Kush po i merr paratë e rampës në Brezovicë? – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Kush po i merr paratë e rampës në Brezovicë?

14:04 | 11 Janar 2018

Vendosja e laurës në Brezovicë nga Ministria e Mjedisit dhe largimi i kompanisë serbe që ka plaçiktur me vite turistët në këtë zonë, po shihet me entuziazëm në Kosovë. Por ajo që mbetet pikëpyetje, është se a po vazhdojnë ende të plaçkiten turistët në këtë zonë?

Më 3 janar të këtij viti, në hyrje të Brezovicës është vendosur rampa (laura). Në njoftimin që kishte lëshuar Ministria e Mjedisit në këtë datë, thuhet se ‘laura tash e tutje do të menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor’.

“Në kuadër të këtij plani sot në hyrje të qendrës turistike në Brezovicë është rikthyer laura e cila tash e tutje do të menaxhohet nga MMPH-ja.Vendosja e saj do t’i mënjanojë keqpërdorimet e mundshëm nga persona të paautorizuar të cilët në të kaluarën kishin obliguar qytetarët të paguajnë për hyrje dhe qëndrim në qendrën turistike”, thuhej në njoftimin e MMPH’së.

Ministrja e Mjedisit Albena Reshitaj, i kishte thënë KTV’së se shuma që do paguhej për hyrje në Brezovicë ishte caktuar 1 euro për të rriturit dhe 50 cent për fëmijë.

Por ajo që mbetet e panjohur deri tani, është se si do të menaxhohen dhe ku përfundojnë këto para.

Historia e vendosjes dhe largimit të ‘laurave’ në Brezovicë

Në vitin 2012, ishte miratuar Ligji për Parkun Kombëtar të Sharrit, i cili jepte edhe direktivat për formën e menaxhimit, që kryesisht i bartej si kompetencë Ministrisë së Mjedisit. Kjo e fundit, kishte vendosur Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit që ta menaxhonte në veçanti Parkun Kombëtar të Sharrit.

Pas miratimit të Ligjit, Ministria e Mjedisit kishte hartuar edhe Planin e Menaxhimit të Parkut Kombëtar Sharri. Por, edhe pas Ligjit për Parkun Kombëtar të Sharrit, zbatimi i ligjit po çalonte në këtë zonë turistike të Kosovës.

Në pjesën e komunës së Shtërpcës deri në vitin 2015, ishte menaxhuar jashtëligjshëm nga një kompani e quajtur ‘Serbia suma’.

Në këtë mënyrë, për shumë vite kjo kompani kishte plaçkitur qytetarët e Kosovës por edhe turistë nga vende tjera, duke u caktuar shuma sipas dëshirës së tyre për hyrje në Brezovicë.

Ku përfundojnë paratë e laurës në Brezovicë?

Lidhur me formën e menaxhimit të laurës së vendosur në Brezovicë më 3 janar 2018 dhe lidhur me atë se ku po përfundojnë këto para, ka deklarata kontradiktore mes ministres së Mjedisit, Albena Reshitaj dhe shefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina.

Ky i fundit, i ka thënë Periskopit se paratë që mblidhen nga rampa, çdo mbrëmje shkojnë në bankë dhe i shkojnë drejtpërdrejt kacës së shtetit.

Morina shpjegon procedurën kontradiktore të bartjes së parave në këtë mënyrë:

‘Biletat e prodhuara 5 llojë bazuar në udhëzimin administrative për shërbimet e AMMK, të regjistruara dhe pajisura me numër serik dhe blloka uniref, sipas udhësimit administrativ të Ministrisë së Financave, çdo biletë e shitur gjatë ditës, në mbrëmjë duhet të dorëzohen paratë në bankë ose postë dhe ato mjete shkojnë direkt në buxhetin e Republikës së Kosovës, jo në Ministrinë e Mjedisit’, thotë Morina.

Ai thotë se këto mjete do të përdoren për mirëmbajtjen e parqeve kombëtare, përkatësisht Parkut Sharri.

“Mirëpo, do fillojë pagesa në hyrje të vizitorëve në parqe kombëtare, sepse me mjetet e grumbulluara do të bëjmë një mirëmabtje më të mirë të atyre pjesëve dhe jemi të përgatitur për investitorët turistik në të ardhmen’.

Por, ndryshe nga kjo deklaratë e shefit të AMMK-‘së, pati deklaruar vetë ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj.

