Leksioni i Maqedonisë për Kosovën – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Leksioni i Maqedonisë për Kosovën

Shkruar nga: Shemsi Reçica

17:32 | 10 Prill 2018

Maqedonia nuk e ka pranuar imponimin nga jashtë, të emrit, as të simboleve shtetërore të saj, as të Kushtetutës, as të rregullimit të brendshëm shoqëror-politik të saj. Ajo s‘i ka dhënë askujt, asnjë pëllëmbë toke të saj; as ka krijuar mini-komuna për komunitete me shumicë jo-maqedonase; as ka krijuar asociacione komunash me shumicë jo-maqedonase, etj. – në shkëmbim të njohjeve nga shtetet e tjera; të pranimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe të liberalizimit të vizave.

Kosova, për dallim nga Maqedonia, pranoi imponimin nga jashtë, të Pakos fatale të Ahtisarit, pastaj të simboleve shtetërore, të Kushtetutës, të rregullimit të brendshëm shoqëror-politik, të emrit të saj me fusnotë. Kosova pranoi krijimin e mini-komunave me shumicë serb, pastaj faljen e tokave të saj Malit të Zi dhe Maqedonisë, krijimin e Gjykatës Speciale, krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, etj. – në shkëmbim të njohjeve nga shtetet e tjera; të pranimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe të liberalizimit të vizave(!).
*****
Maqedonia, me rreth 40% të popullsisë së saj jo-maqedonase, siç dihet, është shtet me gjuhë, me kulturë, me histori, etj. pra, me identitet kombëtar të kontestuar nga fqinji i saj i madh, Bullgaria. Maqedonasit, sipas Sofjes zyrtare, janë bashkëkombës të bullgarëve, pra, pjesë e pandarë e identitetit të tyre, e shkëputur nga trungut bullgar.

Nga ana tjetër, fqinji jugor i Maqedonisë, Greqia, si anëtare e BE-së dhe anëtare e NATO-s, i ka kundërshtuar me aq forcë, identitetin dhe përkatësinë etnike të maqedonasve, sidomos, emrin Maqedoni dhe simbolet shtetërore të saj, sa e ka penguar njohjen e Maqedonisë nga shtetet e tjera dhe e ka pamundësuar anëtarësimën e saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si në NATO, etj.

Megjithëkëtë, përkundër këtyre presioneve, tash 27 vjet (që nga pavarësia e saj, më 1991), Maqedonia nuk e ka pranuar imponimin nga jashtë, të emrit, as të simboleve shtetërore të saj. Kushtetutën e saj, simbolet shtetërore, rregullimin e brendshëm shoqëror-politik të saj, etj. – Maqedonia i ka bërë vetë.
Ajo s’i ka dhënë, as i ka falë askujt, asnjë pëllëmbë toke të saj; as ka krijuar mini-komuna për komunitete me shumicë jo-maqedonase; as ka krijuar asociacione komunash me shumicë jo-maqedonase, etj.; madje as ka pasur kërkesa të tilla prej saj, – në shkëmbim të njohjeve të saj nga shtetet e tjera, të pranimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe të liberalizimit të vizave.

Kosova, për dallim nga Maqedonia, siç dihet, është shtet me rreth 10% të popullsisë së saj jo-shqiptare; pastaj me gjuhë, me kulturë, me histori, etj. pra me identitet të fortë kombëtar, të pakontestuar nga fqinjët e saj, as nga shtetet e tjera; madje as nga Serbia.

Nga ana tjetër, në më shumë se njëzet vjetët e fundit, në krahë të Kosovës kanë qëndruar e po qëndrojnë, për herë të parë në historinë e shqiptarëve, fuqitë më të mëdha, ose, më saktë, supërfuqitë e kohës-miqtë tanë ndërkombëtarë, në ballë me SHBA-në.

Përkundër këtyre përparësive, nën presionet e njëpasnjëshme dhe të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe me po aq kompromise të lidershipit vendor, Kosova, për dallim nga Maqedonia, pranoi imponimin nga jashtë, të Pakos fatale të Ahtisarit, pastaj të simboleve shtetërore, të Kushtetutës, të rregullimit të brendshëm shoqëror-politik, të emrit të saj me fusnotë, të krijimit të mini-komunave me shumicë serbe, të faljes së tokave të saj Malit të Zi dhe Maqedonisë, të Krijimit të Gjykatës Speciale, etj. Tani, në Kosovë është në krijim e sipër edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe(!).

Përkundër këtyre lëshimeve të lidershipit tanë dhe në krahë me miqtë ndërkombëtarë, gjithnjë në krahasim me Maqedonin, Kosova, pa liberalizimin e vizave, mbeti shteti më i izoluar në Europë; pa njohjen e saj nga disa vende të EU-së; pa u pranuar në organizatat kryesore ndërkombëtare; pa ushtri; pa mundësi për shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veriun e saj… Kosova, kështu, po mbetej shtet i qalë, në paterica, shtet jofunksional.

Maqedonia, pra, me qëndrimet kundrejt ndërkombëtarëve dhe përfitimet prej tyre, është leksion i mirë për Kosovën.

Foto: Flamuri i Kosovës

Foto: Flamuri i Maqedonisë

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!