Kujdes! Po keqpërdoren të dhënat personale – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Kujdes! Po keqpërdoren të dhënat personale

14:51 | 03 Qershor 2018

Autoritet zyrtare të Maqedonisë bëjnë të ditur se është në rritje numri i ankesave të qytetarëve për cenim, shkelje të të dhënave personale dhe privatësisë.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, përkatësisht gjatë vitit 2017, në Drejtorinë për Mbrojtjen e të Dhënave personale janë parashtruar 376 ankesa nga ana e qytetarëve për keqpërdorimin e të dhënave të tyre personale.

Nga Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për Radion Evropa e Lirë thonë se 3 nga 4 parashtresat e qytetarëve kanë të bëjnë me keqpërdorimin e të dhënave në rrjetet sociale duke kryesuar Facebook dhe më pas Twitter, Instagram.

Pas miratimit të rregullores së përgjithshme evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale që ka hyrë në fuqi më 25 maj, që ka për qëllim mbrojtjen e të dhënave personale përmes një varg procedurash, çdo shfrytëzues në internet duhet të japë pëlqim se dëshiron apo jo të dhënat e tij të mund t’i shfrytëzojë kompania ku është abonuar, autoritet në Maqedoni kanë paralajmëruar që brenda këtij viti do të miratohet dhe një Ligj i ri për mbrojtje të të dhënave personale, në përputhje të plotë me rregullativën evropiane.

Sekretari i përgjithshëm i drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale, Igor Kuzevski, për Radion Evropa e Lirë thotë se përmes ndryshimeve ligjore synohet të rritet niveli i sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve në përputhje me standardet evropiane, duke aplikuar mekanizmat e modelit të rregullativës së përgjithshme evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale.

“Gjatë vitit të kaluar, Maqedonia në detaje ka punuar në hartimin e ligit në fjalë dhe tanimë me ndërmjetësimin e delegacionit të Bashkimit Evropian këtu në Shkup, e kemi dërguar për shqyrtim se a është në përputhje të plotë me rregullativën evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale”.

“Në mars morëm disa vërejtje të vogla të cilat tanimë i kemi përrmirësuar dhe ato përmirësime i kemi inkorporuar në tekstin e ligjit. Besoj se deri në fund të vitit, ligji do të marrë vizë dhe nga Parlamenti duke u mundësuar qytetarëve një shkallë të më të lartë të sigurisë sa i përket të dhënave personale”, thotë Kuzevski.

Por, njohësit e çëshjeve juridike thonë se mbrojtje absolute nuk mund të sigurohet përmes ligjeve sepse bota elektronike ka shumë kurthe që jetën private të qytetarëve e vë në spikamë.

“Sado që të dëshirojmë apo të tregohemi të kujdesshëm që të mbrojmë të dhënat tona personale pothuajse është e pamundur në këtë kohë teknologjike në të cilën jetojmë. Thjesht nuk kemi mundësi se si të mbrohemi, ngase ne me vullnetin apo pa vullnetin tonë i hedhim në sistem në çfarëdo forme të komunikimit elektronik që në në një mënyrë krijohet mundësi që ato të keqpërdoren. Pra, është shumë e vështirë të vendoset sistemi i mbrojtjes”, thotë Qebri Avziu ligjërues i penales në Universitetin e Tetovës.

Përderisa, ekspertët e informatikës konsiderojnë se me regullativën e evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe harmonizimin e legjislacionit edhe në kushte të Maqedonisë ngushtohet hapësira e e përdorimit të të dhënave personale.

“Tani vendosen dënime të larta, madje rreth 4 për qind nga të qarkullimi i kompanive më të mëdha si dhe platformat e ndryshme në internet nëse ata mundsojnë të keqpërdoren të dhënat personale të abonuesve kjo i bën të jenë më syçelë në këto raste”, thotë Bojan Kordallov ekspert i Informatikës.

Autoritetet përkatëse në Maqedoni vlerësojnë se tek popullata më e re vetëdija publike është në nivel të lartë, andaj theksojnë edhe nga drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale se numri i ankesave nga ana e gjeneratave të reja është më i ulët krahasuar me grupmoshat më të vjetra.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!