Kosova, me UÇK-në dhe me anti-UÇK-në – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Kosova, me UÇK-në dhe me anti-UÇK-në

Shkruar nga: Shemsi Reçica

17:46 | 14 Tetor 2017

Sukseset e UÇK-së ose të “komandantëve”, Veton Surroi & Co, nuk kanë mundur t’i kapërdijnë, s’kanë mundur t’i honepsin. Ata, prandaj, fushatën e tyre kundër UÇK-së ose “komandantëve”, të filluar pas përfundimit të luftës, po e vazhdojnë egërsisht, me akuza të rënda, të paqena, edhe sot e gjithë ditën, pavarësisht nga fakti që, siç dihet botërisht, UÇK-ja ose “komandantët”, pas përfundimit të luftës, i kanë dorëzuar armët dhe janë shpërndarë, pra thjesht, nuk ekzistojnë më.
***
Me UÇK-në ose me ”komandantët” (“komandantë”, Veton Surroi & Co, e quajnë, me ironi dhe me përçmim, UÇK-në), pra me UÇK-në ose me ”komandantët” Kosova në vitet 1998-99, për herë të parë, në mënyrë aq masive, në historinë e saj tragjike, ia ktheu pushkën Serbisë ose, siç thoshte me habi në atë kohë Bujar Bukoshi, kryeministër në mërgim i Kosovës, ”Kosova u bo mi kthy dorë Serbisë”.
Pra, me UÇK-në ose me “komandantët”, Kosova, pas “rezistencës” dhe luftës së saj verbale dhjetëvjeçare për pavarësi, e filloi luftën e armatosur për lirinë dhe pavarësinë e saj nga Serbia.
Po a mund të imagjinojë ndokush se, me ANTI-UÇK-në ose me Veton Surroin & Co (Berat Buzhala, Baton Haxhiu, Migjen Kelmendi, Adriatik Kelmendi, Driton Selmanaj, Lumir Abdixhiku e shumë të tjerë), Kosova, në vitet 1998-99, ose më vonë, do t’ia kthente pushkën Serbisë?!
Pra, a mund të imagjinojë ndokush se, me ANTI-UÇK-në ose me Veton Surroin & Co, Kosova, në vitet 1998-99, ose më vonë, do ta “zgjedhte” rrugën e ndryshimit “revolucionar” të saj, “të preferuar” nga UÇK-ja ose “komandantët”, dhe do ta braktiste vazhdimin e rrugës së “zhvillimit evolutiv” të saj, në bashkëjetesë me Serbinë, të preferuar nga Veton Surroi & Co?!
***
Me UÇK-në ose me “komandantët”, në vitet 1998-98, çështja e Kosovës e arriti kulmin e ndërkombëtarizimit; shqiptarët e saj, për herë të parë, në historinë e tyre tragjike, e fituan simpatinë dhe përkrahjen e opinionit botëror; ushtarët e armatosur të UÇK-së, në atë kohë, zinin vendin qëndror, në krye të shtypit dhe të TV-ve kryesore botërore; dhe, Kosova u faktorizua në raport me ndërkombëtarët dhe me Serbinë.
Po a mund të imagjinojë ndokush se, me ANTI-UÇK-në ose me Veton Surroin & Co, Çështja e Kosovës, në vitet 1998-99, ose më vonë, do të arrinte kulmin e ndërkombëtarizimit të saj; se shqiptarët do ta fitonin simpatinë dhe përkrahjen e opinionit botëror; se ANTI-UÇK-ja ose Veton Surroi & Co, do të zinte vendin qëndror, në krye të shtypit dhe të TV-ve kryesore botërore; dhe se, Kosova, pra me ANTI-UÇK-në ose me Veton Surroin & Co, në atë kohë ose më vonë, do të faktorizohej në raport me ndërkombëtarët dhe me Serbinë?!.
***
Me UÇK-në ose me “komandantëve” (1998-99) u “imponua” mbajtja, për herë të parë në historinë e shqiptarëve, e një konference ndërkombëtare vetëm për Kosovën, – Konferenca e Rambujesë-Parisit, 1999, (para saj, në Marrëveshjen e Dejtonit, 1995, pra kur s’kishte UÇK, as ishin përmendur Kosova dhe shqiptarët); dhe, pas përfundimit të Konferencës së Rambuje-Parisit, NATO-s i ishte hapur rruga për bombardimin e caqeve ushtarake në Unionin Serbi-Mali i Zi, që rezultoi me çlirimin e Kosovës dhe, më vonë, me pavarësinë e saj nga Serbia.
Po a mund të imagjinojë ndokush se, me ANTI-UÇK-në ose me Veton Surroin & Co, në atë kohë, ose më vonë, do të “imponohej” mbajtja e një konference ndërkombëtare për Kosovën; se NATO do t’i bombardonte caqet ushtarake në Unionin Serbi-Mali i Zi; se Kosova do të çlirohej e do të pavarësohej nga Serbia?!
***
Pra, rrjedhimisht, me UÇK-në ose me “komandantët”, shqiptarët e Kosovës, për herë të parë, në historinë e tyre tragjike, në përmasa aq të mëdha, ia kthyen pushkën Serbisë; e fituan simpatinë e opinionit publik botëror; e “imponuan” Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën; e siguruan përkrahjen e SHBA-ve, të BE-së dhe ndihmën e NATO-s, në luftë kundër Serbisë. Me UÇK-në ose me “komandantët”, Kosova u çlirua dhe u pavarësua nga Serbia dhe u bë shtet i pavarur.
Këto suksese të UÇK-së ose të “komandantëve”, ANTI-UÇK-ja ose Veton Surroi & Co, nuk kanë mundur t’i kapërdijnë, nuk kanë mundur t’i honepsin. Këto suksese, ata s’mund t’ia falin UÇK-së ose “komandantëve”. Ata, prandaj, fushatën e tyre kundër UÇK-së ose “komandantëve”, të filluar pas përfundimit të luftës, po e vazhdojnë egërsisht, me akuza të rënda, të paqena, dhe me zell të madh, edhe sot e gjithë ditën, pavarësisht nga fakti që, siç dihet botërisht, UÇK-ja ose “komandantët”, pas përfundimit të luftës, i kanë dorëzuar armët dhe janë shpërndarë, pra thjesht, nuk ekzistojnë më.
Dhe, meqë, nga ajo kohë, pra, nuk ka më UÇK ose “komandantë”, për dështimet dhe për ngecjet në Kosovë, për korrupcion, nepotizëm e afera të tjera kriminale, mund të akuzohen ministra e deputetë, politikanë e zyrtarë të lartë të komunave e të kolonave të shtetit, që, në kohën e luftës, mund të kenë qenë ushtarë apo komandantë të UÇK-së, por tani, pas përfundimit të saj, ata s’janë të lidhur më me UÇK-në ose me “komandantët”, që s’ekzistojnë më, por me pozitat e larta zyrtare të tyre.
Lidhja e zyrtarëve të inkriminuar në vepra penate, me UÇK-në ose me “komandantët”, pra, s’është gjë tjetër, veçse përpjekje e ANTI-UÇK-së ose e Veton Surroi & Co, për komprometimin e UÇK-së ose të “komandantëve” dhe të luftës së tyre.
***
(P. s. Në këtë postim bëhet fjalë vetëm për raportet ndërmjet UÇK-së ose “komandantëve” dhe ANTI-UÇK-së ose Veton Surroit & Co. Kjo nuk e përjashton ndikimin e faktorëve të tjerë të rëndësishëm brendashqiptar, në zhvillimet e 20 vjetëve të fundit në Kosovë).

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!