Ajo i kishte thënë KTV’së, se këto para do të përdoreshin për t’i paguar punëtorët që operojnë me laurën dhe në Parkun Sharr.

“Me vendosjen e kësaj laure, qytetarët të cilët vizitojnë qendrën e skijimit në Brezovicë do të paguajnë një shumë simbolike dhe ato mjete për dallim nga e kaluara, do të shfrytëzohen për t’i paguar punëtorët, të cilët do të kujdesën për mjedisin në këtë qendër”, i kishte thënë Reshitaj KTV’së.

Si janë punësuar punëtorët te laura në Brezovicë?

Sipas shefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, punëtorët në këtë vend, janë zgjedhur me konkurs publik dhe me procedura ligjore janë përzgjedhur ata që kanë fituar vendin e punës si dhe janë pajisur me kontratë.

“Po ka patur konkurs publik që më pas me një Komision përzgjedhës me procedura sipas ligjit të Shërbimit civil, janë përzgjedhur punëtorët dhe janë pajisur me kontratë’, i ka thënë Morina Periskopit.

Mirëpo, kur dihet se deri në vitin 2015 ka pasur telashe të mëdha me vendosjen e laurave në Brezovicë, ende nuk dihet se si u punësuan këta punëtorë.

Ministri paraprak i Mjedisit, Dardan Gashi, në një nga vendimet e tij për këtë çështje, kishte deklaruar se gjithçka që po ndodhte te laura në Brezovicë, ishte në koordinim me komunën e Shtërpcës, rrjedhimisht jashtëligjshëm, sepse komuna nuk kishte kompetencë ta bënte një gjë të tillë.

“Ka kohë që qytarët detyrohen të paguajnë jo pak para kur dojnë me e shiju Brezovicën. Kjo rampë dhe ky parking që ka vendos Komuna e Shtërpcës janë të paligjshëm dhe e habitshme njëkohësisht, sepse Parqet Nacionale nuk janë pronë komunale por janë e të gjithë qytetarëve të Kosovës” , kishte deklaruar Gashi, shkruan Periskopi.

Ndërkaq, tani Morina thotë se në koordinim me komunën e Shtërpcës, kanë vendosur për vendosjen e laurës.

‘Shumë matrapazë e sidomos ata të agjencive turistike, në emër të laurës së larguar kanë marrë para nga nxënësit dhe vizitorët. Pas bisedave me bizneset e kësaj pjese turistike, me akterët tjerë dhe kryetarin e komunës së Shtërpcës dhe kompanive shërbyese për pastrim të mbeturinave dhe borës, arritëm që MMPH të marrë vendim që të vendoset laurga për kontrolle dhe pagesa’, thotë Morina për Periskopin.

Paratë grumbullohen pa kuponë fiskal

Nga tiketat e pagesave që shihni (në foto), vërehet se ato janë pa kuponë fiskal.

Arsyetimi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit për këtë çështje, është se ‘ata janë institucion qeveritar dhe nuk kanë nevojë për kuponë fiskal’.

“Kjo është arsyeja që nuk ka nevojë për kupon fiskal sepse jemi institucion qeveritar që nuk paguajmë tatim sepse paraja shkon direkt në kacën e buxhetit të Kosovës’, ka thënë Morina.

Për Arian Zekën, udhëheqës i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, kjo formë e grumbullimit të parasë, është jo e duhur.

Thotë se shteti obligohet që të veprojë njëjtë si me operatorët privat, po ashtu edhe me ata publik.

“Sipas ekonomisë së tregut që funksionon në Kosovë dhe ligjeve të aplikueshme, do të duhej të veprohej njëjtë me të gjitha bizneset. Nëse operatorëve privat u kërkohet që të kenë arka fiskale, e njëjta do të duhej të vlejë edhe për operatorët publik”, ka thënë Zeka.

Ndryshe, mijëra vetura llogaritet të shkojnë brenda ditës në qendrën turistike të Brezovicës, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

Në rast të një përllogariteje të thjeshtë, nëse 1000 vetura regjistrohen gjatë një dite se kanë hyrë në Brezovicë, shuma e parave që do të duhej të paguhej do të dilte afër 3 mijë euro.

Kjo, pasiqë kjo qendër frekuentohet kryesisht nga vetura që kanë nga 3 apo më shumë persona.

Se ku po përfundojnë gjithë këto të hyra, nuk ishin në gjendje të na sqarojnë as nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit në kuadër të MMPH’së.

Mbetet e paqartë se në xhepin e kujt po përfundojnë gjithë ato para.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!