“Krahut të luftës“ ia kanë veshur “lëkurën e ujkut“, “krahut të paqes“-“lëkurën e deles“(II) – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
12 °C

“Krahut të luftës“ ia kanë veshur “lëkurën e ujkut“, “krahut të paqes“-“lëkurën e deles“(II)

Shkruar nga: Shemsi Reçica

17:25 | 06 Janar 2018

1. SHALLI I DR. RUGOVËS DHE KRAVATA E HARADINAJT

Duke qenë pjesë e AAK-së, në atë kohë, unë kam qenë shpesh i pranishëm, kur në zyrat e AAK-së, në Prishtinë, vinin njerëz të bizneseve, nga më të ndryshmet, të njohur, por edhe të panjohur të Haradinajt, dhe i ofronin atij materiale ndërtimore, transport, dhe punë në mjeshtri, për ndërtimin e shtëpisë së tij, por edhe për renovimin dhe mobilimin e zyrave të AAK-së, në Prishtinë.
*****
Dr. Rugova, ish-kryetari i parë i LDK-së dhe, njëkohësisht, ish-kryetari i parë i Kosovës, i njohur ndër shqiptarët dhe ndër të huajt, si “njeri i paqes“ – është parë tepër rrallë, mbase një muaj ose dy, gjatë vitit, pa shallin e tij rreth qafës. Sipas atyre që kanë qëndruar afër tij, shalli ka qenë pjesa më e preferuar e gardërobës së tij të pasur, ndërsa sipas vetë Dr. Rugovës, shalli për të ishte një simbol, që ndërlidhej me shallin tradicional të krahinës së Rugovës, por edhe me shallin modern francez.

Duke pasur mirëkuptim për preferencën e Dr. Rugovës, mërgimtarët tanë, para luftës, kanë blerë aq shumë shalle, pa i përmendur këtu pjesët e tjera të gardërobës së pasur të tij, dhe ia kanë dhuruar Dr. Rugovës, gjatë vizitave të tij në Perëndim. Dhe askush, as atëherë, as tash, nuk ka pyetur, përse duhej t’i dhuroheshin Dr. Rugovës, aq shumë shalle.

Ramush Haradinaj, kryeministri aktual i Kosovës dhe, njëkohësisht, kryetari aktual i AAK-së, i njohur ndër shqiptarët dhe ndër të huajt, si „njeri i luftës“ – në një bisedë me gazetarët, e ka përmendur, me gjysmë humori dhe me gjysmë ironie, blerjen e një kravate dhe një këmishe, si “arsyetim“ për ngritjen e pagës së tij.

Fill pas kësaj bisede, nën ndikimin e propagandës anti-UÇK, që i vëzhgon nga pusia të gjitha lëvizjet e “krahut të luftës“, – “kravata“ e Haradinajt u bë lajmi kryesor i ditës, i përsëritur e i stërpërsëritur, i komentuar mbarë e mbrapsht, me ditë të tëra, në, pothuaj, të gjitha mediat në Kosovë dhe doli edhe jashtë saj(!). Dhe, për më tepër, ajo propagandë u vu në lëvizje, mblodhi, ku janë e ku s’janë, një numër të madh kravatash dhe i ekspozoi në rrethojen, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

2. VIZITA E DR. RUGOVËS NË LONDËR
DHE VIZITA E HARADINAJT NË ST. MORITZ

Para luftës, kur Kosova po ngulfatej në çdo pikëpamje nga Serbia, Dr. Rugova kishte shkuar për një vizitë, sigurisht zyrtare, në Londër. Atje, ai me gjithë suitën e tij, ishte vendosur, në, atë kohë, në hotelin më të shtrenjtë të Londrës (Isa Zymberi, ish-shefi i Zyrës së Kosovës në Londër, Skënder Hyseni dhe të tjerë, e përcillnin Dr. Rugovën, në atë vizitë).

Disa aktivistë të diasporës, duke e krahasuar gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, me shpenzimet e mëdha të Dr. Rugovës e të suitës së tij, që paguheshin nga ndihmat e mërgimtarëve, dedikuar për Kosovën, – protestuan kundër vendosjes së dërgatës së Kosovës në atë hotel.

