Lëvizja ‘tektonike’ e Vetëvendosjes – ORAinfo Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet
Lajmet e fundit
7 °C

Lëvizja ‘tektonike’ e Vetëvendosjes

19:16 | 13 Dhjetor 2017

Lëvizja Vetëvendosje është përfshirë ditëve të fundit në një debat nga brenda dhe heshtje nga jashtë në përpjekje për ta mohuar përçarjen e brendshme, mirëpo dorëheqja e Aida Dërgutit dhe diskursi publik i aktivistëve dhe anëtarëve të kësaj partie politike po dëshmojnë për lëvizje ‘tektonike’ në këtë parti, për herë të parë që nga themelimi i saj 12 vjet më parë.

Këtë të hënë, kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me grupin parlamentar mbajtën mbledhje maratonike më shumë se 6 orëshe, nga e cila dolën me një deklaratë 1 minutëshe dhe nuk pranuan t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve.

Orët e gjata të diskutimit në zyrën e Vetëvendosjes i përmblodhi, kreu i kësaj partie Visar Ymeri duke kërkuar nga aktivistët të ndalin gjuhën linçuese ndaj deputetëve të VV-së, por nuk e tha asnjë fjalë për ndarjen apo përçarjen potenciale të partisë që ai e drejton qe gati 3 vjet.

Analisti Imer Mushkolaj në një pronocnim për Gazetën Jeta në Kosovë tha që mundësia për përçarje në partinë më të madhe opozitare në Kosovë ekziston, por që beson se edhe brenda VV-së po pritet të kuptohet versioni i Kurtit për ndodhitë e fundit.

Kurti aktualisht gjendet në paraburgim, meqë kishte refuzuar t’u përgjigjej ftesave të gjykatës për të marrë pjesë në seancat ku akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

“Mospajtime ka, mundemi me i quajt edhe përçarje. Mirëpo unë mendoj që ata janë duke e pritur z. Kurti që ai ta thotë versionin e tij, por derisa ai të jetë në burg, situata do të jetë e tillë”, tha Mushkolaj për Gazetën JnK.

Mirëpo sipas tij, deshën apo s’deshën kundërshtarët e tij politik, Vetëvendosje ‘lidhet’ me emrin e Albin Kurtit dhe nuk e sheh si gjë të mençur idenë e eliminimit politik të tij edhe pse figura të reja kanë depërtuar në krye të partisë viteve të fundit.

“Vetëvendosje ka ndryshuar prej kohës së themelimit, tash aty janë hyrë figura të reja të cilët kanë edhe fuqi të madhe politike. Rezultatet e tashme të VV-së nuk janë vetëm punë e tij (Kurtit), por e shumë njerëzve aty”, thotë Mushkolaj.

Disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dalë në mbrojtje Dërgutit kur kjo e fundit njoftoi se problemet në Vetëvendosje kanë mbi 1 vit që ekzistojnë e disa të tjerë nuk e kanë përkrahur Dërgutin, duke i kërkuar madje edhe llogari për fjalorin e përdorur në adresë të Kurtit dhe për mosadresimin e problemeve që ajo i thekson.

E për Ismet Kryeziun, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) në rast të ndarjes së partisë me numrin më të madh të deputetëve në këtë legjislaturë, fuqia politike të Vetëvendosjes do të dëmtohet pasi që, sipas tij, kësaj të fundit i mungon potenciali politik për t’i ofruar skenës kosovare dy parti politike.

“Vetëvendosje nuk ka potencial politik t’i ofrojë dy parti politike skenës kosovare edhe secila ndarje do ta dëmtojë fuqinë politike të kësaj partie. Por deri sa s’kemi ndarje edhe ende nuk kemi një zhvillim aktiv për të parë dhe fuqinë e atyre që do të rreshtoheshin në këto ndarje, s’mund të konkludojmë nivelin e dëmtimit. Por, megjithatë nëse do të ndodhë një ndarje e tillë dhe s’ka kreativitet dhe guxim politik për të ndërtuar një konsensus të brendshëm, në zhvillimet afatgjate fituesit do jenë ata të cilët do jenë të rreshtuar nën siglën e Vetëvendosjes”, tha Kryeziu për Gazetën JnK.

