“Krahut të luftës” ia kanë veshur “lëkurën e ujkut”, “krahut të paqes”-“lëkurën e deles” – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
12 °C

“Krahut të luftës” ia kanë veshur “lëkurën e ujkut”, “krahut të paqes”-“lëkurën e deles”

Shkruar nga: Shemsi Reçica

18:39 | 05 Janar 2018

Propaganda anti-UÇK i ka ngushtuar në minimum konceptet UÇK dhe “krahu i luftës“.

Në fjalorin e përditshëm të saj, në vend të koncepteve UÇK dhe “krahu i luftës“, gjithnjë e më shpesh permendet vetëm koncepti “komandantat“ dhe këtij koncepti, pra “komandantave“, propaganda anti-UÇK ua ka veshur me pahir konceptin “lëkura e ujkut“, siç thotë populli. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë, çdo gjë që lidhet me njerëzit e UÇK-së, a priori paragjykohet si e “keqe e madhe“ dhe ata identifikohen, padrejtësiht, me të “keqen më të madhe“ të Kosovës.
*****
Në bazë të pjesëmarrjes ose jo në luftë (1998/99) dhe të qëndrimeve ndaj saj, elitat politike-kombëtare dhe, pastaj, edhe ndjekësit e tyre, në historinë më të re të Kosovës, në këto dy deceniet e fundit, – janë ndarë në “krahun e luftës“ dhe në “krahun e paqes“.

Me “krahun e luftës“, në fillim, u identifikuan vetëm ata që ia kishin kthyer pushkën Serbisë dhe, shumë-shumë, edhe përkrahëseit e tyre. Ky “krah“, siç dihet, në krahasim me “krahun e paqes“, ishte një “kamp“ fare i vogël, minor.

Këta ishin njerëz kryesisht në moshë të re; të panjohur në opinionin e vendit dhe jashtë tij; nuk ishin njerëz të penës e të letrave; vinin kryesisht nga shtresa rurale dhe e varfër-shtresa më e përvuajtur dhe më e përndjekur e shqiptarëve, nën sundimin e Serbisë, por këta ishin të gatshëm t’i delnin zot vendit, madje me çdo çmim, edhe me çmimin e jetës.

Më vonë, pas përfundimit të luftës, nën ndikimin e propagandës anti-UÇK, qarku i “krahut të luftës“ u zgjerua dhe u ngarkua aq shumë, me elementë të huaj negativë, sa ai u identifikua edhe me të gjithë keqbërësit dhe përfituesit, të njohur e të panjohur, të identifikuar e të paidentifikuar, të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Dhe, tani në fund, propaganda anti-UÇK i ka ngushtuar në minimum konceptet UÇK dhe “krahu i luftës“. Në fjalorin e përditshëm të saj, në vend të koncepteve UÇK dhe “krahu i luftës“, gjithnjë e më shpesh permendet vetëm koncepti “komandantat“ dhe këtij koncepti, pra “komandantave“, propaganda anti-UÇK ua ka veshur me pahir konceptin “lëkura e ujkut“, siç thotë populli. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë, çdo gjë që lidhet me njerëzit e UÇK-së, a priori paragjykohet si e “keqe e madhe“ dhe ata identifikohen, padrejtësiht, me të “keqen më të madhe“ të Kosovës.

Ndërkaq, me “krahun e paqes“, në fillim, u identifikuan ata që besonin se liria dhe pavarësia e Kosovës do të jetësoheshin, me mjete politike-paqësore, me dialog me Serbinë. Në këtë “krah“, vetëkuptohet, hynin edhe përkrahësit e tyre. Ky “krah“ ishte një “kamp“ jashtëzakonisht i madh, në krahasim me “kampin“ e vogël të “krahut të luftës“.

Këta ishin njerëz kryesisht në moshë të madhe; të njohur në opinionin e vendit dhe jashtë tij; ishin njerëz të penës e të letrave ; vinin kryesisht nga shtresa e mesme dhe ajo relativisht e pasur urbane e asaj kohe, pra shtresa më e privilegjuar e shqiptarëve nën sundimin e Serbisë.

Kjo shtresë i kishin gëzar të gjitha të mirat e socializmit serb. Më të njohurit e saj, e kishin kërkuar dhe e kishin marrë dy herë votën e popullit, para luftës dhe në prag të saj, por, përkundër kërkesave të asaj kohe dhe të shumë pritjeve të qytetarëve, të ngulfatur nga represioni serb, këta nuk po shkonin asnjë hap përtej deklaratave dhe angazhimit të tyre verbal, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Më vonë, pas përfundimit të luftës, sidomos nën ndikimin e propagandës anti-UÇK, qarku i “krahut të paqes“ është zgjerua dhe fryrë aq shumë, me elementë pozitivë, të huaj për të, sa brenda tij u futen të gjitha kontributet e shqiptarëve, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Dhe, tani në fund, propaganda anti-UÇK, me vullnetin e “mirë“ të saj, “krahut të paqes“ ia ka veshur “lëkurën e deles“, siç thotë populli. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë, çdo gjë që lidhet me njerëzit e “krahut të paqes“, a priori paragjykohet si e “mirë e madhe“ dhe ata identifikohen, padrejtësisht, me “të mirën më të madhe“ të Kosovës. (VAZHDON)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!