Shoqëruesit e Dr. Rugovës, në atë vizitë, dhanë një arsyetim të prerë dhe të shkurtër: “Takimet ndërmjet burrështetasve bëhen në hotelet më të shtrenjta“(!), iu thanë ata protestuesve. Kaq.

Ramush Haradinaj, tani që Kosova është e lirë dhe e pavarur nga Serbia, për festat e këtij fundviti ka shkuar, bashkë me familjen e tij dhe me bashkëpunëtorët, në St. Moritz të Zvicrës. Atje, ata janë vendosur në një hotel, siç u tha, – më të shtrenjtin në Europë dhe shpenzimet (7.000 euro) i ka mbuluar ai vetë, pra jo arka e Kosovës.

(D)ezinformatat, manipulimet dhe spekulimet për këtë rast, si edhe për rastet e tjera, nën ndikimin e propagandës anti-UÇK, me një shpejtësi rrufeje, i kanë zënë ballinat e, pothuaj, të gjitha mediave në Kosovë dhe, ato kanë shkuar aq larg, sa, sipas llogaritjes së tyre, “deri në cent“, shpenzimet e kryeministrit dhe të shoqëruesve të tij, për tri-katër ditë pushimi në Zvicër, paskan arritur shumën “80.000 franga“(!!!).

3. SHTËPIA E ISH-KRYETARIT RUGOVA DHE SHTËPIA E KRYEMINISTRIT HARADINAJ

Me ndihmat financiare të diasporës shqiptare, të dedikuara për Kosovën, siç dihet, qysh para luftës, pra në një kohë të rëndë financiare për shqiptarët, pakrahasimisht më të rëndë se në kohën e pasluftës – është blerë një shtëpi milionshe, në Velani të Prishtinës, që do të shërbente si rezidencë e kryetarit të Kosovës. Për një kohë të gjatë, ajo u shfrytëzua për këtë qëllim por, pastaj, siç është e ditur, ajo i është dhuruar Dr. Rugovës dhe, tash e sa kohë, ish-rezidenca e kryetarit të Kosovës, është kthyer në pronë private të familjes Rugova.

Haradinaj e ka ndërtuar shtëpinë e tij, në lagjen Arbëria të Prishtinës, siç dihet, pas përfundimit të luftës, pra në kohën e një entuziazmi dhe një gëzimi të madh, pothuaj të papërmbajtur, të njerëzve tanë, për çlirimin e Kosovës; në kohën e respektit të tyre kulmor për çlirimtarët.

Duke qenë pjesë e AAK-së, në atë kohë, unë kam qenë shpesh i pranishëm, kur në zyrat e AAK-së, në Prishtinë, vinin njerëz të bizneseve, nga më të ndryshmet, të njohur, por edhe të panjohur të Haradinajt, dhe i ofronin atij materiale ndërtimore, transport, dhe punë në mjeshtri, për ndërtimin e shtëpisë së tij, por edhe për renovimin dhe mobilimin e zyrave të AAK-së, në Prishtinë.

Në atë kohë, kisha krijuar përshtypjen se ata njerëz, që vinin dhe i ofronin ndihmë Haradinajt – ishin të gatshëm të ndihmonin, jo vetëm për ndërtimin e një shtëpie, por edhe më shumë. Dhe ata nuk ishin të vetmit, që në atë kohë, i vizitonin zyrat e AAK-së.

Krahas biznesmenëve të ndryshëm, zyrat e AAK-së, në atë kohë, i frekuentonin edhe shefat e mediave kryesore të Kosovës. Edhe ata, sidomos në prag të fillimit të fushatave zgjedhore, i hapnin mediat e tyre për Haradinajn, si edhe për liderë të tjerë të Kosovës, dhe i ofronin atij “ndihmë vullnetare“, për “fitoren e sigurt“ të zgjedhjeve.
*****
Tash, çdo kush, sipas vullnetit të vetë, mund të vlerësojë drejt ose të spekulojë, – kush kret dhe prej kujt, ka përfituar. (FUND)

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!