Kuvendi miraton një ligj shumë të rëndësishëm – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Kuvendi miraton një ligj shumë të rëndësishëm

16:40 | 29 Nëntor 2017

Kuvendi miratoi në lexim të parë Projektligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.

Me 48 vota për, 11 abstenime dhe 1 votë kundër, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme

Në shqyrtimin e parë të Projektligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, përveç Vetëvendosjes të gjitha grupet tjera parlamentare u deklaruan se do ta përkrahin atë.

Projektligji ka të bëjë me rregullimin e procedurave dhe rregullave për tatimin në pronë, si dhe  bazën për fillimin e implementimit për tatimin në tokë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza duke paraqitur para deputetëve këtë projektligj, tha se ministria ka ndërmarrë reformë të rëndësishme që ka të bëjë me tatimin në tokë.

“Ky lloj tatimi paraqet burim të rëndësishëm të financave lokale. Ky projektligj do të vendosë këto themele, që ka rëndësi jetike për shëndetin fiskal të komunave”, tha Hamza.

Ai shpjegoi se në fillim do të ketë zbritje të shkallëzuar të tatimit për tokën në vitet e para të implementimit, e me kalimin e viteve kjo zbritje do të njohë ngritje graduale.

Hamza tha se për projektligjin është konsultuar me përfaqësues të komunave si përfituese kryesore.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Komisioni funksional për buxhet dhe financa, tha se ky projektligj rregullon çështjen e vendosjes së tatimit për pronën e paluajtshme dhe se vëmendje e veçantë i është kushtuar fillimit të tatimit në toka.

Më pas në deklarimin e grupeve parlamentare, LDK, PDK, AAK, Nisma dhe 6+ thanë se do ta përkrahin në parim këtë projektligj. Ndërsa Vetëvendosje tha se do të abstenojë.

Dardan Molliqaj, në emër të GP të VV tregoi arsyen e abstenimit.

Tha se arsyeja kryesore është pjesa e vlerësimit të pronave, ku siç u shpreh ai “mungon përfaqësuesi i komunave”, që sipas tij është e padrejtë.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi tha se ky projektligj paraqet një ndër reformat më të mëdha në Kosovë dhe përmendi me theks të veçantë një benefit të tij.

“Tokat që do të punohen do të tatohen më pak”, tha ajo.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!