Heshtin zyrtarët, flasin aktivistët

Edhe pse kreu i partisë Visar Ymeri kërkoi nga aktivistët e Vetëvendosjes të ndalin këtë mënyrë të të shkruarit në rrjetet sociale, ata nuk ia kanë ‘vënë veshin’.

Aktivistët po vazhdojnë të shkruajnë e flasin nëpër profilet e tyre e nëpër komente në Facebook. Në mënyrë direkte e indirekte, ata po e ‘kryqëzojnë’ ish sekretarin Dardan Molliqajn të cilin po e theksojnë si personin kryesor për këto çfarë po i ndodhin Lëvizjes Vetëvendosje. Por, Molliqaj po refuzon t’u përgjigjet këtyre akuzave.

Ai ka zgjedhur të heshtë, përderisa është parë duke pëlqyer disa postime të anëtarëve të VV-së, përfshirë edhe atë të Aida Dërgutit i cili shkaktoi furinë në partinë që, nga jashtë, deri në fund të javës së kaluar, shihej si më e unifikuara në skenën politike të vendit.

Për analistin Agon Maliqi, kjo pakënaqësi e Molliqajt lidhet me largimin e tij nga pozita e sekretarit të VV-së.

Sipas tij, zhvillimi i ngjarjeve të fundit tregon se Molliqaj është shkarkuar, e nuk ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij pas zgjedhjeve të 11 qershorit të këtij viti.

“Duket qartë se Moliqaj është i pakënaqur me largimin e tij nga pozita e Sekretarit Organizativ, e cila duket se nuk ka qenë dorëheqje, por më shumë si shkarkim. Ai nuk është shprehur publikisht, por ka dhënë sinjale të orientimit të tij”, tha Maliqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa Mushkolaj thotë se nëse me të vërtetë Molliqaj ka çfarë të thotë, atëherë nuk ka pse të fshihet dhe të rrijë në heshtje.

“Molliqaj ka zgjedhur heshtjen, por prapë se prapë ne deri tash e kemi vetëm versionin e aktivistëve dhe militantëve që ky është personi kryesor kundër Kurtit, por nëse përnime janë ndarjet aq të thella në Vetëvendosje, nuk ka kurrfarë nevoje të fshihet, të qëndrojë anash. Nëse ka çfarë të thotë, duhet ta thotë dhe është shumë normale, jo vetëm për Molliqaj por për secilin që ka ambicie të marrë kreun e partisë”, tha Mushkolaj i cili shtoi se është shumë normale që të ketë më shumë se një kandidat për kryetar të një partie.

Ai përmendi rastin e partisë maqedonase, VMRO-DPMNE, në të cilën deri më tani gjashtë kandidatë kanë paraqitur kandidaturën për ta zëvendësuar liderin e fuqishëm të partisë, Nikola Gruevksi.

‘Heshtja’ e Visar Ymerit dhe ‘Tentimi’ për të Qenë ‘Unifikues’

Kryetari aktual, Visar Ymeri po refuzon të flasë në detaje për ato çfarë po ndodhin brenda partisë të cilin ai e drejton qe 3 vite.

Ymeri refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në konferencën e së hënës pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie.

Sipas Ismet Kryeziut, Visar Ymeri po tenton të me neutralitetin e tij t’i shërbejë kompromisit brenda VV-së.

“Kryetari aktual nuk ka arritur mjaftueshëm të jetë kryetar partie, së paku deri tani. Edhe në një situatë të tillë edhe në një kohë kur dhe afatet kohore për zgjedhjen e kryetarit të VV-së janë në kalendar të afërt, atëherë neutraliteti i tij mund të jetë tentativë t’i shërbejë një kompromisi brenda VV-së”, tha Kryeziu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndërsa për Agon Maliqin dhe Imer Mushkolajn, Visar Ymeri është ndoshta në pozitën më të vështirë për momentin në Vetëvendosje.

“Dorën në zemër, Visar Ymerit nuk i takon të marrë anë. Ai është menaxher i partisë, por në fakt z. Kurti është konsideruar gjithmonë si lider i partisë. Ymeri nuk se çfarë pozicioni të marrë, është në pozitën më të vështirë në mesin e këtyre grupeve brenda VV-së”, tha Mushkolaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Visari Ymeri me gjasë është në pozitën më të vështirë dhe nga ajo që po duket në publik ai me gjasë po mundohet që ta ruajë unitetin”, tha në mes tjerash Maliqi.

