren gjithë dhe ai qi rren pak, rren edhe shumë“ dhe, pa e zgjatur me pyetje të tjera, e mbyllte bisedën.

********
PËR LOPËT DHE PËR QENTË

“A ka dallime ndërmjet teje, kur je konë i ri, dhe nipave tu, sot?“, e ngacmonim mixhën.

“Ka shumë dallime, po ma mirë nuk po foli“, përgjigjej shkurt mixha.

“Thuje të pakten një dallim“, këmbëngulnim ne.

“Kur isha i ri, na n’katun i majshum pesë lopë dhe një qen, po i majshum mirë.

Tash nipat e mi i majnë pesë qenë dhe një lopë, po nuk i majnë mirë as qetë, as lopën.

Këtu shihet ku kemi mrri e sa kemi perparu“, përgjigjej mixha shkurt dhe duke qeshur, si gjithnjë.

********
MARTESAT E ATËHERSHME DHE TË SOTMET

Mixha i përmendte shpesh martesat e vona të kohës së sotme dhe brengosej shumë për ‘to.

“Në kohën tonë, kur unë isha i ri“, thoshte ai, “martesat u bojshin me kohë.

Kur u rritke fmija, sa tash nipat e mi, baba dhe fmija u dokshin si vllazen. Baba u dokke si me konë vlla i madh i fmijes, e fmija u dokke si me konë vlla i vogel i babës. Punojshin bashkë e u knaqshin“.

“Tash në këtë kohë“, vazhdonte ai krahasimin, “martesat po bohen tepër vonë.

Kur po rritet fmija, si tash nipat e mi, baba dhe nona po doken si me konë gjyshi dhe gjyshja e fmijes.

Fmija, hala pa u bo i zoti i vetit, duhet me i çu te doktori e me u kujdes për baben e për nonen.

E fmija, pasha mixhen, ka nevojë me i pas te ri baben dhe nonen, jo pleq“, e përfundonte krahasimin mixha im, duke na shikuar në sy dhe duke e tundur kokën në shenjë mospajtimi me martesat e vona.

********
DALLIMI I TË VËRTETËS NGA RRENA

”Në atë kohë”, tregonte mixha, ”kur dikush vike pej Prishtines ose shumë rrallë edhe pej Shkupit, dhe në odë të burrave kallxojke diçka, pytja e parë ish ”a e ke pa vetë me sy, a e ke ni pej dikunja”?

Kur thojke e kom pa vetë, me sytë e mi, i besojshin e nuk e vetshin ma gat.

Po kur thojke “e kom ni“, menihere e vetshin “pej kunja e ke ni“.

Aj kallxojke pej kunja e kish ni, e tani e vetshin “po ati kush i kish kallxu“.

Me ksi pytje vazhdojshin deri kur dilke ni emen i njoftun.

Kur emni i njoftun ish burri i njohur për të mirë, i thojshin tekoka “esah“ (e vërtetë).
Por, kur emni i njoftun dilke dikush qi ish i njohur për rrenc, i thojshin “le, mos e qo ma gat, se rren tekoka“.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!