Lazio po kërkon 120 milionë për Savic, e papritur çfarë po bën Milan – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
5 °C

Lazio po kërkon 120 milionë për Savic, e papritur çfarë po bën Milan

14:09 | 14 Gusht 2018

Kërkesa e Lazios është tejet e lartë, prej 120 milionë eurosh, por prapë nuk e zbeh interesimin nga Milan.

Ëndrra e Milanit në këto ditë të fundit të merkatos në Itali mbetet Sergej Milinkoviç-Saviç, edhe pse sa më shumë kohë kalon, aq më shumë pakësohen mundësitë për të mbyllur me sukses një operacion që gjithsesi ka qenë i komplikuar prej fillimit.

Kërkesa e Lazios është tejet e lartë, prej 120 milionë eurosh, ndërsa klubi nga rruga “Aldo Rossi” është i bllokuar për shkak të premtimeve të bëra UEFA-s pak javë më parë.

Për këtë arsye, Leonardo po punon për të tentuar gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për t’i dhuruar mesfushorin e talentuar serb trajnerit Rino Gattuso, edhe pse misioni i tij duket pothuajse i pamundur.

Sipas asaj që njofton “Tuttosport”, gjatë ditëve të fundit kanë zbritur në “terren” disa menaxherë të fondit “Elliott” për të bindur presidentin Claudio Lotito të pranojë ofertën e Milanit. Kuqezinjtë kanë vendosur mbi tryezë rreth 40 milionë euro për huazimin, përfshi këtu edhe ndonjë lojtar në këmbim (janë lakuar emrat e Bonaventurës, Borinit apo Montolivos), ndërsa pas një viti, blerja përfundimtare do të bëhet edhe për 80 milionë euro të tjera.

Por, nëse nga njëra anë presidenti i bardhekaltërve, Claudio Lotito ka hapur një dritare shprese për formulën e huazimit me të drejtë blerjeje, nga ana tjetër numri një i lacialëve nuk dëshiron asnjë lojtar në këmbim, vetëm para, transmeton “TCH”.

Kjo pengesë nuk do të jetë e lehtë për t’u tejkaluar nga Milani, që gjithsesi po kërkon të mbyllë disa largime nga skuadra këto ditë të fundit të merkatos, për të bërë edhe sulmin e fundit për Milinkoviç-Saviç. Gjithsesi, koha sa vjen e bëhet edhe më e paktë, ndërsa “tymi i bardhë” duket gjithnjë e më i largët.

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!