Megjithatë, me Albin Kurtin në paraburgim, qartësimi i situatës në Vetëvendosje është vështirë i mundshëm.

Madje, siç mëson Gazeta Jeta në Kosovë, Kryesia e VV-së dhe grupi parlamentar do të takohen menjëherë pasi të lirohet Albin Kurti, në mënyrë që të diskutohet këto gjëra edhe njëherë.

Kryeziu thotë se nuk e di se çfarë diskursi do të përdorë Kurti kur të dalë nga paraburgimi, por pret nga ai që të angazhohet në adresimin e pakënaqësive.

“Nuk e di se cili do jetë diskursi i tij, por se cili duhet të ishte roli i tij. Mendoj se ai do të duhej të angazhohet për një adresim të pakënaqësive, demokratizim më të madh brenda edhe ripozocionim të VV-së në skenën politike kosovare”, tha Kryeziu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ndarja Potenciale dhe Krijimi i Dy Vetëvendosjeve

Nëse zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes ‘refuzojnë’ të komunikojnë me publikun rreth mundësisë së përçarjes, në opinion kjo po diskutohet në vazhdimësi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili pas fitores së mandatit të dytë në komunë e Prishtinës vazhdon të shihet si figurë në rritje e partisë, kishte deklaruar se nuk bëhet fjalë për ndarje të Vetëvendosjes.

“Jo more s’ka kurrfarë ndarje”, kishte thënë Ahmeti ditën e mbledhjes maratonë. Ndërsa deputeti Fisnik Ismajli kishte deklaruar se në “në Vetëvendosje karriga s’ka”, në një aldim të fort ëpër zhvillimet e fundvitit 2006 në LDk kur partia u nda në dysh në një Kuvend zgjedhor në të cilin u përdoren karriget për t’i qëruar hesapet mes grupeve rivale.

Mirëpo ndërsa të tjerët po refuzojnë të flasin atë ditë, diskutimi i nivelit të lartë i ka lënë udhë debatit të ashpër në rrjete sociale ndërmjet aktivistëve të Vetëvendosjes.

E në rast të ndarjes së mundshme të kësaj partie, Mushkolaj thotë se përvoja në Kosovë tregon që ata që largohen nuk mund të dalin forcë me e madhe se sa aty që ishin.

“Përvoja në Kosovë ka tregu që kjo nuk është e mundshme. Na kemi rastin e LDD-së që në fillim ishte goxha e fortë, kishte disa vende në parlament e pastaj u shua, pastaj kemi Nismën që mezi po mbijeton, në kuptimin e një partie të vogël. Pra, te ne nuk ndodh që partitë që ndahen të jenë më të fuqishme se sa partia e fundit. Ata mund të ndahen, të krijojnë një subjekt por unë nuk besoj që ata mund ta kenë fuqinë që e kanë tani brenda Vetëvendosjes”, tha Mushkolaj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Agon Maliqi shpjegon se çka mund të humbë Vetëvendosje në rast të ndarjes.

“Largimi i “grupit rebelues” do të nënkuptonte humbje jo vetëm të votave, por edhe të resurseve njerëzore dhe kapaciteteve organizative, të cilat pa dyshim do ta dëmtonin VV-në, duke e kthyer në nivelin e partisë së tretë”, thotë ai.

I gjithë ky diskutim i hapur ka filluar pas publikimit të një komunikimi në Viber e i cili më vonë u publikua në media.

Mirëpo, sipas ‘personazhit kryesor’ të këtij debati, Aida Dërguti, këto probleme kanë mbi 1 vit që po zgjasin.

“Këto probleme e mospajtime kanë më shumë se një vit që po zgjasin. Vazhdimisht kam qenë e përfshirë në tentim që t’i zgjidhim ato. Kjo do të jetë fuqia organizative e VETËVENDOSJE!-s. Mirëpo tentimet tona kanë qenë të minuara e vazhdojnë të minohen nga njerëz të caktuar”, kishte shkruar Dërguti në profilin e saj në Facebook, në ditën kur u publikuan këto komunikime./kallxo.com

Komento:

VËREJTJE: ORAinfo mban të drejtën e përzgjedhjes së komenteve që do të publikohen. Komentet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, përmbajnë sharje dhe lëndime, si dhe komentet që nuk ndërlidhen me artikullin në të cilin komentoni, nuk i publikojmë.

Ju faleminderit!