Koha kur biznesi i Durim Limajt kreu punë për kompanitë e naftës – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
0 °C

Koha kur biznesi i Durim Limajt kreu punë për kompanitë e naftës

13:39 | 27 Dhjetor 2018

Çmimi i naftës dhe benzinës ka rënë në tregun botërorë, por jo edhe në Kosovë.

Çmimi i naftës në Kosovë vazhdon të jetë shumë më i lartë, krahasuar me Maqedoninë.

Por, në qeverinë e Kosovës, përkatësisht në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga Endrit Shala vazhdimisht kanë pohuar se nuk mund të ndërhyjnë në çmime pasi që në Kosovë ekziston parimi i tregtisë së lirë.

Por, krejt e kundërta ka dalë në pah.

Por, Endrit Shala mund t’i kërkojë shefit të ekzekutivit që Qeveria e Kosovës të ndërhyjë në rastet e çrregullimit të brendshëm.

Sipas nenit 11 të ligjit që rregullon tregun e brendshëm, Ministri i Tregtisë një ndërhyrje të tillë mund ta kërkojë në këto tre raste:

a) Kur ka mungesë të papritur dhe të vazhdueshme të naftës dhe derivateve të saj;”

b) fatkeqësive të mëdha natyrore, apo;”

c) lëvizjeve të mëdha të çmimit të naftës dhe derivateve të saj në tregun botëror dhe mospërshtatjen e

çmimeve vendore me lëvizjet e tilla”.

Durim Limaj me biznesin e tij këshillonte kompanitë e naftës

Por, zyrtarët e lartë brenda kësaj ministrie, kishin kryer shërbime për kompanitë e naftës para se të punonin në këtë ministri.

Durim Limaj, si këshilltar i lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, mund të këshillojë në hartimin e politikave dhe mbikëqyr sektorin e naftës në Kosovë.

Por, në vitin 2016, djali i zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, me biznesin e tij privat këshillonte disa prej kompanive më të fuqishme të naftës.

ORAinfo ka siguruar dëshmi për dy kompani të naftës të cilave kompania e marketingut “Orange LD”, që ishte në pronësi të Durim Limajt, u kishte kryer punë të caktuara në fushën e marketingut.

Fjala është për kompaninë HIB Petrol dhe Petrol Slovenija.

“Brendimi i Cisternes se Derivateve të Petrol Slovenija”, shkruan në njërën prej fotografive që “Orange
LD” ka publikuar në faqen e saj.

ORAinfo ka pritur më herët përgjigje nga vet Limaj, për të dhënë versionin e tij, por nuk ka marrë përgjigje.

ORAinfo është interesuar të dijë nëse edhe sot e kësaj dite “Orange LD” është në marrëdhënie kontraktuale me këto kompani, tash kur Durim Limaj mban pozitë të lartë në MTI.

Aksionet e Limajt në “Orange LD”

“Orange LD” është e njohur kryesisht për dizajnim dhe montim të reklamave të ndryshme nëpër hapësira të ndryshme reklamuese nëpër Kosovë.

Në bazë të aktivitetit të publikuar në faqen e saj, kjo kompani del se që nga themelimi në vitin 2014 ka fituar një numër të madh të punëve.

Përveç kompanive të naftës, “Orange LD” ka marrë disa punë edhe në Komunën e Malishevës, e cila udhëhiqet që dy mandate nga Nisma Socialdemokrate.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve si pronar i “Orange LD” figuron emri i Durim Limajt në bashkëpronësi me kompaninë “Door to Door”.

Edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Durim Limaj ka deklaruar se ka në “Orange LD” 50 për qind të aksioneve, derisa si kapital themeltar ka deklaruar se ka 50 mijë euro. Të hyra nga ky biznes ka deklaruar se merr çdo muaj nga 1 mijë euro.

Lidhjet tjera të Limajt në sektorin e naftës

ORAinfo pati shkruar se para se të emërohej shef kabineti në Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë (MTI), Durim Limaj ishte i përfshirë direkt në tregun e naftës në Kosovë përmes dy bizneseve tjera.

Bëhet fjalë për “Petrol–Oil Balkan” dhe “Mercury” ku Limaj sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo figuron si person i autorizuar.

Sipas dokumenteve të siguruara nga ORAinfo, Limaj ishte i përfshirë në biznesin e quajtur “Petrol-Oil Balkan” dhe “Mercury”, të dyja biznese që merren me tregti të naftës. Në të dyja ka figuruar emri i Durim Limajt si “person i autorizuar”, deri në momentin kur Limaj ka marrë pozitë në MTI.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) thuhet se “Petrol-Oil Balkan” aktivitet kryesor ka tregtinë me naftë, sikurse edhe kompania tjetër “Mercury”.

Të dyja këto biznese, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve por edhe në Administratën Tatimore të Kosovës, figurojnë si biznese aktive.

Vetë Limaj nuk pat pranuar t’i sqarojë për ORAinfo lidhjet me këto kompani. /ORAinfo/

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!